Rektori i Universitetit Bujqësor ju tha socialistëve se vendosi të flasë përpara grupit të tyre parlamentar pas burgosjes, arrestit në shtëpi dhe detyrimit për paraqitje të 24 pedagogëve dhe punonjësve të tij sepse është cenuar imazhi i institucionit kur po finalizohet një reformë shumë e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e tij.

“Nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar, unë jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim t’i sqaroj këto gjëra”, tha Sallaku.

Për të njëjtat arsye kryeministri pranoi se u shqetësua nga nxitimi i SPAK-ut që kishte 3 vite që hetonte për një çështje që ishte iniciuar nga SHISH dhe Policia e Shtetit.

“Merr 24 masa sigurie për para-burgim, për arrest shtëpie dhe për detyrim paraqitje, a thua se u fut në fshatin e Korleones”, tha Rama.

Rama nënvizion se grupi i PS do të jetë i hapur për të dëgjuar çdo person që nuk është nën hetim, por shantazhohen dhe intimidohen nga Struktura e Posaçme.

“2 vjet ka ai që e ka lënë telefonin në SPAK. Nuk i lenë telefonin. Nuk është ai person në hetim. Mund të jetë edhe ai person që del fajtor në fund, unë nuk e di fare, problemi është që ne nuk nisemi nga ideja që çdo person në këtë republikë është i fajshëm dhe duhet të provojë pafajësinë. Europa ku duam dhe do të integrohemi ka një parim tjetër. Çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të provojnë fajësinë e tij”, tha Rama.

Për të ndërtuar fjalimin e tij Rama ishte mbështetur tek dy reagime publike, i pari ishte ai i profesorit dhe studiuesit Afrim Krasniqit që një ditë më parë e cilësoi si shkelje kushtetuese dhe ligjore dëgjesën me rektorin Fatbardh Sallaku dhe strategji elektorale për të penguar drejtësinë. Rama e kundërshtoi dhe deklaroi se as ai dhe askush tjetër nuk mund t’i akuzojë socialistët se duan të godasin krijesat e tyre të drejtësisë siç janë SPAK-u apo Gjykata e Posaçme, por sipas Kryeministrit askush nuk duhet të presë që ata të heshtin kur drejtësia e re po rrëshket në një model të ngjashëm me drejtësinë ruse.

“I kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS, sallës së operacionit kundër korrupsionit. por nuk ka për ta pasur më heshtjen tonë kur pavarësia kthehet në “Carta Bianca” për të shkelur të drejtat e njeriut”, tha Rama.

Ndërkohë përgjigjen e dytë e kishte për avokatin e Thoma Gëllçit që e akuzonte si fajtor për krijimin e një monstruoziteti si SPAK-u që nuk respekton standardet e arrestimit.

“Nuk ka degë e nuk ka gjethe afër e rreth meje që nëse i ka hyrë miza unë të shmang krasitjen”, tha Rama.

Vendimi i Strasburgut për këtë çështje duhet të jetë kambanë për SPAK-un dhe PS do të bëjë gjithçka që të kuptohet mirë pasi për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut me masat e paraburgimit sepse sipas kryeministrit jo vetëm rrezikohet anëtarësimi ne BE, por rendohet dhe buxheti i shtetit.

“Për mua dhe për PS, SPAK, Gjykata Speciale rrojnë 1000 vjet. Këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha Rama.

Ndërsa prokurorëve dhe gjyqtarëve me imazhin e Justitias, ju tha se zonjës së tyre të drejtësisë i mungon peshorja dhe ka vetëm shpatën për momentin.

“Zonja sot është në këmbë, ka dhe shpatën, i mungon peshorja dhe i ka sytë jo të mbyllur, por i ka sytë me gjak dhe pikërisht pse i ka sytë me gjak, ne kemi arritur të shikojmë arsyetime gjykatësish që thonë më shkrim, gjykatës specialë; populli kërkon një dënim më të madh. kjo është gjuha e Vladimir Vladimiroviç Putinit. “Zonja” ndjehet që ka një shpatë me të cilën duhet të presë kokat majtat e djathtas të gjithëve, që populli të dojë vetëm “zonjën””, tha Rama.

Rama lajmëroi se ka njoftuar ministrin e Drejtësisë për një tjetër raste flagrant te presionit ndaj personave të marrjes në pyetje nga SPAK-u dhe ju kujtoi dhe njëherë kufirin e ndarjes se pushteteve nga njëri-tjetri.

“Tha se o do pranosh këtë ose do ta hash më keq sesa ata, të cilët duhet t’i zhysësh brenda”. Boll është hyrë në kufijtë e pushtetit ekzekutiv. Duhet menduar për t’i dhënë shërbim konsulence të fuqishme ndërkombëtare për të gjitha aspektet e tjera që marrin përsipër të analizojnë dhe që nuk kanë kapacitete t’i analizojnë, pabarazia në tendera e ku e di unë se çfarë dhe pastaj të gjitha përfundojnë tek “shpërdorimi i detyrës” që është një thes i madh ku nuk e merr vesh i pari të dytin, “Hajde i fusim me shpërdorim detyre pastaj kismet. Njerëzit nuk janë domate, njerëzit nuk janë kavie”, tha Rama

Opozitës, por jo vetëm asaj ju kujtoi se çfarë rezultati do marrin përmes shprehjes se tij te preferuar.

“11 Maj të gjithë atyre që janë mbledhur kundër nesh t’i bëjmë prezantimin fundor me Noc Rrokun”, tha Rama.

Tv Klan