Dy pacientë të paralizuar ia kanë dalë të përshkojnë distanca të shkurtra dhe të ngjisin shkallët sërish pas vendosjes së elektrodave në trurin e tyre.

Të dy kanë pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe duhej të përdornin karrigen me rrota përpara operacionit.

Për herë të parë, kirurgët përdorën një teknikë të quajtur stimulimi i thellë i trurit për të “rizgjuar” fibrat e fjetura nervore në shtyllën kurrizore dhe për të rikthyer kontrollin e muskujve të këngës.

54-vjeçari Wolfgang Jaeger theu shtyllën kurrizore gjatë një aksidenti në vitin 2006 ndërsa bënte ski.  Me vendosjen e elektrodave dy vite më parë, ai ka punuar fort me fizioterapistët për të rikthyer lëvizjen e gjymtyrëve.

“Nëse dua, mund të eci pak apo të ngjitem e zbres shkallëve, ose nëse më duhet diçka në kuzhinë ku më duhet të ngrihem në këmbë, mund ta bëj. Teknologjia po përmirësohet gjithnjë e më  shumë. Mendoj se në të ardhmen nuk do të na duhen më karrigia me rrota”, tha ai për Sky News. “Është rrugë e gjatë, por mendoj se ëndrra realizohet”.

Kjo risi erdhi pasi neuroshkencëtarët e the Sëiss Federal Technology Institute në Luzanë përdorën Inteligjencën Artificiale për të bërë një hartë të neuroneve të trurit që ndihmojnë brejtësit për të ecur. Aty zbuluan se hipotalamusi lateral që ka të bëjë me eksitimin dhe motivimin, kishte rol edhe te ecja.

Pas testeve të suksesshme te brejtësit, ekipi zviceran implementoi elektrodat te pacientët. Metoda përdoret për të kontrolluar dridhjet te pacientët me Parkinson dhe aplikohet kur ata janë zgjuar. Vetëm kështu kirurgët mund të sigurohen se kanë gjetur pikën e duhur në tru dhe forcën e saktë të stimulimit.

Neuroshkencëtari që udhëheq ekipin, Gregoire Courtine u shpreh: “Kërkimi demonostron se truri e ka të nevojshme të rigjenerohet nga paraliza. Ne zbuluam si të prekim një pjesë të vogël të tij që nuk dihej se përfshihej te ecja në mënyrë që të aktivizonim lidhjet e mbetura nervore dhe të rrisnim rikuperimin neurologjik”.

Dy pacientët nuk u shëruan plotësisht dhe mund të përshkojnë vetëm distanca të shkurtra me një bastun. Por ekipi ka treguar se mundet që lëvizja të rikthehet duke vendosur implante në shtyllën kurrizore. Ata shpresojnë se duke stimuluar shtyllën dhe trurin në të ardhmen do të sjellë përmirësime dhe do t’i ndihmojë të ecin më shpejt e larg./tvklan.al