Emisioni “Stop” është në Kavajë, pasi familja e Yllka Eminit, ka në pronësi një vilë 3 katëshe me dokumente të rregullta e certifikatë pronësie. Por kunati i saj, Bejtullah Emini po i cenon pronën.

Fillimisht ai ishte 3 metra distancë prej Yllkës, por iu afrua në murin e saj, duke ndërtuar pa leje katin e parë dhe tani ka përfunduar të dytin.

Yllka Emini: Kam një problem prej shumë vitesh, kam ndërtuar një shtëpi 3 katëshe këtu tek shtëpia ime. Problemi im është se komshiu im, Bejtullah Emini ka cenuar murin e shtëpisë sime. Ka ndërtuar pa leje katin e parë dhe të dytë duke përdorur murin tim për të bërë shtëpinë e tij dykatëshe. Ka përdorur murin tim, për gjysmën e katit të parë dhe komplet katin e dytë. Bejtullah Emini mua më ka hyrë në shtëpi, ka shfrytëzuar murin tim. Shtëpia është bërë komplet e pabanueshme. Ky ndërtim i paligjshëm ka shkaktuar myk dhe lagështirë në banesën time. Shtëpia është bërë e pabanueshme. Banesa jonë është ekzistuese kati i parë dhe dy katet e tjera janë ndërtuar që në vitin 2003. Zoti Bejtullah ka filluar ndërtimin nga vitit 2007 dhe ka vazhduar deri sa ka bërë katin e dytë.

Gazetarja: Ka pasur godinë ekzistuese zoti Bejtullah Emini?

Yllka Emini: Ka pasur vetëm një në anën e rrugës, vetëm 3 metra larg meje.

Gazetarja: Kanë qenë në distancë jo në kufij me njëri-tjetrin.

Yllka Emini: Jo. Ka qenë 3 metra larg meje.

Kur u bë kati i parë Yllka bëri ankesë, por ndërtimi nuk u prish derisa u legalizua. Tani që ndërtimi është në katin e dytë vendimi i prishjes ka dalë para dy vjetësh, por IMT e Bashkisë Kavajë thotë se nuk ka mjete të prishë katin e dytë.

“Gjithmonë jam ankuar në Bashkinë e Kavajës, kam shkuar në Policinë e Shtetit edhe atje kam bërë ankesa sepse gjithmonë kam marrë kërcënime nga pala tjetër dhe shumë herë kam shkuar deri në Durrës. Kam shkuar dhe në Prokurorinë e Durrësit, jam ankuar gjithë kohës, por të njëjtën përgjigje që “do ia prishim, por s’kemi mjete”. Ka marrë 5 mijë euro gjobë dhe prishje të objektit, as gjoba nuk ka paguar dhe as prishja e objektit nuk është bërë, vetëm ndërton gjithmonë. Nga kati i parë u bë kati i dytë. Ironia më e madhe është që, ndërkohë që unë ankohesha që bëhet ndërtime pa leje gjysma e katit të parë është legalizuar. Ka vazhduar me katin e dytë. Këta përfitojnë nga rasti që unë nuk jetoj këtu, unë jetoj jashtë shtetit, jetoj në Gjermani. Kam 30 vite që jam larguar, por çdo dy muaj kam bërë ankesa me shkresa e me të gjitha,” tha denoncuesja.

Gjatë bisedës me palën tjetër, Bejtullah Emini kunati i denoncueses pranon se ka bërë një shtesë në mur dhe gjysma e shtëpisë ka murin e saj ndërsa tjetra rri mbështetur tek vila e Yllkës.

“Stop” thërret specialistët e Kadastrës së Kavajës që këta të fundit të bëjnë të gjitha matjet për të përcaktuar kufijtë.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Kavajë, Arti Çiçolli i mëshon faktit se nuk ka mjete për të prishur katin e dytë të shtëpisë problematike.

“Ju më sollët shkresën që unë vetë e kam firmosur që është më 15 Janar të vitit 2023, referuar kërkesës së zonjës ne kemi dërguar një kthim-përgjigje zonjës në fjalë dhe për dijeni Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Përsëri në Mars të 2024 i jemi drejtuar ekzaktësisht Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit për mbështetjen në makineri dhe njerëz të specializuar për ndërtimin, është një specifikë e veçantë. Por, tani jemi para faktit që ky vendim është i ekzekutueshëm. Ne po vazhdojmë të komunikojmë me shkresa sepse vetëm këtë kemi mundësi të bëjmë. Kemi dërguar përsëri të njëjtën shkresë tek IKMT dhe presim përgjigje prej andej”, tha Arti Çiçolli.

Pas interesimesh të shumta, IKMT-ja qendrore urdhëron atë të Kavajës, që të marrë masa duke hapur një procedurë të re prishjeje.

Specialisti IKMT: Neve kemi shku dhe i kemi kap në shkelje ato dhe i kemi thënë. Ata pastaj kanë mbajt letrat dhe normal, që i kanë hap rrugën atij, që ta legalizojë! Ne i kemi kap në shkelje, ata e kanë lënë ta ndërtojë. Tani situata është, që çunat mund të thonë që ne nuk kemi asnjë lloj mjeti. Nga ana teknike, nuk kemi asnjë lloj personi, që mund të dijë të prishi katin e dytë dhe të lejë katin e parë. E kupton?/tvklan.al