Lidhur me temën se si duhet të veprojë një 16-vjeçare që ka mbetur shtatzënë, disa telefonuese të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ndanë eksperiencat e tyre personale. Një nënë nga Vlora tha se ajo e ka përjetuar këtë situatë me vajzën e saj.
Sipas rrëfimit, fillimisht vajza përjetoi një krizë për shkak të moshës së re sepse ndërkohë ndiqte edhe shkollën, por edhe për vetë nënën s’ishte e lehtë. Megjithatë, sot vajza është e lumtur krah të njëjtit person dhe me dy djemtë e saj ndonëse herë pas here shpreh keqardhje për rininë e pajetuar.
“Unë jam një nënë që më është martuar vajza shumë e vogël, 16 vjeç, 17 u bë nënë. E kam përjetuar shumë, shumë keq, edhe vajza, por do ti që doli shumë mirë kjo punë? Ka një djalë të mrekullueshëm, një bashkëshort shumë të mirë, të dy ishin moshatarë. Sot kanë 13 vjet mos gaboj. Të dy çunat janë rritur, por ajo kaloi një krizë të madhe sepse ishte shumë e vogël dhe unë si nënë nuk e përballoja dot mbylljen e vajzës, shkollimin e vajzës, duhet të shkollohej duke rritur çunin, duke u shkolluar vetë, kaloi një dramë. Ajo është një mësim shumë i madh si për nënën edhe për vajzën. Ajo sot është nënë me dy çuna dhe thotë gjithmonë “mami, nuk ia fal vetes. Prapë, jam e lumtur, por ajo rinia e vogël, ajo rinia që unë doja të ishte një përrallë për mua, unë e mbylla”. Është e lumtur sot, por si ne që jemi nëna, jemi gjyshe duhet t’i rrisim dhe t’u qëndrojmë afër, nuk është e shëndetshme që të martohen vajzat të vogla”, përfundoi telefonuesja./tvklan.al