Mbyllja e Galerisë së Arteve që prej 2021 për shkak të restaurimit, solli nevojën që pikturat që janë pjesë e fondit të institucionit më të rëndësishëm të artit pamor në vend, të shplurosen dhe t’i ekspozohen publikut.
Ky projekt e nisi rrugëtimin në Berat, Pogradec e Sarandë, ku u ekspozuan punimet e piktorëve që kanë venë themelin e artit shqiptar për të ardhur në Tiranë me të tjera 86 vepra.
Epika e yjeve të mëngjesit të Edison Gjergos, i kushtoi autorit 8 vite burg dhe ajo qëndron në hyrje të Galerisë për të na kujtuar kushtet ku u zhvilluan këto artistë.
E pak më tutje, tabloja e piktorit më të rëndësishëm shqiptar, post-kubistit Ibrahim Kodra. Tablotë e Sali Shijakut e të tjerë na bëjnë të reflektojmë për të kaluarën e pikturës shqiptare përballë artit sot.
Këto vepra veç ekspozimit ndërkohë i nënshtrohen edhe procesit të restaurimit. Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve gjithsej ruan 4727 vepra, si pasuri e artit pamor të vendit.
Tv Klan