Rruga e Komanit e cila ishte e amortizuar prej vitesh dhe pas kërkesave të shumta të komunitetit të zonës, tashmë po i nënshtrohet rikonstruksionit.
Puna ka nisur me 10 kilometrat e para nga Komani në drejtim të Vaut të Dejës, në segmentin ku gjendja e rrugës ka qenë më e dëmtuar. Për banorët e zonës, nisja e punimeve duket si një ëndërr e bërë realitet.
“Shumë e pritur prej shumë vitesh, domethënë jemi bërë pak edhe si të bezdisshëm derë në derë, por ky do të ndihmojë 100% për mirë. Ka qenë e domosdoshme, rruga e degraduar krejtësisht”, tha një banor.
Ky investim ka ngjallur interes edhe te banorët që jetojnë në emigracion, duke i nxitur ata të rikthehen dhe të investojnë në këtë zonë ku kalon aksi rrugor.
“Për ne të rinjtë sidomos, që jemi prej Komanit është shumë e rëndësishme sepse na bënë që ne me u kthy akoma tek vendi jonë, pse jo me investu për këtë vend se në fund të ditës ne jemi prej këtij vendi dhe nuk duhet me e lënë”, tha një emigrante.
“Frymëzimi për të qëndruar në Koman është rruga se aty fillon çdo gjë. Jam kthyer prej migrimit, jam munduar me hap një biznes, por pengesa më e madhe ka qenë rruga”, tha një emigrant.
Përveç zhvillimit të turizmit, ndërtimi i rrugës krijon lehtësi edhe për shërbimin shëndetësor në Koman, ku shpesh emergjencat shëndetësore e kanë patur të nevojshme dërgimin e pacientëve drejt Shkodrës.
“Kemi pasur shumë vështirësi me përcjelljen e të sëmurëve deri në spitalin e Shkodrës dhe shpesh herë i kemi përcjellë edhe me makinat tona derisa jemi takuar me ambulancën se ka qenë shumë e vështirë transport i tyre. Me hapjen e rrugës, ju na keni falë jetë”, tha Pashka Ndreu.
Rruga e Komanit është një nga akset më të vështira, por njekohesisht edhe nder me piktoresket në veri të Shqipërisë. Ajo lidh qytetin e Shkodrës me liqenin e Komanit dhe vazhdon drejt Fierzës, duke shërbyer si pjesë e një itinerari të rëndësishëm për ata që udhëtojnë drejt Alpeve Shqiptare.
Kjo zonë është një nga destinacionet turistike kryesore të qarkut të Shkodrës, pasi të çon drejt lumit të Shalës, si një nga destinacionet më të kërkuara.
Pas këtyre ndërhyrjeve në aksin rrugor, zona pritet të ketë një zhvillim të ndjeshëm të turizmit.
Klan News