Më një gjatësi prej 6 kilometrash, tuneli i Llogarasë u hap këtë të premte ashtu sikurse ishte premtuar nga qeveria, për të mirëpritur të gjithë qytetarët shqiptarë e të huaj që do të pushojnë në bregdetin e jugut.
Tani për të shijuar bukurinë e bregdetit jonian nga Dukati, ku është hyrja e tunelit, deri në fshatin Palasë do të duhen vetëm 10 minuta nga 40 minuta që nevojiteshin për të përshkuar kthesat e Llogarasë.
Pjesë e ceremonisë inaguruese u bënë edhe Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, të cilët u pritën në hyrje të tunelit me dedikime nga grupi polifonik i lumit të Vlorës.
Për të inauguruar tunelin ata zgjodhën të udhëtojnë në të me një autobus, i cili i priste brenda tij. Nuk mungoi edhe një urim për ditëlindjen e Ramës, ndonëse një ditë me vonesë.
Tuneli konsiderohet si një ndër veprat më të mëdha publike dhe pritet të ketë impakt të drejtpërdrejtë në turizmin dhe ekonominë e vendit. Për zv/kryeministren Belinda Balluku tuneli me dy tubat e tij do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në pikun e sezonit.
Tuneli do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë sezonit turistik teksa në përfundim të tij do të mbyllet për të vijuar me fazën e fundit të punimeve. Ndërkohë gjatë këtij viti ai do të mund të përdoret pa pagesë, për të kaluar me pagesë në vlerën e 5 eurove në 2025.
Tv Klan