Rrëfimin e Rektorit Fatbardh Sallakut në mbledhjen e grupit parlamentar të socialistëve Sali Berisha e cilësoi përlyerje të Universitetit Bujqësor në strofullën e hajdutëve.

“Mor zoti Sallaku a e kupton që u fute në strofullën e hajdutëve ti, kujt i qahesh. Duhet të mendosh 5 herë që të futesh aty”, tha Berisha.

Përpara të vetëve, Berisha s’e kurseu ironinë për Kryeministrin dhe ministrat e tij, ndaj të cilëve jo pak herë iu drejtua edhe në latinisht.

Ndryshe nga daljet e mëparshme, në stivën e akuzave që tha se rëndojnë mbi kreun e qeverisë vendosi edhe një tjetër dosje, arsye sipas tij që ka çuar në shfazimin e Edi Ramës.

“E ka kapur frika dhe tmerri i dy dosjeve, dosja e McGonigal dhe laptopi i Engjell Agaçit”, tha Berisha.

I vendosur për t’i shkuar deri në fund të vërtetës së tij, Edi Ramës i tregoi edhe atë që e pret brenda apo përtej oqeanit.

“Pas datës 11 Maj do të esktradohesh në SHBA për t’u rigjykuar me McGonigal përndryshe mund të gjykohesh në Shqipëri para 11 Majit”, tha Berisha.

Sërish hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me Kryeministrin për institucionet e drejtësisë, duke ripërsëritur se reforma do të kalojë nga “Venecia”.

“Kjo parti nuk do të bashkojë kurrë votat me Edi Ramën për asnjë lloj mase ndaj sistemit të drejtësisë. Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të ketë prokurori politike. Kjo nuk do bëhet kurrë në asnjë rrugë tjetër përveç Komisionit të Venecias”, tha Berisha.

Të njëjtat akuza në adresë të kryeministrit, Berisha i ripërsëriti edhe gjatë homazheve që zhvilloi në nderim të 22 intelektualëve të ekzekutuar nga regjimi komunist 74 vjet më parë.

Tv Klan