Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ngarkesa” janë asgjësuar rreth 900 kubikë dhe vazo me fidanë kanabisi në Shkodër.
Policia njofton se për rastin është arrestuar 24-vjeçari me iniciale N.N., i cili po transportonte me furgon kubikët me kanabis në aksin rrugor Hani i Hotit-Shkodër. Po ashtu, 3 të rinj të tjerë kanë rënë në pranga pasi janë kapur teksa monitoronin me automjet aksin rrugor ku kalonte furgoni për të shmangur shërbimet e policisë.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Qarkullimit Rrugor dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Shkodër, të mbështetur në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit N.N., 24 vjeç dhe N.N., 26 vjeç, vëllezër, të dy banues në fshatin Postribë, si dhe shtetasit S.L., 21 vjeç dhe I.L., 30 vjeç, vëllezër, të dy banues në Shkodër.”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./tvklan.al