Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se lufta në momentin më të errët të Gazës po shpaloset në veri të territorit.

“Teksa flasim, ushtria izraelite po e nënshtron një popullsi të tërë me bombardime, rrethime dhe rrezik të urisë,” tha Volker Türk.

Gjatë fjalës së tij, ai i bëri thirrje liderëve botërore që të veprojnë duke thënë se shtetet kanë për detyrë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, sipas Konventës së Gjenevës. Komentet e shefit të OKB-së për të drejtat e njeriut nuk u pasuan nga asnjë koment nga ushtria izraelite.

Nga ana tjetër, Izraeli pretendon se trupat e tyre kanë vrarë “qindra terroristë” dhe kanë evakuuar 45,000 civilë në Jabalia që kur u kthyen në zonë për herë të tretë më 6 Tetor me synimin për të ndaluar rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit atje.

Kjo vjen pasi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se ishte shumë i shqetësuar nga raportet se trupat izraelite kanë bastisur një nga spitalet e fundit funksionale në Gazën veriore.

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se OBSH kishte humbur kontaktin me spitalin Kamal Adëan në Beit Lahia, i cili ishte i tejmbushur me pothuajse 200 pacientë në mes të një ofensive izraelite në Jabalia aty pranë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi, tha se trupat izraelite kishin arrestuar pacientë, staf dhe njerëz të zhvendosur, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se forcat e saj po vepronin në zonë bazuar në inteligjencën “në lidhje me praninë e terroristëve”./tvklan.al