Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim homologun e saj maqedonas, Bujar Osmani. Ata zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Xhaçka deklaroi se të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë Ndërqeveritare.
“Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Ajo shtoi se në Shqipëri dhe Maqedoni janë hedhur hapa të guximshëm sepse populli beson tek perspektiva europiane. Ajo u shpreh se do të ishte keqardhje nëse ky besim i madh do të kthehej në zhgënjim për shkak të disa konsideratave subjektive të vendeve anëtare të BE-së.
“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne, pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv”, tha ministrja në deklaratën e përbashkët për shtyp.
Sipas Xhaçkës, anëtarësimi në BE i rajonit është kontribut i madh për sigurinë e vetë unionit. Po ashtu ajo shtoi se faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut është kontribut jetik në qeverisjen e vendit.
“Iniciativa 8”, Osmani i prezanton nismën Xhaçkës: Bashkëpunim RMV-Shqipëri-Bullgari
Të sukesshme e konsideroi Osmani këtë vizitë të tij dhe tha se shpreson që bashkëpunimi mes dy vendeve të intensifikohet.
Osmani u shpreh se RMV ka pasur mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, ndërsa tashmë aspiratë e dy vendeve mbetet integrimi në Bahskimin Europian. Ai shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë, që është një prej shtyllave për stabilitetin e të gjithë rajonit për Ballkanin sipas Osmanit.
Osmani i ka prezantuar Xhaçkës një iniciativë të re për bashkëpunim 3-palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe RMV-së.
“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona prej kohësh e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe janë bazë e themeleve të miqësisë stabile dhe afatgjatë. Besoj se është përtej interesave të dy vendeve tona dhe është një nga shtyllat për stabilitetin sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Qëllimet dhe interesat për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal janë të dyanshme. Si fqinj të afërt jemi drejtpërdrejtë interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga BE dhe SHBA, i cili në masë të madhe do të frymëzojë një impuls të ri të besimit në rajon. Kontributi ynë në bashkëpunimin rajonal është i sinqertë dhe i hapur, pa marrë parasysh sa flitet brenda procesit të Berlinit apo nga minishengeni rajonal. Në këtë drejtim pata nderin t’i prezantoj ministres nismën e re për bashkëpunim 3 palësh e cila buron nga vendi ynë. E ashtuquajtura iniciativa 8. Është një iniciativë e mirë që duhet të rinovojë mbështetjen politike, për projektet e infrastrukturës përgjatë korridorit 8 europian duke lidhur kështu Lindjen dhe Perëndimin e Ballkanit nga Adriatiku në Detin e Zi. Të tre vendet, RMV, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të vlefshëm për promovimin e bashkëpunimit tre palësh duke intensifikuar shkëmbimin e përgjithshëm politik ekonomik të sigurisë, atë kulturor dhe shoqëror që do të forcojë besimin mes qytetarëve tanë”.
Mes temave të diskutimit ka qenë edhe ai për forumin e Prespës për dialog si një mënyrë promovimi të multikulturalizmit në rajon dhe procesit të pajtimit si një sfidë e rëndësishme për të gjithë vendet e Ballkanit. Po ashtu mes dy diplomatëve është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e diasporës.
“Nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në fushën e diasporës, një sukses i dy qeverive për çka dua të shpreh mirënjohjen time në këtë drejtim”, tha Osmani./tvklan.al