Policia e Tiranës ka shoqëruar 29 persona në përpjekje për të zbardhur vrasjen e Elton Çiçës, mbrëmjën e të dielës në Tiranë. Konfirmohet vetëm arrestimi i njërit prej tyre me akuzën e prishjes së vendit të krimit. Ky ishte personi që shoqëronte viktimën, por identiteti i tij nuk bëhet i ditur.
Blutë thonë se kanë shoqëruar Elton Imerin, të cilit iu bë atentat me eksploziv në makinën e tij, 8 Dhjetorin e vitit të kaluar.
Vëllai i tij ishte pjesë e grupit që grabiti prindërit e Elton Çiçës. Ai aktualisht ndodhet në burg për këtë ngjarje.
Imeri është shoqëruar orët e para të mëngjesit të së hënës në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për krimin.
Policia është tepër e rezervuar në dhënien e detajeve se çfarë ka deklaruar ish-ushtaraku para hetuesve.
Burimet nga policia e kryeqytetit thonë se janë shoqëruar edhe tre të rinj nga qytetit i Laçit.
Ata janë kushërinj të Robert Ramës, i cili u vra 11 Qershorin e kaluar në Durrës,në zonën e Kënetës.
Shoqërimi i tyre është bërë për shkak të dyshimeve se Elton Çiça është vrarë për hakmarrje.
Tv Klan