Herë pas herë sistemi diellor na ofron spektakle të jashtëzakonshme, që na bëjnë të mos harrojmë madhështinë e Universit.
Në Shkurt do të kemi mundësinë të shohim një tjetër rreshtim të planeteve me sy të lirë gjatë natës.
Rreshtimi planetar nuk është një shtrirje fizike në hapësirë, por më tepër një efekt perspektiv. Për shkak të orbitave të ndryshme të planetëve rreth Diellit dhe pjerrësisë së veçantë të boshtit të Tokës në lidhje me rrafshin e ekliptikës, mund të ndodhë që nga pozicioni ynë në Tokë, planetet të duken të renditur përgjatë një linje ideale në qielli.
Më 17 Shkurt Venusi, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni do të rreshtohen edhe njëherë, ku këtë herë do t’i bashkohet edhe Mërkuri i ‘pakapshëm’, duke përfunduar kështu shfaqjen qiellore të vitit 2025 që ka nisur që prej 21 Janarit.
Si dhe ku të vëzhgoni planetet?
Venusi dhe Saturni do të jenë ndër të parët që do të shfaqen menjëherë pas perëndimit të Diellit. Neptuni, nga ana tjetër, do të jetë pak më lart se të tjerët, por nuk do të mund të shihet me sy të lirë, kështu që iu duhet një teleskop. Planetet e tjera, si Jupiteri, Urani dhe Marsi, do të jenë të dukshme për syrin tonë, duke lëvizur gradualisht nga jugu në jugperëndim gjatë natës.
Ndërsa vëzhgimi i Mërkurit do të jetë pak i vështirë sepse duke qenë afër Diellit, do t’ju duhet një horizont dhe qiell i pastër.
Urani dhe Neptuni, dy planetet më të largët mbeten shumë të zbehtë për t’u dukur me sy të lirë dhe kërkojnë instrumente optike për identifikimin e tyre.
Si të njohim planetet?
Dallimi i një planeti nga një yll mund të duket i ndërlikuar, por ekziston një truk i thjeshtë dhe i pagabueshëm: vëzhgoni sjelljen e dritës së tyre. Planetet shfaqen si pika të ndritshme me një dritë konstante, ndërsa yjet vezullojnë dhe duken të pulsojnë për shkak të distancës së tyre të madhe dhe ndërveprimit të dritës me atmosferën e Tokës. Ky efekt i bën planetet të dallohen menjëherë edhe nga një vëzhgues që nuk ka përvojë.
Gjithashtu ka edhe disa aplikacione në celular që janë të ngjashme me një planetar dixhital që ju lejojnë të identifikoni me lehtësi planetet në qiell, të cilat ofrojnë informacion të saktë për vendndodhjen e tyre dhe kohën më të mirë për t’i vëzhguar.
Si për vëzhguesit ekspertë, ashtu edhe për ata thjesht kureshtarë, 17 Shkurti mund të jetë mundësia e përsosur për t’u magjepsur nga një ngjarje që nuk zhgënjen kurrë./tvklan.al