Kombet e Bashkuara kanë ripërsëritur njoftimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë duke e quajtur virusin mpox ose lia e majmunit një urgjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar pas rastit të pare që u zbulua në Suedi.
Zëvendës-zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Hag, u shpreh se ky virus ka pontecialin për t’u përhapur nëse nuk merren masa.
“Rritja e rasteve më linë e majmunëve në Republikën Demokratike të Kongos dhe një numër në rritje vendesh në Afrikë, përbën një emergjencë të shëndetit publik. OBSH po paralajmëron gjithashtu për potencialin e këtij virusi për t’u përhapur më tej nëpër vendet në Afrikë, dhe ndoshta jashtë kontinentit. OBSH ka lëshuar 1.45 milion dollarë nga fondi i emergjencave të OBSH-së për të frenuar këtë virus.”
Nga ana tjetër grupi global i vaksinave Gavi ka akorduar një fond deri në 500 milionë dollarë për blerjen e vaksinave në vendet e prekura nga lia e majmunëve në Afrikë. Gavi është gjithashtu në bisedime me prodhuesit e dy vaksinave mpox që përdoren gjerësisht, të prodhuara nga bavarezja Nordic BAVA.CO dhe KM Biologics.
Bavarian Nordic ka thënë se mund të bëjë 10 milionë doza deri në fund të 2025 dhe KM Biologics ka bërë gjithashtu të ditur se do të bashkëpunojë me OBSH-në sa më shumë që të jetë e mundur.
Ndërkohë, Gavi po koordinohet me vende si Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë 50,000 doza në dispozicion për dhurim. Megjithatë, Republika Demokratike e Kongos, e cila është prekur rëndë nga shpërthimi ka deklaruar se vendit i duhen 3 milionë doza vaksinash.
Ndërkaq Kina do të monitorojë njerëzit dhe mallrat që hyjnë në vend në lidhje me virusin për gjashtë muajt e ardhshëm. Mes të tjerash ministria e shëndetësisë e Pakistanit ka konfirmuar të paktën një rast të virusit me linë e majmunëve në një pacient që ishte kthyer nga një vend i Gjirit.
Klan News