Të ftuar:
Aurel Plasari – Studiues, historian
Studiuesi Aurel Plasari të mërkurën ka deklaruar se Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk ka qenë rrëmbyer nga Osmanët, por është rritur dhe stërvitur në Krujë.
Plasari tha në emisionin ‘Opinion’ se kjo traditë nuk rezulton, që Skënderbeu të jetë marrë peng. Ai tregoi se në oborrin e Sulltanit ka shkuar në moshë të madhe, sigurisht për t’i shërbyer në luftra të ndryshme.
Sipas tij, Skënderbeu nuk ka qenë kurrë i rrëmbyer, madje ai ka qenë i punësuar i Sulltanit në Krujë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, studiuesi Aurel Plasari ka parashtruar disa fakte interesante lidhur me jetën e Skënderbeut dhe aktivitetin e tij.
Ndër të tjera, Plasari flet edhe për raportet e princit shqiptar me serbët. Ai pohon se Skënderbeu nuk i pati serbët asnjëherë aleatë kundër Turqisë, sepse nënshtrimi i serbëve pas shpartallimit në Kosovë ishte total.
Plasari shkon më tej, kur shprehet se djemtë e Llazarit të Serbisë i kanë dhënë sulltanit motrën e tyre për në haremin e tij.
“I biri I sulltanit të vrarë, dy bijtë e princit Llazar të vrarë i privilegjoi dhe u siguroi një lloj statusi në qeverisje. Madje ata i dhanë motrën sulltanit dhe verë për verë ata ishin miq tek kunati i tyre për të dalë për gjah”, u shpreh Plasari.
Studiuesi Aurel Plasari ka zbuluar të mërkurën një të dhënë të rëndësishme në lidhje me armët që ka mbajtur Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në lidhje me armët e tij që gjenden në Vienë, Plasari tha në emisionin ‘Opinion’ se ka disa shpjegime se si kanë përfunduar aty, ndërsa theksoi se jo vetëm ato, por ekzistojnë edhe armë të tjera.
Ai tha se në librin e tij për Skënderbeun ka referuar edhe dy armë të tjera. Një shpatë gjendet në Napoli, ndërsa tjetra në një muze të Stambollit.