KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, ka shtuar patrullimin e tij në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, pas sulmit që ndodhi të premten e javës së kaluar, më 29 nëntor.

Në njoftimin e lëshuar të KFOR-it thuhet se menjëherë pas sulmit janë rritur masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon.

“Komanda Rajonale Lindje (RC-E) mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë dhe logjistikës për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR e ka dënuar ashpër sulmin në tubacionin e ujit në Zubin Potok, duke thënë sulm pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës.

“Është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që përgjegjësit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e KFOR-it të datës 30 Nëntor.

Nga ky sulm nuk u raportua për ndonjë të lënduar. Të arrestuar janë tetë persona dhe janë konfiskuar një arsenal armësh.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti për sulmin në fjalë e ka akuzuar Serbinë. Deri tani dy prej të arrestuarve kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kanë nga një muaj paraburgim. /Klan Kosova