Në 3 dekadat e ardhshme, popullsia e Shqipërisë ka të ngjarë të tkurret me 20%, ose më shumë. Kështu parashikon OKB, sipas së cilës vendi ynë është në mesin e 18 shteteve që do të përjetojnë rënie të popullsisë në 30 vitet e ardhshme.
“Sipas OBK, në zona si Shqipëria, emigrimi i lartë i grave në moshë riprodhuese mund të zvogëlojë numrin e lindjeve. Sipas projeksioneve, Shqipëria do të jetë shteti i parë në botë për rënien më të madhe të lindjeve të humbura për shkak të emigracionit”, raporton gazetarja Dorina Halili.
Për të ngadalësuar rënien e popullsisë, OKB rekomandon që në zonat me shkallë të lartë të emigracionit në vend të politikave që synojnë rritjen e niveleve të lindshmërisë, të krijohen më shumë mundësi për punë të denjë, si dhe të promovohet migrimi i kthimit.
Ndërsa në rang global, projeksionet e OKB tregojnë se popullsia e botës pritet të vazhdojë të rritet edhe për 50 ose 60 vjet të tjera, duke arritur një kulm prej rreth 10.3 miliardë njerëzish në mesin e viteve 2080, nga 8.2 miliardë në 2024-ën.
Ndërsa pas vitit 2080, popullsia globale parashikohet të fillojë të bjerë gradualisht duke shkuar në 10.2 miliardë njerëz deri në fund të shekullit. Plakja demografike, si dhe ulja e lindjeve do të bëjë që deri në vitin 2080, personat e moshës 65 vjeç e lart të tejkalojnë numrin e fëmijëve nën 18 vjeç.
Tv Klan