Masë e nevojshme për t’i mbijetuar krizës
Në prag të çeljes së sezonit, operatorët turistikë të Pogradecit, kërkojnë lehtësi fiskale.
Zerimin e të gjitha taksave dhe tarifat vendore për periudhën e mbetur të këtij viti, e konsiderojnë si të vetmen mundësi për t’i mbijetuar krizës, në kushtet kur rezervimet e vendasve janë minimale, ndërsa të të huajve janë anuluar deri në shtator.
“Nëse vjet në Maj ne i kishim të mbyllura rezervimet për Korrikun dhe Gushtin, sivjet janë shumë pak rezervime. Të gjitha rezervimet me të huajt janë kanceluar që dy muaj para. Si të gjitha bizneset edhe hoteleri turizmi është në një krizë. Është një kosto shumë e madhe që do dojë kohë të rekuperohet. Edhe për muajin që jemi u zeruan tarifat për të gjitha bizneset në Pogradec, edhe taksat e tarifat e tjera që ishin për 60 ditë janë reduktuar në 45 ditë. Mirë do ishte që për 2020 të përjashtohen taksat për bizneset”.
Bashkia e Pogradecit i është përgjigjur kësaj kërkese, duke i përjashtuar operatoret turistike nga taksat vendore edhe për muajin maj. Por ajo e vlereson të pamundur heqjen e tyre deri në fund të vitit, pasi bizneset i sigurojnë buxhetit një pjesë të rëndësishme të të ardhurave.
“Baret e restorantet janë falur tarifat vendore. Nga Janari në Mars,Pogradeci ka patur zhvillim normal dhe për atë periudhë normalisht është paguar. Në do të krijojmë hapësira dhe mundësi që Pogradeci në muajt e verës të ketë një sezon të mirë turistik. Rreth gjysma e të ardhurave të buxhetit total vjen nga biznesi dhe tarifat e banorëve, nëse kjo do ulej do pengoheshin investimet dhe kjo është maksimumi që mund të bëjmë”.
Këshilli bashkiak ka rishikuar gjithashtu mënyrën e tarifimit për hapësirat dhe plazhet publike. Pjesa më e madhe e hapësirës së plazhit në Pogradec këtë verë do të jetë publike, ndërsa bashkia ka pastruar dhe sistemuar më shumë se 4 km vijë bregliqenore.
Tv Klan