Në vitin 2019, 57 shkencëtarë bashkë me ekuipazhin e tyre nisën një udhëtim 54-ditor në skajet më të largëta të Antarktidës. Misioni i tyre mbante emrin “Thwaites Glacier”, i cili në fakt është një bllok akulli me të njëjtën sipërfaqe sa Britania e Madhe e që ka nisur të shpërbëhet shumë shpejt. Njihet ndryshe edhe si ‘akullnaja e fundit’. Por jo vetëm kaq, konsiderohet si vendi më i frikshëm i globit. Ky vend enigmatik, ndodhet në skajet e largëta të detit Amundsen.
Sipas studimeve të kryera, Thwaites Glacier po shkrihet 8 herë më shpejt se në vitet 1990. 80 miliardë ton akull rrisin me 4% çdo vit nivelin e ujit në oqeane. Nëse kjo masë kolosale akulli do shkrihej, do shkaktohej kaos qoftë me nivelin e ujit, ashtu dhe me temperaturat.
Megjithatë shkencëtari Mathiue Morlighem ka deklaruar së fundmi se Thwaites është “një fatkeqësi në lëvizje të ngadaltë”.
Shkrimtarja e njohur Elizabeth Rush ka po ashtu një version të sajin për këtë destinacion. Ajo ka qenë pjesë e udhëtimit të famshëm në 2019-ën, të cilin e dokumentoi përmes librit të saj “The Quickening”.
E kujton si një vend të largët, të ftohtë e të pavizituar kurrë më parë.
“Më ndryshoi perceptimin tim për botën dhe disa nga ekosistemet më të brishta që ekzistojnë”, shprehet ajo. Ajo thekson po ashtu se nuk do ta sugjeronte Antarktidën si destinacion turistik.
“Nuk mendoj se turizmi në këto vende të paprekura e të largëta duhet të kthehet në diçka normale. Por nga ana tjetër sa më shumë e shohim diçka, aq më shumë shtohet kureshtja e interesi. Personi i parë e pa Antarktidën 200 vjet më parë…Ky është një vend kaq i fuqishëm, nuk ka një të dytë të ngjashëm në planet. Çdo vend tjetër që shkoni ka histori për të treguar të para mijërave vjetëve. Thwaites Glacier nuk ka asgjë nga këto! Të shkakton një lloj habie e magjepsje, por duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet trajtuar si destinacion më vete”, tha shkrimtarja në një intervistë.
/tvklan.al