#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
I ftuar: Nicholas Abbott
Ambasadori britanik në Tiranë Nick Abbott vjen këtë të martë me një intervistë të veçantë në studion e “Opinion” në televizionin Klan. Ai ka ardhur në vendin tonë pas një karriere rreth 4-vjeçare në Prishtinë. Një njohës i mirë i shqiptarëve, ai ka mbërritur në “Opinion” dhe ka dhënë intervistën e tij të parë. Nick Abbott diskuton problematikat dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Britanisë.
Ambasadori Abbott: Ka një rënie me 95% të shqiptarëve që shkojnë në Britani me gomone
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott u shpreh gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ka një rënie me 95% të shqiptarëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me gomone. Sipas tij puna e madhe mes dy qeverive dhe agjencive të përfshira ka sjellë ndryshim.
Blendi Fevziu: Mendoj se janë dy çështje me rëndësi shumë të madhe për marrëdhëniet tona përveç marrëdhënieve normale të përditshme: emigrimi dhe krimi i organizuar. Si është situata me emigrimin tani?
Nicholas Abbott: Ajo që kemi parë…
Blendi Fevziu: Ka qenë një temë që ka dominuar mediat. Gomonet me shqiptarët të cilët kalojnë nga Franca në Britaninë e Madhe.
Nicholas Abbott: Patjetër që ka qenë lajm që bërë bujë. Gjatë dy viteve të fundit kemi parë një rënie të vërtetë të shqiptarëve të cilët shkojnë në Britaninë e Madhe me gomone. Është një rënie prej rreth 95% në krahasim me dy vite më parë.
Blendi Fevziu: Ulje me 95%?
Nicholas Abbott: Po.
Blendi Fevziu: Po çfarë ndodhi?
Nicholas Abbott: Mendoj se përgjigja është puna e madhe e bërë. Puna e madhe e bërë midis dy qeverive, puna e madhe midis agjencive tona të ndryshme të përfshira në këtë çështje dhe kjo ka sjellë një ndryshim të vërtetë praktikë.
Blendi Fevziu: Po ashtu unë mendoj se ne kemi një komunitet të madh shqiptarësh në Londër, sidomos në Londër por edhe në vende të tjera të Mbretërisë së Madhe. Çfarë roli ka patur komuniteti shqiptar aty?
Nicholas Abbott: Mendoj se duhet të kini parasysh se personat e përfshirë me emigracionin e parregullt në Mbretërinë e Bashkuar janë pakicë. Shumica e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë jetë normale.
Blendi Fevziu: Po.
Nicholas Abbott: Punojnë në sektorin privat, në sektorin publik… Kanë një jetë si e jotja dhe e imja dhe japin kontributin e tyre në ekonomi dhe në shoqëri. Këtë e di edhe miqtë që kam në Mbretërinë e Bashkuar, miqtë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Njerëzit janë…
Blendi Fevziu: A janë të mirëintegruar personat nga komuniteti shqiptar? Nuk flas vetëm për shqiptarët e Shqipërisë por edhe shqiptarët e Kosovës…
Nicholas Abbott: Janë shumë të integruar. Mund të vë në dukje individë të ndryshëm të cilët punojnë në fushën e mjekësisë, apo atë bankar, apo atë të artëve. Të gjithë këto bëjnë pjesë në atë për të cilën bën fjalë Mbretëria e Bashkuar. Pra, janë duke dhënë kontribut shumë pozitiv. Thënë kjo, ka edhe shqiptar të cilët janë të përfshirë në aktivitet të paligjshëm.
Blendi Fevziu: Aktivitete të paligjshme dhe kjo mendoj unë se është problemi më i madh. Organizatat shqiptare të krimit të organizuar mendoj se janë shumë të mirëorganizuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka shuma të mëdha parash të gjeneruara nga këto aktivitetet e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar të cilat investohen në Shqipëri. Po bëni ndonjë gjë me qeverinë në këtë drejtim?
Nicholas Abbott: Po. Sigurisht që jemi duke bërë. Kjo sigurisht që është e lidhur me punën e përditshme të një sërë punonjësish në ambasadën tonë këtu dhe një serë personash në Mbretërinë e Bashkuar. Jemi duke i kushtuar vëmendje Shqipërisë. Siç e dini kemi nënshkruar, gjatë qeverisë së kaluar, një marrëveshje bashkëpunimi vitin e kaluar dhe kjo ka krijuar një partneritet i cili është i vërtetë dhe operacional. Punojmë së bashku për tu siguruar se siguria në Mbretërinë e Bashkuar dhe siguria në Shqipëri të përmirësohet. Kjo përfshin një mori çështjesh. Nuk dua që publiku të mendoj se ka të bëj vetëm me ndjekjen e kriminelëve.
Blendi Fevziu: Jeni i kënaqur me bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në këtë drejtim?
Nicholas Abbott: Lejomëni që të jem i sinqertë…
Blendi Fevziu: Duhet të jeni i sinqertë…
Nicholas Abbott: Bashkëpunimi është shumë herë më mirë nga ç’mendoja se do të ishte. Jemi shumë më pranë. Javën e kaluar patëm takimin tonë të parë mbi dialogun me qeverinë shqiptare për çështje të krimit të organizuar. Aty u zhvilluam diskutime të sinqerta midis dy palëve. Si diplomat më ndodh të shkoj nëpër takime dhe të kem ndjesinë sikur njerëzit janë të detyruar të thonë disa gjëra të caktuara por ky nuk ishte rasti te takimi i javës së kaluar. Ky ishte një diskutim i hapur dhe i drejtpërdrejt lidhur me punën që bëjmë me njeri tjetrin, dhe cilat janë objektivat tona të përbashkëta.
Ambasadori britanik për “Opinion”: Ka ndryshuar perceptimi ndaj shqiptarëve!
Në një intervistë ekskluzive për “Opinion”, ambasadori britanik Nicholas Abbott flet për punën e tij në Shqipëri, të cilën e nisi vetëm 5 muaj më parë. Teksa thekson se bashkëpunimi i deritanishëm me qeverinë shqiptare ka shkuar më mirë nga se e priste, Abbot komenton edhe protestën e shqiptarëve dy vite më parë në Londër. Sipas tij, ajo periudhë ishte e vështirë për Mbretërinë e Bashkuar për shkak të fluksit të emigrantëve.
Blendi Fevziu: Përpara pak vitesh, le të themi para 2 vitesh, kishte disa ndjesi anti-shqiptare brenda shoqërisë britanike. Besoj e mbani mend protestën e shqiptarëve në zemër të Londrës…
Nicholas Abbott: E mbaj mend…
Blendi Fevziu: Duke thënë se ne jemi pjesë e këtij shteti, ne e kemi ndihmuar këtë vend dhe kemi ndihmuar edhe vendin tonë po ashtu. Pse kanë qenë këto ndjesi?
Nicholas Abbot: Mendoj se ka qenë një periudhë shumë e vështirë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të rritjes së madhe në emigrantëve të parregullt që vinin në Mbretërinë e Bashkuar me gomone.
Ambasadori shtoi se sot qeveria britanike po punon për politika më të favorshme ndaj emigrantëve, por nënvizon faktin se duhet ndjekur gjithnjë rruga ligjore për të jetuar atje.
Nicholas Abbot: Dhe njerëzit ishin të pasigurt se si të sillen kundrejt kësaj çështjeje. Tanimë ne kemi një qeveri të re e cila dëshiron që ti adresojë këto çështje në mënyrë afatgjatë dhe po shqyrton për zgjidhje novatore dhe krijuese për të zgjidhur çështjen.
Blendi Fevziu: Por ambasador, mendoj që shumë njerëz duke ndjekur lajmet dhe duke dëgjuar nëpër lajme se Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për punëtorë, shoferë, njerëz që do të bëjnë punët e përditshme sepse kanë nevojë për njerëz të tillë, thonë pse të mos i bëjmë ne këto punë, për shembull?
Nicholas Abbott: Përgjigja është se ka mënyra të ligjshme për ta bërë këtë gjë.
Blendi Fevziu: Por a është e lehtë?
Nicholas Abbott: Jo. Asnjëherë nuk ka për të qenë e lehtë. Nuk jetojmë në një botë ku gjëra të tilla janë të lehta…
Blendi Fevziu: Por është e mundur.
Nicholas Abbott: Por është e mundur. Pa diskutim.
Blendi Fevziu: Cila është rruga që mund të ndjekin për ta bërë këtë gjë?
Nicholas Abbott: Sigurisht që të duhet të aplikosh për një vizë të rregullt pune për në Mbretërinë e Bashkuar, duhet të dëshmosh se e ke një mundësi aty, dhe më pas duhet të kalosh një proces të caktuar. Jam përfshirë edhe në Kosovë në mundësi të tilla. Pra është e mundur që ta bësh, por nuk jam duke thënë se është e lehtë. Por është e mundur që ta bësh.
Abbott thotë se perceptimi ndaj shqiptarëve në vendin e tij ka ndryshuar shumë, sidomos dy vitet e fundit.
“Mendoj se të dyja palët kanë bërë përpjekje për ti ndryshuar këto perceptimet dhe këtë mund ta shikojmë nga numri i lartë i turistëve britanik që vizitojnë Shqipërinë”, tha ai.
Ambasadori britanik: Brenda 2023-it kthyem 6000 persona në Shqipëri!
Ambasadori britanik në Shqipëri Nicholas Abbott foli sonte në studion e “Opinion” edhe për marrëveshjen mes dy vendeve për transferimin e të burgosurve. Sipas marrëveshjes, shqiptarët e dënuar me vendim të gjykatave britanike mund ta vuajnë dënimin e tyre në burgjet shqiptare. Ai theksoi se aktualisht objektivi është të transferohen 200 të burgosur.
–Ambasador, një tjetër problem ka qenë marrëveshja midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për rikthimin e të burgosurve të cilët janë dënuar me vendime të gjykatave Britanike. Këta të dënuar mund të sillen në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tyre. Si po shkon kjo marrëveshje?
Nicholas Abbott: Doja t’jua thoja. Për mua kjo nuk përbën ndonjë problem. Kjo është një situatë ku të dyja shtetet kanë gjetur një zgjidhje e cila funksionon për të dyja. Pra, ne e kemi një marrëveshje për transferimin e të burgosurve…
– Sa të burgosur janë transferuar?
Nicholas Abbott: Tani për tani kemi një objektiv prej 200.
-200?!
Nicholas Abbott: Jemi duke punuar në këtë drejtim. Nuk po them se jemi pranë arritjes së këtij numri, por ajo që kemi zbuluar gjatë muajve të fundit është një proces shumë me efikas dhe po punojmë duke lëvizur më shumë njerëz nga ç’bënim në fillim të vitit. Në të njëjtën kohë kemi një proces shumë të mirë për rikthimin e personave të cilët hynë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Mendoj se brenda 2023 kthyem diku te 6000 persona në Shqipëri.
Mendoj se duhet të jemi të sinqertë. Ndjekja e një rruge të paligjshme për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar është e rrezikshme dhe e vështirë. Fatkeqësisht ka persona të cilat shpenzojnë shuma të mëdha parash për ta bërë diçka të tillë. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të ndryshojmë shtysat e kësaj. Duam të shikojmë se çfarë mund të bëjmë ne si Mbretëri e Bashkuar këtu në Shqipëri që t’i ndihmojmë ata të qëndrojnë këtu. Kemi bërë punë të madhe në veri të Shqipërisë…
A është e interesuar Britania për marrëveshje me Shqipërinë për emigrantët? Si përgjigjet ambasadori
Këtë të martë ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion” ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott.
Ai u pyet nga gazetari Blendi Fevziu në lidhje me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, model që është parë edhe nga pala britanike si opsion.
Por ambasadori u shpreh se Britania nuk është e interesuar që të ketë të njëjtën marrëveshje si me Shqipërinë për këtë çështje.
Ai tha se Londra zyrtare është e interesuar për shembullin që ofron marrëveshja, por nuk është fiks ajo që dëshiron dhe për këtë arsye po shikon mënyra të ndryshme për të adresuar çështjen.
Blendi Fevziu: Do ju pyes për turistët britanik më vonë, por më parë dua t’ju pyes për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë lidhur me emigrimin dhe ndërtimin e kampit të emigrantëve në Gjadër. Kjo marrëveshje, ky model midis Shqipërisë dhe Italisë është parë nga pala Britanike si një opsion, si një shembull, por hapat e radhës në adresimin e emigrimit të parregullt. A jeni vërtet të interesuar për të pasur të njëjtën marrëveshje me Shqipërinë?
Nicholas Abbott: Mendoj se përgjigja është jo.
Blendi Fevziu: Përgjigja e vërtet është jo.
Nicholas Abbott: Po, kam shumë spekulime mediatike për këtë çështje.
Blendi Fevziu: Po.
Nicholas Abbott: Siç ju thashë qeveria e re në Mbretërinë e Bashkuar do të shikojë për mënyra të reja novatore për ti qasur çështjes. Çka përmendët është një qasje e ndërmarrë nga Italia dhe Shqipëria dhe sigurisht që ne jemi të interesuar në këtë shembull. Kjo nuk do të thotë ama se kjo është fiks çfarë ne dëshirojmë. Jemi duke parë për mënyra të ndryshme për të adresuar çështjen.
“300 mijë turistë britanikë në Shqipëri”, Abbott: Kukësin e vizitoj çdo muaj!
Përpos perceptimit ndryshe, qasja pozitive e britanikëve ndaj vendit tonë është vënë re edhe tek numri rekord i vizitorëve në Shqipëri. Në një intervistë për “Opinion”, ambasadori britanik Nicholas Abbot tha se vetëm vitin e kaluar ka pasur 300 mijë turistë nga Mbretëria e Bashkuar.
Blendi Fevziu: Ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë nëpërmjet turizmit?
Nicholas Abbot: Mendoj se turizmi e bën diçka të tillë. Po ashtu luajtët shumë mirë edhe te kampionati evropian. Edhe kjo e pati një ndikim. Mendoj se ka mjaft gjëra pozitive. Ky është pozitiviteti që përshkrova kur më pyetët për Shqipërinë. Gjallëria, rinia, kreativiteti. Kjo nuk është vetëm te arkitektura por edhe te mënyra se si njerëzit duan ti bëjnë gjërat dhe duan të jenë ndryshe. Më pyetët më parë për ndryshimin midis Kosovës dhe Shqipërisë…
Blendi Fevziu: Nëse do të flisnit jo si ambasador, por si një turist, çfarë keni vizituar në Shqipëri?
Nicholas Abbott: Nuk kam vizituar mjaftueshëm është përgjigja e qartë.
Blendi Fevziu: Asnjëherë shumë mjaftueshëm…
Nicholas Abbott: Sigurisht që kam shkuar në Vlorë, kam shkuar në veri. Kukësin e vizitoj çdo muaj. Kemi qenë në Durrës. Por mezi pres për pushimet e ardhshme. Po planifikojmë të kalojnë Vitin e Ri në Sarandë. Ky është një vend që duhet vizituar. Mezi po pres të vizitoj Butrintin.
Blendi Fevziu: I cili është një prej vendeve më të mirë që mund të vizitohen në të gjithë botën…
Nicholas Abbott: Po. Berati, Gjirokastra po ashtu.
Blendi Fevziu: Duhet të pini edhe një kafe në Maldivet e Shqipërisë, në Ksamil sepse janë shumë popullore edhe nëpër mediat britanike.
“Non grata” në Britani, ambasadori për “Opinion”: Ka disa kushte që ndiqen, nuk janë gjëra që politizohen
Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, iu përgjigj edhe pyetjes për shpalljen “non grata” të disa qytetarëve, mes tyre Sali Berishës.
Ai tha se për t’u ndaluar hyrja në Britani ka një proces ligjor ku disa kushte duhet të ndiqen dhe nuk janë gjëra që politizohen.
Blendi Fevziu: Ambasador, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur se disa qytetarë janë të ndaluar të hyjnë në Mbretërinë e Madhe. Pse është marrë ky vendim? Do të zgjerohet lista? Pyetja e tretë lidhet me liderin e opozitës në Shqipëri dhe ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Le ta nisim nga pyetja e parë, pse kjo listë? Pse është marrë ky vendim?
Nicholas Abbott: Mbretëria e Bashkuar, ashtu si Shqipëria, do të sigurohet se ne duam të mbrojmë sigurinë tonë, se ka transparencë për sa i përket sundimit të ligjit.
Blendi Fevziu: Kjo vlen edhe për shtetet e tjera?
Nicholas Abbott: Edhe për shtetet e tjera…
Blendi Fevziu: Në listë ka njerëz edhe nga shtete të tjera?
Nicholas Abbott: Ky nuk është një proces nëpërmjet të cilët targetojmë persona vetëm nga Shqipëria. Ka edhe njerëz në shtete të ndryshme ku ne shikojmë çështje të ndryshme dhe marrim vendim për to.
Blendi Fevziu: Kjo ishte lista e parë. Ju nuk e bëni listën publike por zoti Berisha, kreu i opozitës dhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë tha se i është shpallur ndalim hyrje në Mbretërinë e Bashkuar. Pse Berisha?
Nicholas Abbott: Siç ju thashë, nuk është rutinë që ne të komentojmë mbi çështje individuale. Këto janë procese ligjore, nuk janë gjëra që politizohen. Ky është një proces ligjor ku ka disa kushte të cilat ndiqen. Qartazi, në këtë rast, është ndikuar një individ. Siç ju thashë, ne nuk duam të targetojmë individë të caktuar.
Blendi Fevziu: Por a keni ndonjë listë tjetër e cila do të shpallet se shpejti?
Nicholas Abbott: Mua më duket sikur njerëzit besojnë se ekziston një listë sekrete. Kjo nuk ka të bëjë me lista, por me procese dhe shqetësimet tona.
Blendi Fevziu: Por të gjithë këtu flasin për lista.
Nicholas Abbott: Këtë “listë” nuk e kam te xhepi i pasmë.
Blendi Fevziu: Nuk e keni…
Nicholas Abbott: Nuk e kam në xhep.