Mëngjesin e kësaj të shtune në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar mjeku popullor Ylli Merja. Në këtë periudhë virozësh, ai dha për publikun disa këshilla se si mund të kalojmë gripin në kushte shtëpie.

Veçanërisht për fëmijët e vegjël nga 0-5 vjeç ai këshilloi se do të ishte më mirë që këto viroza t’i kalonin në shtëpi dhe jo në spital. Mes batutash ai e konsideroi familjen si vitaminën “F”, idealen për të kaluar gripin.

“Zgjidhja më e mirë është që këto trajtime të bëhen në familje, në shtëpi, aty ku dhe fëmija sidomos 0-5 ka të nevojshme vitaminën “F” (familjarët). Pra midis njerëzve ti e kapërcen shumë më lehtë.”

Për të shmangur ilaçet dhe medikamentet e ndryshme, Ylli Merja sugjeroi një metodë popullore e cila sipas tij do të ishte shumë e mirë për të kaluar gripin e ftohjen. Ky “ilaç” që nuk gjendet në farmaci mund të bëhet shumë lehtë në kushte shtëpie. Hap pas hapi mjeku tregon përgatitjen dhe efektet që ka ky “ilaç”.

“Nëse do të fusim ajër të thatë, prej sobave ose kondicionerëve do të fillojnë të na dëmtohen mushkërinë. E than, e vyshk atë sidomos kur jemi në gjumë dhe kemi fëmijë të vegjël. Ne i thajmë mukozën e hundës. Lagështira e ajrit bëhet shumë lehtë. Ne mund të marrim pak gjethe dafine dhe eukalipti, i vendosim në sobë dhe i lëmë të ziejnë 10 ose 15 minuta në këtë mënyrë ajo lagështira fillon që të rritet. Vendoset kjo ena me këto dy çajra ose mund të shtojmë dhe pak rigon. Do të ishte shumë mirë që tek ky çaji të hidhnim një lugë me limantos dhe dy lugë me sodë buke, aty do të dalin vrullshëm avuj nga tenxherja e cila e aromatizon plotësisht dhomën dhe njëkohësisht e ngop me lagështirë. Mund të marrim dhe pak vaj esencial të eukaliptit i cili zgjeron bronket dhe njeriu ndjehet mrekullisht mirë edhe pse ndodhet në një periudhë shtrëngate të viruseve.”/tvklan.al