4 muaj që nga nisja e ndërtimit të parkimit të ri nëntokësor tek zona e Pazarit të Ri, nga ana e Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kryetarja e deleguar e Bashkisë, Anuela Ristani, inspektuan ecurinë e punimeve. Kryeministri Edi Rama tha se çështja e parkimit do të marrë përparësi, veçanërisht në zonat turistike, dhe si shembull mori projektin që është ndjekur në qytetin e Beratit.

“Ne duhet ta shikojmë strategjinë dhe bashkë me Fondin e Zhvillimit që ka bërë disa projekte të suksesshme, ai i Beratit për shembull është super, që po angazhohet me një projekt kombëtar për parkimet sidomos për zonat turistike, duhet të bëjmë një bashkëpunim mes bashkisë dhe Fondit që të rishikojmë dhe një herë strategjinë, të kuptojmë se në cilat pikat kryesore nevralgjike mund dhe duhet të ndërhyjmë dhe pastaj të shohim dhe financimin e ndërhyrjes që të jetë një financim i shpejtë dhe që të mbulojmë sa më shumë nevoja”.

Teksa e cilësoi problem çështjen e parkimeve, Rama tha se mbetet i vendosur për të zbatuar rregullin për të mos lejuar parkimet e dyfishta në rrugët e kryeqytetit.

“Kjo historia e parkimeve po bëhet shumë problem, ndërkohë që nga ana tjetër duhet të vendosim patjetër atë rregullin që kemi folur; domethënë parkimi i dyfishtë duhet të konsiderohet bllokim rruge dhe hyn në të tjera vepra të Kodit, shkon në Kod Penal, kështu që, vetëm kështu arrijmë të dekurajojmë më shumë makinat dhe të lehtësojmë më shumë këmbësorët dhe të nxisim më shumë ecjet”.

Kryetarja e deleguar e Bashkisë, Anuela Ristani tha se ky projekt përfshin 210 vende parkimi me dy kate nëntokë.

“Jemi 210 vende parkimi në dy nivele. Në nivelin e parë dhe të dytë do të kemi 8 vende për personat e aftësi të kufizuara, me të gjitha lehtësirat, me ashensor të aksesueshëm dhe rampat respektive. Puna është ndarë në dy segmente në mënyrë që të mos bllokohet trafiku, kështu që kjo është gjysma e parë e gërmimit dhe e punimeve dhe në momentin që ajo do të mbulohet do të vazhdojmë me segmentin tjetër.”

Një tjetër projekt që mori edhe vëmendjen e kryeministrit ishte edhe ai i ndërtimit Terminalit Verior të Transportit Publik që do të ketë një kapacitet të përbërë prej 30 vende nisje për zonën e jugut. Sipas Ramës, ky është një nga projektet që u zvarrit më shumë nga proceset gjyqësore.

Përgjigje u dha edhe kërkesave të qytetarëve që ndodheshin aty gjatë inspektimit. Terminali i ri i Autobusëve në Tiranë do të jetë një hapësirë e re e gjelbër publike për qytetin. Hapësirat e pasagjerëve në Terminal janë të organizuara rreth një kopshti publik të aksesueshëm, i cili mund të shijohet nga udhëtarët dhe qytetarët. Terminali pritet të hapet në tetor të këtij viti.

Tv Klan