Udhëtimi i fundit i Blendi Fevziut ishte drejt Afrikës, në një nga pikat më strategjike të globit. Dy ditë në Xhibuti dhe një në Asmara, një udhëtim që ai e cilëson si “më të çuditshmin e jetës së tij”, pa mundësi komunikimi, pa internet dhe me shumë kufizime.
Në Asmara, shpjegon gazetari i ftuar në “Rudina” në Tv Klan, duhej treguar kujdes nëse vendosje të filmoje, por në Xhibuti problemi ishte edhe më i madh. Gjithçka niste me hyrjen disi të vështirë, sjelljen aspak mikpritëse ndaj gazetarëve dhe fshirjen e plotë të materialeve filmike.
Blendi Fevziu: Me pak kujdes, nuk duhet të filmoje vendasit në pjesën më të madhe, nuk duhet të të flisnin vendasit në video, në Asmara flas, nuk duhet të filmoje vendet e këqija, kurse në Xhibuti pata problem çdo sekondë. Më fshinë pjesën më të madhe të videove, që në momentin e parë që mbërrita pata njëherë problem për të hyrë sepse në bazë të ligjit unë duhet të hyja pa vizë, në bazë të rregullave të Xhibutit vetë duhet ta merrja vizën në kufi. Ata u bënë gati, pastaj befas më pyeti dhe unë bëra gabim, i thashë jam gazetar, më rrëshkiti dhe atë moment filluan të krijojnë probleme, më thanë “do kthehesh mbrapsht, nuk ke për të hyrë në Xhibuti”, telefonova një lidhjen time në Paris i cili mori ambasadorin e Xhibutit në Paris, pastaj ambasadori i Xhibutit ndërhyri.
Sapo hyri në Xhibuti kërkesa e parë e Fevziut ishte një udhëtim i shkurtër drejt kufirit me Somalinë, ku nuk mungoi një tjetër ngjarje e çuditshme.
Blendi Fevziu: Unë kur hyra gjeta një taksist te dera dhe i thashë më ço pak në kufi me Somalinë se pata shrpesë që do hyja në fshatin e parë somalez që është nja 12 km nga kufiri. Aty shkova, takova shefin e policisë dhe i thashë më kalo deri në anën tjetër të kufirit, te ai fshati, bëj një bisedë. Ai bëri një tentativë të vetën në fakt, nuk e lanë ushtarët somalezë sepse Somalia e mbronte në fakt me ushtri, jo me polici kufirin dhe tha “s’kam çfarë të të bëj, do të të kaloj kufirin somalez” sepse kufiri ishte mes dy postave të kufirit, “do të të kaloj aty sa të bësh një fotografi me tabelën e Somalisë”. I thashë ma bëj një video, atij, shefit të policisë sepse taksisti im s’lejohej të hynte brenda, ta kalonte postën e kufirit. Bëra një video, e ktheva 2-3 herë se ai nuk filmonte mirë, mbarova, bëra ca fotografi të miat, i dhashë dorën, pastaj sa bëra nja 5 km, erdhën nja dy makina të xhandarmërisë, “kthehu mbrapa”, tha, “ke filmuar kufirin”. I thashë po shefi i policisë ma bëri videon vetë. U kthyen, filluan investigimin “nga je”, pastaj më panë kartën e gazetarit, në fund fare kur e morën vesh që kisha hyrë me ndërhyrjen e ambasadorit të Xhibutit, s’kishin ç’bënin, më kthyen në hotel.
“Xhibuti është një nga vendet më horror që kam parë”, e përmbyll Fevziu rrëfimin e tij duke shtuar se nuk është një prej vendeve ku do kthehej për herë të dytë./tvklan.al