#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Klodiana Lala, Spartak Koka, Fatjona Mejdini, Besfort Lamallari
SPAK ka nxjerrë një numër të madh urdhër-arrestesh për më shumë se 50 persona. Është bërë e mundur zbardhja e një serie ngjarjesh kriminale një pjesë e të cilave janë diskutuar në shumë televizione, por një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë të qëndrojnë mister. Grupet kriminale nga SPAK janë kapur jo nëpërmjet dëshmive por nëpërmjet mesazheve në kohë reale në aplikacioni “Sky”. Ky “libër i hapur” i cili të kthen pas në shumë momente nga më tronditëse të botës së krimit do të jetë në qendër të diskutimeve këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
“Enver Stafuka i shkoi me Kuran në dorë dhe i bëri be”, gazetarja tregon pse Shullazi kërkonte “kokën” e Durim Bamit
Hetimi i SPAK që goditi disa grupe kriminale ka nxjerrë zbuluar aleancat e tyre për të goditur njëri-tjetrin. Një prej personave që kërkohej të vritej është edhe Durim Bami. Pas tij ishte vënë edhe Emiljano Shullazi. Por pse nisi ky i fundit të kërkonte “kokën” e tij?
Gazetarja Klodiana Lala na tregoi disa detaje të tjera në lidhje me këtë dosje. Fillesat janë në atentatin që i është bërë Shullazit në fillim të vitit 2016.
Ka qenë Enver Stafuka, i zhdukur prej disa vitesh dhe shoku i Gentjan Bejtjes tashmë i ekzekutuar, që sipas gazetares Lala, i ka shkuar me Kuran në dorë Shullazit ku i është betuar që nuk e ka tradhtuar, por ka qenë Durim Bami që i ka kërkuar të dalë të godasë personat që ndodheshin në një makinë.
“Nga ana tjetër Durim Bami duke e ndjerë rrezikun dhe duke e ndjerë që edhe Gentjan Bejtja, një mik i tij, ishte atashuar pranë Arben Ndokës vendos [ta eliminojë]. Gentjan Bejtja, për ta sqaruar për opinionin publik ishte shoku i ngushtë i Enver Stafukës dhe Enver Stafuka u zhduk. Në 2016, më 5 Janar Emiljano Shullazit i bëhet atentat bashkë me një mikun e vet. Në atë kohë Emiljano Shullazi nuk dyshonte dhe i kërkoi Enver Stafukës t’i tregonte kush e kishte tradhtuar. Enver Stafuka shkoi në spital dhe i bëri be me kanun në dorë. Dhe i tha: Këtu është Kurani, unë nuk të kam tradhtuar. Më tha Durimi [Bami] dil dhe qëllo këtë makinë. Atëherë Emiljano [Shullazi] prandaj u përplas me Durim Bamin. Tani në krahun e Arben Ndokës për të vrarë Durim Bamin kalon edhe Gentjan Bejtja, shoku i Enver Stafukës, pasi ata dyshonin që mund ta kishte tradhtuar Durimi, kalon edhe vëllai i Enver Stafukës, Naim Stafuka që është arrestuar. Nuk arrijnë dot ta realizojnë këtë gjë. Nga ana tjetër Bami mblodhi rreth vetes vëllezërit Duka, Marklen Hakën sepse e kishte akoma mik dhe Endrit Doklen dhe ka bërë pjesë edhe Xhelal Rrajën, vëllain e ish-0deputetit socialist Rrahman Rraja”, tha gazetarja Lala.
Kompleksi i Troplinit “pikëtakimi”? Habit Lala: Aty kanë hyrë personazhe të jashtëzakonshëm të politikës
Një pikë që sipas gazetares Klodiana Lala, do “zbërthejë” shumë mistere të bandave kriminale në vend është kompleksi i Fatmir Troplinit në Shkozet të Durrësit. Nipi i këtij të fundit është Ervis Doçi, i njohur me nofkën “Visi i Pojës”.
Këtë të Hënë në “Opinion”, Lala tha se në këtë biznes kanë hyrë personazhe të jashtëzakonshëm të botës së krimit dhe jo vetëm. Ajo theksoi se SPAK zotëron pamje filmike që do nxjerrin zbuluar lidhjet mes bandave kriminale dhe politikës.
Klodiana Lala: Troplini është në përplasje shumë të forta me Shullazin sepse ai i vuri gjobë para shumë vitesh, ai nuk e pagoi…Dhe në kundërpërgjigjie u vra shoku i ngushtë i Emiljano Shullazit, Edison Harizaj ose “Edison Faqedjeguri”. Në gjithë këtë histori, është interesante që në gjithë kompleksin e Troplinit është marrë DVR-ja, në informacionet që SPAK ka, në atë biznes, vilë quaje si të duash, rezulton të kenë hyrë personazhe nga më të jashtëzakonshmit.
-Çfarë personazhesh?!
Klodiana Lala: T’ja lëmë SPAK-ut. Përfshirë dhe politikën. Krimi nuk diskutohet! Personazhe nga më të jashtëzakonshmit. Në zonën e Shkozetit, të paktën 2 km e zonës janë të monituara nga kamerat.
Kujtojmë se dy ditë më parë, në lokalin e Doçit, u gjetën plot 3 milionë euro nga aksioni i SPAK dhe forcave RENEA.
Rrjedhje informacioni për operacionin e SPAK? Zv/ministri e mohon: Policëve ju hoqën edhe celularët
Një tjetër goditje ndaj krimit. Në operacionin e fundit të SPAK pas zbërthimit të aplikacioneve të enkriptuara u goditën disa grupe kriminale të fuqishme të cilat kishin si synim goditjen e njëra-tjetrës dhe duke sjellë në këtë mënyrë disa aleanca mes krimit që nuk ishin menduar më parë.
Ajo që bën përshtypje është fakti se një pjesë e madhe e personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhër-arrest, nuk janë vënë dot në pranga duke u shpallur në kërkim. Kjo hedh dyshimet se mund të ketë pasur një rrjedhje informacioni në lidhje me këtë aksion.
Këtë pyetje ia drejtoi këtë të hënë gazetarja Klodiana Lala zv/ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari gjatë emisionit “Opinion”. Ky i fundit tha se edhe pse mendja të shkon fillimisht aty, Policia e Shtetit për këtë operacion ka pasur vetëm vendimin e gjykatës pa aktakuzën në dorë.
Po ashtu, ata nuk kanë qenë me telefona, por të monitoruar nga prokurorët e SPAK për ekzekutimin e masave të sigurisë. Prandaj ai theksoi se nuk mendon që në fazën e operacionit të SPAK të ketë pasur dekonspirim.
Klodiana Lala: Klodian Shahini dhe Henrigert Mitri kanë qenë të dy në detyrë dhe në informacionet që unë kam, Klodian Shahini është vëzhguar ditën përpara se të ndërmerrej operacioni. Si e shpjegoni faktin që i ka shpëtuar arrestimit? Ka qenë duke ardhur nga Dibra në drejtim të Tiranës, ka qenë në detyrë ndërkohë në orën 03:00 të mëngjesit kur policia ka vajtur në shtëpinë e vet është zhdukur. Dyshoni ju për një rrjedhje të operacionit në rastin konkret sepse të dy kanë qenë në detyrë.
Besfort Lamallari: Shiko, mendja të shkon fillimisht tek rrjedhja e informacionit, pra nga dekonspirimi i informacionit nga policia. Ajo çfarë mund të them me siguri është që në momentin që ka nisur operacioni, policisë i janë vënë në dispozicion masat e arrestit, pra vendimet e dispozitivit të gjykatës, pa të dhënat e tjera, jo aktakuza. Që do të thotë që nuk ka aty hapësirë për ndarjen e informacionit. Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm. Nga 50 OPGJ të vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me 30 oficerë të policisë gjyqësore të BKH-së, të monitoruar, pra të mbikëqyrur nga prokurorët e SPAK, u janë hequr dhe nuk kanë pasur telefonat, kështu që nuk ka rrjedhje të informacionit në fazat e zhvillimit të operacionit nga SPAK. Ajo që me të drejtë edhe mund të mendojë çdokush është se duke qenë se këta persona kanë qenë në komunikime me grupet kriminale, të cilëve u është nënshtruar kontroll i vendbanimeve të tyre, të cilët duke kuptuar se ku po bëhen këto kontrolle mund të jenë alarmuar.
Sa i përket personave që nuk janë arrestuar, Lamallari tha se një pjesë e madhe rezultojnë shumë kohë më parë jashtë vendit. Po ashtu ai tha se është çështje ore që të vihen në pranga të tjerë persona që ndodhen në kërkim jashtë vendit.
1.5 hektarë hapësirë mes shtëpive! Arkitekti i projektit të Sazanit: Do e ruajmë natyrën e egër
Sonte në studion e “Opinion” ishte i ftuar arkitekti kryesor që ka punuar projektin e Sazanit dhe Zvërnecit. Asher Abehsera foli në intervistë për Blendi Fevziun sa i takon filozofisë që ai ka pasur për këto dy zona në jug të vendit. Sipas tij, investimi do synojë ruajtjen e natyrës duke e ndërthurur me vila, rezidenca e apartamente.
Këto të fundit do vendosen në shpatin e ishullit ushtarak dhe me pamje fantastike nga deti. Abehsera theksoi se do ruhet porti 110 vjeçar i Sazanit, si një pikë hyrëse që të jep ndjesinë e një vendi “të pazbuluar”.
-Këtu kemi portin e Sazanit. Portin aktual.
Abehsera: Po, ky është një port i veçantë të cilin e dallon kur vjen… Tanimë nëse do të vinit nga Vlora ose nga Zvërneci do të vinit këtej dhe do të mbërrinit këtu. Ky është port aktual ushtarak i Sazanit.
-Është ndërtuar nga italianët më 1914 nëse nuk gabohem, para 110 vitesh.
Abehsera: Mbetet në gjendje mjaft të mirë.
-Duhet të kthehet në marinë?
Abehsera: Duhet të japë një ndjenjë të bukur dhe diskrete që ke mbërritur. Mendoj çka është magjike me Sazanin është që siç thatë ju, kur vini nuk ka asgjë aty. Duam të ruajmë disi këtë idenë se kjo është një pjesë shumë e bukur e Shqipërisë, që është një lloj mali në Detin Mesdhe dhe kur mbërrini aty duhet të jetë pak e egër, duhet të të japë atë ndjesinë që je duke shkuar në një vend natyror të pazbuluar. Kjo ndjesia e mbërritjes është shumë e rëndësishme që të ruhet. Ju shikon se si duket masterplani, këtu ka disa struktura.
-Më duket se këtu ndodhet qyteti i vjetër. Diku këtu.
Abehsera: Po, këtu ndodhen njësitë ushtarake të strehimit për ushtarakët.
-Për ushtarakët, po.
Abehsera: Tërë qasja e projektimit që ne kemi ndjekur…ka dendësi shumë të ulët. Nëse shikoni hapësirën midis ndërtesave flasim minimalisht për një distancë prej një hektarë në një hektarë e gjysmë midis shtëpive.
-1-1.5 hektarë midis shtëpive.
Abehsera: Hektarë.
-Hektarë.Gjithë kjo zona këtu duhet të jetë e lirë…
Abehsera: E lirë dhe e hapur.
-Edhe kjo zona këtu, edhe kjo zona këtu do të jetë e lirë?
Abehsera: Ideja, qasja e projektimit është kemi një ndarje në faza. Në fillim ju doni të arrini nivelin më të lartë të vlerësimit për përdorues përfundimtar, doni diçka e cila është shumë romantike, shumë e bukur, diskrete dhe private. Në asnjë vend të Sazanit nuk duhet që nga një shtëpi të shikosh shtëpinë tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për hotelet. Ideja është të lartësojmë natyrën dhe të ndihemi sikur jemi në natyrë.
-Do të ketë një hotel apo disa hotele?
Abehsera: Tani për tani ideja jonë është të ndërtojmë një hotel.
-Një hotel dhe të tjerat do të jenë rezidenca?
Abehsera: Do të jenë rezidenca. Do të jenë shtëpi, vila, lloje të ndryshme.
Flet në “Opinion” ortaku i Jared Kushner: Sazani, xhevahir i magjishëm në mes të Mesdheut
“Një xhevahir në Mesdhe”, kështu e kanë cilësuar të huajt ishullin e Sazanit. Në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan arkitekti Asher Abehsera ka treguar projektin e plotë për Sazanin dhe Zvërnecin.
Abehsera është partneri i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner. Arkitekti ka treguar si lindi ideja për një projekt për Sazanin dhe përshtypjet e tij të para për vendin tonë.
Blendi Fevziu: Si u përfshitë në këtë projekt, projektin e Sazanit dhe Zvërnecit?
Asher Abehsera: Kjo erdhi nëpërmjet një miqësie. Miku im i mirë Xharedi, me të cilin jemi partner për një kohë të gjatë, erdhi me një mik të tij në rajon. Ishin në një anije, në një jaht, dhe panë ujërat e bukur e thanë: le të ndalemi në këtë rajon. Dhe një mik i tij i tregoj këtë xhevahir të magjishëm në mes të Mesdheut.
Blendi Fevziu: Mendoni që Sazani është vërtetë një xhevahir në Mesdhe?
Asher Abehsera: Absolutisht. Absolutisht që është.
Blendi Fevziu: Pse? Mesdheu është i mbushur me ishuj, ishuj të bukur.
Asher Abehsera: Mendoj se keni një bashkim… Si fillim keni pozitën gjeografike në hartë. Sazani është oazë e bukur brenda një ishulli, brenda në ujit ku shikoni detit Jon dhe atë Adriatik që takohen. Në fakt mund të shikoni nuancat e ndryshme të ngjyrës blu duke puthur njëra tjetrën.
Blendi Fevziu: Po.
Asher Abehsera: Në anën tjetër…
Blendi Fevziu: Në njërën anë është blu më e errët ndërsa deti Adriatik ka nuancë tjetër bluje.
Asher Abehsera: Kur mendoni për perspektivën… Nga ana gjeografike është në Shqipëri por në të vërtetë ndodhet midis Italisë dhe Greqisë dhe Malit të Zi, pra keni xhevahir të pazbuluar në mes të detit i cili të jep ndjesinë: çfarë është kjo? Është si poezi sepse kur dilni dhe filloni të ecni në kodër aty fillon të ndodh magjia.
Blendi Fevziu: Dua ta nis direkt me projektin por në fillim, pa kaluar aty dua t’ju pyes, a keni folur me Xhared Kushner-in? Është një mik apo është vetëm biznesi që ju bashkon?
Asher Abehsera: Xharedi është një mik shumë i mirë të cilin e admiroj vërtetë dhe me të cilin bëjmë biznes.
Blendi Fevziu: Jeni partner në biznesi. Kur e vizituat Shqipërinë për herë të parë?
Asher Abehsera: Shqipërinë për herë të parë e vizitova para një viti e gjysmë.
Blendi Fevziu: Para një viti e gjysmë. Dinit ndonjë gjë për Shqipërinë përpara se të vinit këtu?
Asher Abehsera: Asgjë.
Blendi Fevziu: Asgjë. Dhe cila ka qenë përshtypja juaj e parë?
Asher Abehsera: Kur erdha këtu?
Blendi Fevziu: Po.
Asher Abehsera: U mrekullova. Mu duk një vend shumë romantik. I thashë njerëzve, që gjëja e parë që më pëlqeu ishin njerëzit. Më pëlqejnë shumë shqiptarët. Më pëlqen eleganca, arsimi, mënyra se si sillen. Mendova se ishte një vend jashtëzakonisht shumë i bukur qoftë nga ana estetike por ndjeva po ashtu emocionin e gjërave që do të vijnë.
Blendi Fevziu: Ju keni vizituar vetëm Vlorën, Sazanin dhe Zvërnecin apo tërë…
Asher Abehsera: Kam vizituar tërë bregdetin.
Blendi Fevziu: Tërë bregdetin. Nga veriu në jug?
Asher Abehsera: Pak a shumë.
Blendi Fevziu: Po malet?
Asher Abehsera: Ende jo. Ende jo. Duhet gjithmonë të mbajmë diçka për të ardhur sërish. Duhet gjithmonë të eksplorojmë gjëra të reja.
Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes për projektin. Të gjithë këto janë duke folur për një Aman Resort dhe disa vila dhe një projekt zhvillim për prona të paluajtshme. Cili është në të vërtetë projekti juaj për Sazanin në fillim dhe cili për Zvërnecin? Le të fokusohemi te Sazani në fillim?
Asher Abehsera: Në mënyra se si e shikoj unë nuk është një projekt për prona të paluajtshme.
Blendi Fevziu: Pse nuk është një projekt i tillë?
Asher Abehsera: Për shkak të shkallës së parashikuar në Zvërnec dhe në Sazan. Bukuria, magjia, natyra. Ky është më shumë një kombinim rajonal i më të mirës në projektim e lartësimit të kulturave. Kthehet në një platformë, ose një portal për botën që të kuptoj se çfarë është Shqipëria dhe Mesdheu.
Blendi Fevziu: Por Sazani duhet të jetë një zonë shumë ekskluzive sipas projektit tuaj?
Asher Abehsera: Absolutisht. Mendoj, siç e thash më herët, se Sazani është një xhevahir i pazbuluar që do të sjellë sëbashku një grup njerëzish të cilët mund të shkojnë ku të duan nëpër botë por menjëherë sapo ta zbulojnë këtë nuk do të duan të largohen.
Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes sepse një kthyer në një problem të madh dhe në një diskutim të madh në Shqipëri sidomos në këto 20-30 vitet e fundit, pas rënies së komunizmit, është ndërtim kudo, ndërtimi i hoteleve, shtëpive, ndërtesave, apartamenteve… a duhet të jetë Sazani aq i mbushur me njerëz saç është riviera shqiptare?
Asher Abehsera: Është interesante. Perspektiva jonë. Partneriteti jonë nga dita e parë dhe Xharedi është një flamurtar i madh i kësaj: duhet të gërshetohet me natyrën. Perspektiva që e bën këtë unike është mund të marrësh një anije dhe të shkosh në vende të tjera në Mesdhe dhe në vende të tjera të botës dhe të shikosh diçka e cila bije në sy nga bregu i detit. Ndërkohë pikëpamja jonë këtu është diçka të cilën syrin thuajse nuk e shikon fare. Duhet të shkosh aty për ta përjetuar. Të jesh në një fole brenda natyrës, si një “cocoon” ku natyra të përqafon, na duket diçka shumë romantike dhe e magjishme në qasjen tonë kolektive të projektimit.
Arkitekti pretendon se ky projekt do ta kthejë ishullin në një nga destinacionet më të bukura turistike në Mesdhe. Ai tregoi gjatë emisionit “Opinion” fotot dhe projektin e plotë duke thënë se përveç projektit edhe financimi është gati, mungon vetëm konfirmimi nga Shqipëria.
Kur do nisë projekti për Sazanin dhe sa do zgjasë? Arkitekti i dhëndrit të Trump flet në “Opinion”
Asher Abehsera, arkitekti dhe partneri në biznes i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, ka folur në emisionin “Opinion” në Tv Klan në lidhje me projektet për Sazanin dhe Zvërnecin.
Ai theksoi se nga ana e tyre çdo gjë është gati, vetëm mungon leja për të filluar punimet. Dhe kjo sipas Abehsera do të varet nga qasja e Shqipërisë.
Sipas arkitektit realizimi i këtyre dy projekteve dhe zhvillimi i zonave mund të zgjasë deri në dhjetë vjet. Sipas tij, projekti është i ndarë me faza për arsye ekonomike.
Blendi Fevziu: Kur do të jetë gati projekti? Le të themi, gati për të nisur…
Asher Abehsera: Çfarë doni të thoni me fillim? Nga ana jonë ne kemi filluar. Jemi të përkushtuar, jemi të emocionuar, siç mund të shikoni jemi duke punuar fort…
Blendi Fevziu: Për të filluar punimet…
Asher Abehsera: Punimet?
Blendi Fevziu: Po.
Asher Abehsera: Kur të marrim lejen.
Blendi Fevziu: Por ju jeni gati. Vetëm leja ju mungon.
Asher Abehsera: Jemi të përkushtuar dhe jo vetëm kaq…
Blendi Fevziu: Dhe i keni parat, e keni financimin?
Asher Abehsera: Çdo gjë është e rregulluar. Po.
Blendi Fevziu: Është e rregulluar tashmë…
Asher Abehsera: Po.
Blendi Fevziu: Dhe sa vite ju duhet për ta zhvilluar këtë projekt? Fizikisht.
Asher Abehsera: Mendoj se varet nga qasja juaj. Ne kemi një qasje të gjithanshme.
Blendi Fevziu: Po.
Asher Abehsera: Për të krijuar diçka që është shumë e veçantë, eksperienca e të cilës nuk do të shqetësohet nga më shumë ndërtime. Kjo është arsyeja pse ndarja në faza është shumë e rëndësishme.
Blendi Fevziu: Ju do të zhvilloni një zonë dhe më pas do të vijoni me zhvillimin e zonës tjetër që të mos shqetësoni njerëzit në atë zonë.
Asher Abehsera: Saktë.
Blendi Fevziu: Po. Dhe sa vite mund të marri?
Asher Abehsera: Mendoj se mund të jetë një projekt dhjetëvjeçar.
Blendi Fevziu: Një projekt dhjetëvjeçar vetëm Sazani apo sëbashku…
Asher Abehsera: Jo, sëbashku me Zvërnecin. Të dyja sëbashku. Është projekt me faza. Dhe nuk është e ndarë me faza vetëm për arsye ekonomike. Është e ndarë në faza edhe sepse kërkon kohë të krijosh diçka që është e veçantë, të përjetosh, të mësosh nga ajo, dhe më pas të lëvizësh. Do të ishte arrogante dhe e gabuar nga ana jonë që të thoshim se dimë çdo gjë. Vendi do të na thotë vetë se çfarë duhet të jetë atje. Vërtetë përpiqemi që të ndjekim natyrën. Po ashtu, ky është procesi ynë lidhur me atë që mund të bëhet për të krijuar diçka të jashtëzakonshme.
/tvklan.al