Janë bërë një vit nga protestat e dhunshme në Zveccan ku mbetën 93 ushtarë të KFOR-it të plagosur. KFOR-i ka kërkuar që faktet të vërtetohen dhe autorët të mbahen përgjegjës për këtë sulm.
Në reagimin nëpërmjet një komunikate komandanti i KFOR-it ka theksuar se guximi i ushtarëve të KFOR-it ka ndihmuar në stabilizimin e situatës dhe ka parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.
“Pas dhunës kemi dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ne kemi rritur patrullimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, tha Özkan Ulutaş – Komandant i KFOR-it.
Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi Policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë.
Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.
Më pas BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës për mosndërmarrjen e hapave për de-përshkallëzimin e situatës në veri.
Pas një kohe Kosova u pajtua që të ndërmarrë disa hapa ndër to edhe organizimin e peticionit për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri në mënyrë që t’i hiqen masat e vendosura nga BE.
Edhe referendumin për shkarkimin e kryetarëve aktual në katër komunat veriore e bojkotuan serbët.
Tani pas një viti vazhdojnë funksionin e tyre kryetarët shqiptarë, situata është më e qetë e posaçërisht pas sulmit të Banjkës derisa Kosova vazhdon të mbetet në masa të BE-së.
Tv Klan