Anija e marinës italiane “Kasiopea” me rreth 49 emigrantë të ndaluar në ujërat ndërkombëtarë të Lampeduzës pritet të mbërrijë të martën e 28 Janarit në portin e Shëngjinit.
Burime për Klan News bëjnë me dije se anija ka pësuar defekt dhe është shtyrë ankorimi i saj për të martën, pasi më herët ishte parashikuar që të mbërrinte mëngjesin e së hënës së datës 27 Janar.
Emigrantët do të qëndrojnë fillimisht në qendrën e krijuar në portin e Shëngjinit, ku do të bëhet regjistrimi dhe verifikimi i dokumentacionit dhe më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit.
Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm, që pritet të mbërrijë në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive.
Me 16 Tetor 2024, anija luftarke Libra solli në bord 16 emigrantë, 10 nga Egjipti dhe 6 nga Bangladeshi, por që me vendim të gjykatës italiane ata pas 3 ditësh u rikthyen në vendet e origjinës. Ndërsa e njëjta situatë ndodhi edhe me 8 emigratët e tjerë që mbërritën me 8 Nëntor të vitit të kaluar, ku sërish gjykata italiane vendosi ti kthejë mbrapsht.
Gjykatat italiane nuk aprovuan qëndrimin e emigrantëve në Shqipëri, pasi vendet e origjinës së tyre si Bangladeshi dhe Egjipti, nuk u konsideruan si të sigurta në të gjithë territorin e tyre nga Gjykata e Romës.
Më pas, qeveria italiane nxori një dekret të veçantë për përcaktimin e vendeve të sigurta, por që nuk u mor parasysh nga gjykata.
Në 30 Dhjetor 2024 ishte Gjykata e Kasacionit që i dha të drejtë Kryeministres Meloni e cila deklaroi asokohe se secili shtet ka të drejtë që të këtë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta.
Për këtë çështje pritet të shprehet edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Klan News