I ftuar:
Aurel Plasari
I ftuar në emisionin “Opinion”, studiuesi Aurel Plasari ka parashtruar disa fakte interesante lidhur me jetën e Skënderbeut dhe aktivitetin e tij.
Ndër të tjera, Plasari flet edhe për raportet e princit shqiptar me serbët. Ai pohon se Skënderbeu nuk i pati serbët asnjëherë aleatë kundër Turqisë, sepse nënshtrimi i serbëve pas shpartallimit në Kosovë ishte total. Plasari shkon më tej, kur shprehet se djemtë e Llazarit të Serbisë I kanë dhënë sulltanit motrën e tyre për në haremin e tij. “I biri I sulltanit të vrarë, dy bijtë e princit Llazar të vrarë i privilegjoi dhe u siguroi një lloj statusi në qeverisje. Madje ata i dhanë motrën sulltanit dhe verë për verë ata ishin miq tek kunati I tyre për të dalë për gjah”, u shpreh Plasari.
Studiuesi Aurel Plasari të mërkurën ka deklaruar se Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk ka qenë rrëmbyer nga Osmanët, por është rritur dhe stërvitur në Krujë. Plasari tha në emisionin ‘Opinion’ se kjo traditë nuk rezulton, që Skënderbeu të jetë marrë peng. Ai tregoi se në oborrin e Sulltanit ka shkuar në moshë të madhe, sigurisht për t’i shërbyer në luftra të ndryshme. Sipas tij, Skënderbeu nuk ka qenë kurrë i rrëmbyer, madje ai ka qenë i punësuar i Sulltanit në Krujë.
Studiuesi Aurel Plasari të mërkurën ka deklaruar për vdekjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeu se në historiografi ekzistojnë disa burime të ndryshme me disa shkaqe. Plasari tha në emisionin ‘Opinion’, se një tjetër burim jep se ai është vrarë në betejë me një shigjetë. Sipas tij, versioni më zyrtar konsiderohet ai i Republikës së Venedikut, por nëse pranojmë vdekjen në Lezhë, ky informacion bëhet më i besueshëm. Pra, dokumentet e venedikut tregojnë se Skënderbeu vdiq nga sëmundja e malarjes.
Ai është pyetur ndër të tjera edhe për martesën me Donikën, vajzën e Gjergj Aranitit. A ishte dashuri martesa e Skënderbeut- pyet gazetari Fevziu. “Në martesën e asaj epoke nuk flitej për dashuri, po kanë qenë krushqi dhe aleanca interesi ose që mbyllnin konfliktet. Dhe shpesh as pyeteshin ata që do të martoheshin, sepse ishte interesi politik”, tha Plasari, duke shtuar se në rastin e Skënderbeut ishte aleanca politike me Gjergj Aranitin, që në atë kohë ishte njeriu më i fuqishëm i Krujës.
Në lidhje me armët e tij që gjenden në Vienë, Plasari tha në emisionin ‘Opinion’ se ka disa shpjegime se si kanë përfunduar aty, ndërsa theksoi se jo vetëm ato, por ekzistojnë edhe armë të tjera. Ai tha se në librin e tij për Skënderbeun ka referuar edhe dy armë të tjera. Një shpatë gjendet në Napoli, ndërsa tjetra në një muze të Stambollit.
Historiani Aurel Plasari i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” ka rrëfyer për gazetarin Blendi Fevziu disa detaje në lidhje me historinë e vërtetë të heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së tij. Një ndër pyetjet e shtruara për historianin ishte edhe ajo në lidhje me helmimin e vëllezërve të Skënderbeut nga Sulltani. “Kjo histori mbetet tregim i Marin Barletit edhe i Frankos” – është shprehur historiani, duke hedhur poshtë vërtetësinë e kësaj teorie.