Muzeu Arkeologjik i Korçës do të kthehet në një tjetër hapesire me interes për t’u vizituar nga turistët e shumtë, falë investimit për modernizmin e tij dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për ekspozimin e artefakteve të rralla.
Muzeu Arkeologjik i Korçës do rikonstruktohet përmes një projekti i cili synon modernizimin dhe rritjen e aksesit të vizitorëve në trashëgiminë e pasur të fondit të tij.
Rikonstruksioni i ndërtesës që daton e ndërtuar në vitin 1870, do të pasohet nga ndërhyrje e plotë në hapësirat e brendshme, ku do të ekspozohet fondi prej më shumë se 1.200 objektesh arkeologjike. Projekti parashikon krijimin e kushteve të përshtatshme për ekspozimin dhe ruajtjen e objekteve, si dhe rritjen e aksesit për vizitorët.
Ky projekt është pjesë e një nisme më të gjerë për zhvillimin e turizmit kulturor dhe promovimin e trashëgimisë historike të qytetit të Korçës, duke kontribuar kështu në pasurimin e ofertës turistike dhe edukative për vizitorët e shumtë të Korçës.
Muzeu Arkeologjik u ngrit në vitin 1985 në një godinë karakteristike të shekullit të XIX. Fondi i muzeut përmban artefakte të një historie 7 mijë vjeçare që nis me neolitin dhe vijon me periudhën e mesjetës, duke përfshirë gjetjet arkeologjike në disa treva të juglindjes.
Klan News