A e keni menduar ndonjëherë se pse Neandertalët apo Denisovans u zhdukën? Në këtë artikull do gjeni një përgjigje, falë studimeve të kryera në Francë.
Një grup studiuesish në Universitetin Aix-Marseille vendosën të analizojnë gjenomat e lashta për të kuptuar më shumë mbi evolucionin e Neandertalëve, Denisovans e deri te Homo Sapiensët. Është zbuluar se kur njerëzit e para 120 mijë viteve u larguan nga Afrika, qelizat e tyre të gjakut “pësuan” një evolucion të shpejtë. Kjo gjë i ndihmoi të mbijetonin, por nga ana tjetër u zhduk raca e Neandertalëve. Këta të fundit kishin një grup të veçantë gjaku që në ditët e sotme do të ishte “fatal” për të porsalindurit.
Në studimin e publikuar te “Scientific Reports”, thuhet se grupet e gjakut te njeriu karakterizohen nga proteina dhe sheqer, që quhen antigjenë, e që gjenden në sipërfaqe të qelizave të kuqe. Pjesa më e madhe e njerëzve sot kanë grup gjaku AB0, të tjerë A, B, AB, ose 0. Një tjetër antigjen është faktori Rh (proteinë), që shenjon grupin e gjakut “pozitiv” ose “negativ’.
Kështu që në ditët e sotme, duke e ditur cili nga 8 kombinimet e mundshme të grupit të gjakut njeriu ka, kryhen edhe transfuzionet e gjakut. Por, qelizat e kuqe të gjakut ose eritrocitet janë shumë më të komplikuara se kaq. Ka me qindra antigjenë të tjerë të panjohur që “lundrojnë” në sipërfaqen e tyre, e po ashtu që bëjnë diferencën brenda qelizave.
“Neandertalët kishin një Rh në grupin e gjakut që është shumë e rrallë tek humanët e sotëm”, thotë studimi. Ky variant i Rh, që është RhD, një tjetër antigjen, nuk përputhet me variantet e gjetura tek Denisovans apo Homo Sapiensët. Përshembull, nëse një femër Neandertale do të sillte në jetë një fëmijë me një mashkull Homo Sapiens, atëherë me shumë mundësi fëmija do lindte me shumë probleme në tru ose nuk do mbijetonte.
Ekspertët nuk janë të qartë se pse shumica e njerëzve sot e kanë proteinën Rh në sipërfaqe të qelizave, ose disa të tjerë e kanë në sasi të pakët, por problem i madh do të ishte nëse një grua me Rh negative do të kishte fetusin me Rh pozitiv. Në këtë rast, sistemi imunitar krijon antitrupa që “sulmojnë” qelizat e gjakut të fetusit, duke bërë që fëmija të lindë me sëmundje. Sigurisht me avancimin e mjekësisë e pajisjeve, sot është e mundur që ky fenomen të trajtohet, por 100 mijë vite më parë kjo gjë ishte e pamundur.
Pra, Neandertalët kishin variante të përputhshme të Rh-së me njëri-tjetrin, por kjo gjë qëndroi e pandryshuar për 80 mijë vite të ekzistencës së tyre. Qelizat e tyre të gjakut nuk evoluan, ndërkohë që tek Homo Sapiensët ky proces njohu ndryshim në 15 mijë vite. “Mbase ka ndikuar mjedisi dhe klima euroaziatike”, thotë autorja e studimit.
Është krijuar bindja tashmë se kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja e zhdukjes së tyre!
/tvklan.al