Sot në orën 7 në të gjithë territorin e Kosovës, ka filluar procesi i votimit, për zgjedhjet e përgjithshme lokale. Këto janë të para zgjedhje të lira qëkurse Kosova është shkëputur nga trungu i Shqipërisë, në fillim të shekullit të kaluar. Zyrtarët e OSBE-së kanë paralajmëruar që mbrëmë, se gjithçka nga ana teknike, ligjore dhe organizative është bërë gati.

Rreth 900 mijë votues brenda dhe jashtë Kosovës, pritet të zgjedhin drejtuesit e qeverisjes vendore. Për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, janë angazhuar mbi 6 mijë mbikëqyrës vendas dhe ndërkombëtar. Veç trupave të KFOR-it, që janë vendosur në Kosovë, që në Qershorin e kaluar, pas përfundimit të luftës, posaçërisht për këtë ditë kanë mbërritur edhe 2500 trupa shtesë të KFOR. Ato do të sigurojnë jo vetëm qendrat e votimit, qetësinë në rrugë, por dhe qetësinë e vëzhguesve të procesit zgjedhor.

Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë 25 parti, aleanca dhe nisma qytetare, të cilat konkurrojnë me rreth 550 kandidatë për drejtimin e pushtetit lokal. Në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë serbët e Kosovës, por kandidatët e tyre, do të përfshihen apriori në strukturat lokale me vendim të administratës së OKB./tvklan.al