#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Marsela Karapanço, Blendi Klosi,Enton Abilekaj, Artan Hoxha
Zhvillimet më të fundit politike që lidhen me Partinë Socialiste. Edi Rama ka nxjerrë ekipin e tij duke futur personazhe të rinj dhe duke larguar disa personazhe të njohur. Njëkohësisht, në fund të korrikut, ai ka bërë edhe një ndryshim qeveritar duke ndjekur të njëjtin stil që prej dhjetorit 2018 kur figurat pa ndonjë ‘background’ politik vijnë shpeshherë për të zëvendësuar figura me ‘background’ politik.. Njëkohësisht emisioni do të fokusohet në tri pika: Përse Rama e ndau Tiranën në 3 përgjegjës dhe a ishte kjo një goditje për Erion Veliajn i cili deri më tani ka qenë drejtues i vetëm i Tiranës? Kishte mjaft diskutime që si pasojë e raporteve me SPAK-un, Rama do ta shmangte Veliajn, nuk e ka bërë por ka përdorur një lloj truku për ta ndarë në tri pjesë Tiranën është thjesht përmirësim elektoral apo një taktikë politike? Përse Rama po i vendos deputetët me eksperiencë në lista të hapura? Taktikë kjo për të marrë më shumë vota për për t’i hequr qafe? Përse i bëri Rama ndryshimet në qeveri dhe përse vendosi figura më pak politike?
Deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, Klosi: Taktikë elektorale
Deputetët e vjetër të PS që kanë më shumë se 1 mandat deputeti, do të kandidojnë në lista të hapur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, tha në emisionin Opinion në Tv Klan, se kjo është taktikë elektorale e socialistëve për të ngjallur më shumë garë.
“Në 2021 drejtuesit politikë u vunë në limitet që të kalonin, ishte taktikë elektorale. Meqënëse kishte mundësi që deputetët e poshtëm të thyenin herësin, të gjithë garonin dhe kjo solli një energji të fortë sepse dhe ata që ishin sipër ishte të rrezikuar nga drejuesit politikë por dhe gjithë të tjerët. Ndërkohë PD as e vuri fare këtë gjë. Këtu humbën një forcë shumë të madhe.
Tani është po e njëjta logjikë. Lista nuk është e mbyllur fare. Gjysma e fituesve në Vlorë do të jenë të fiksuar. Në lista tentohet të ketë rinovim, të ketë edhe figura të reja nga qyteti, të cilët mbase po të dalin në garë e kanë më të vështirë të marrin vota. Mbrojtja do t’i jepet kësaj kategorie. Ndërkohë kategoria tjetër që ka më shumë njohje, që janë logo të PS, ata padyshim do jenë në garë dhe do mbledhin vota dhe do përpiqen të krijojnë gjithë listën. Lista është e tillë që ata që janë të fiksuar nuk marrin vota personale”.
Zgjedhjet 2025/ Blendi Klosi tregon sa mandate deputetësh kërkon PS të fitojë në Tiranë
Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Partia Socialiste do të ketë 3 drejtues politikë. Krahas Erion Veliaj që ka qenë, u shtuan edhe Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan, tha se kjo përzgjedhje e kryesocialistit Edi Rama ka qenë edhe para 3 vitesh.
“Po të kujtojmë para 3 vjetësh, prapë Tirana ka qenë e drejtuar me 3 personalitete; Ervin Bushati, Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj. Pra jemi në të njëjtat kushte si në 2021. Nuk ka asnjë ndryshim nga vitit 2021. Ashtu siç është dhe sot, në Tiranë do ketë ministra, drejtues të lartë, sepse Tirana është jo pak por mesa pritet do ketë 40 mandate deputetësh. Në Tiranë do përpiqen të gjithë, të gjithë tentojnë Tiranën, sepse votat janë shumë”.
Klosi shpalli edhe synimin e PS sa mandate deputetësh kërkon që të fitojë në Tiranë.
“Tirana është gara më e madhe, ka më shumë mandate, territori më i madh, do jemi shumë forca që të punojmë. Objektivi jonë është të marrim jo gjysmën si herën e kaluar, kërkojmë më shumë, të marrim më shumë, kemi drejtues bashkish që janë tashmë të konsoliduar”.
Blendi Klosi foli edhe për rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i PS, dhe detyrën e re të Taulant Balla që është drejtues politik për votat e Diasporës.
“Sekretari i Përgjithshëm i partisë do të ketë detyra më të shtrira në qarqe, akoma nuk është vendosur ku do kandidoj unë apo drejtuesi politik i diasporës. Taulant Balla do të ketë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, është një gjë e re, përpjekjet do jenë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 6 muajve”.
Rama e ndau Tiranën në 3 përgjegjës, Abilekaj: Keqtrajtim i Veliajt për të treguar se…
Emisioni “Opinion” në Tv Klan është fokusuar në ndryshimet në qeveri dhe vendimet e Asamblesë së Partisë Socialiste.
I ftuar në emision, gazetari Abilekaj e ka quajtur vendimin për të “ndarë” Tiranën në 3 përgjegjës për zgjedhjet e 2025-ës si një “keqtrajtim të Veliajt”. Gjatë fjalës së tij, Abilekaj është shprehur se sipas tij, ky vendim është marrë nga Rama për të treguar se Veliaj nuk është rivali i tij.
Madje, Abilekaj mendon se kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Sako merr përsipër më shumë deputetë se se Veliaj, kjo sipas gazetarit është një formë që kryeministri Rama ka zgjedhur për të treguar se “Sako vlen më shumë se Veliaj”.
Në këtë moment, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, ka ndërhyrë duke thënë se krahasimi i Tiranës me Durrësin nuk qëndron fare.
Enton Alibekaj: Po ta shohim është keqtrajtim i Veliajt. Rama e ka zakon ta keqtrajtojë Veliajn vazhdimisht në politikë për të treguar se ky nuk mund të jetë rivali im. Nuk besoj se në Tiranë do të arrijë 40 mandate. Vetëm kryetarja e Bashkisë së Durrësit ka përsipër më shumë deputetë se Erion Veliaj, Sako vlen më shumë se Veliaj. Është zbehje se ka vënë re që Spiropali është e parë, me idenë që kjo është drejtuesja politike e parë. Veliaj i 2021 dhe në 2023 ka qenë absolut në Tiranë si drejtues politik. Nëse do të ndihmonte Veliajn, do i çonte bashkëpunëtorët, si për shembull Maznikun, por i çon dy konkurrentët për ta sfiduar.
Blendi Klosi: Krahasimi i Tiranës me Durrësin nuk qëndron fare. Drejtuesi politik është titullar i asaj gare.
Ndarja e Tiranës në 3 pjesë, Karapanço: Rama luan ‘tërhiq e mos e këput” me Veliajn/ Hoxha mendon ndryshe
Ndarja e Tiranës në tri pjesë duke e lënë nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Erion Veliajt dhe Ogerta Manastirliut është një nga temat e diskutimit në “Opinion” në Tv Klan. Në këndvështrimin e gazetares Marsela Karapanço, kjo lëvizje e Edi Ramës është një mënyrë për të luajtur “tërhiq e mos e këput”. Sipas gazetares, Rama nuk ka vendosur ta eliminojë Veliajn, por njëkohësisht ka shtuar dy emra të tjerë krah tij.
Në raport me Veliajn, unë eshoh një lëvizje tërhiq e mos këput nga ana e z. Rama. Edhe e shtyn pak, por edhe e tërheq duke e mbajtur prapë me dy zonjat, Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin të cilat janë figura të Partisë Socialiste. E gjithë jehona që ka shoqëruar debatin qoftë nga “5D”, qoftë nga gjithë zhvillimet që kanë ardhur nga SPAK-u sesa është lakuar emri i z. Veliaj, nuk kemi parë një prerje koke. Pra kjo do të thotë që diçka ka, që zoti Veliaj kontribuon, merr vota,ne e dimë se mandatin e tij të tretë, të gjithë votat që ka marrë për Tiranën, por nga ana tjetër, duke i shtuar dy të tjerë, më duket thjesht loja ” tërhiq e mos e këput” me Veliajn.
Ndërsa analisti Artan Hoxha mendon se Rama po e kompenson Veliajn. Sipas tij, ai nuk e ndëshkon për shkak të dobisë që i sjell, por as nuk e promovon për shkak të raportit me SPAK-un. Hoxha e quan Veliajn “një lojtar të plagosur” që “s’luan dot me kapacitetet që ka pasur”.
Rama as nuk e ndëshkon Veliajn, nuk ka luksin të ndëshkojë një lojtar si Veliaj, i ka bollshëm kundërshtarët dhe armiqtë, s’ka pse të ndëshkojë njerëz që i bëjnë dobi atij, nga ana tjetër as nuk e promovon sepse nuk është as momenti, nuk bën sens politik t‘i bëjë promovim Veliajt në këtë moment. Unë them që Edi Rama me këtë skemë treshe të Tiranës, e kompenson Veliajn sepse ndonëse Veliaj është një lojtar i mirë, është një lojtar i plagosur. Është i plagosur për një seri çështjesh që i ka të hapura dhe gjithë rrjetin e bashkëpunëtorëve të vet që i ka pasur në krah në 2021, në 2023, një pjesëi ka në burg, një pjesë i ka të trembur, një pjesë të hallakatur dhe është një lojtar që ende nuk mund të luajë me kapacitetet që ka pasur.
Zgjedhjet e 2025-ës/ Hoxha: PS do të synojë të marrë pushtetin e vetme
Analisti Artan Hoxha thotë se Partia Socialiste do të synojë që ta marrë pushtetin e vetme në zgjedhjet e 2025-ës. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, analisti Hoxha shprehet se në PS do të luftojnë për çdo votë teksa shton se Ramës i duhet që të optimizojë fuqisë e skuadrës.
Artan Hoxha: Optimizim i forcës së skuadrës. Në logjikën e Edi Ramës është kjo: Një masë votash e kam të garantuar, i jepet partisë. PS u mësua që në 2 mandate të marrë pushtetin e vetme dhe në njëfarë mënyre ka të njëjtin interes, ndoshta është e dënuar të luftojë të marrë pushtetin e vetme. Do të synojnë të marrin pushtetin të vetëm. Këtu do të thotë të lufton në kufijtë e të mundurës, që do të thotë se çdo votë për ta vlen.
I duhet që të optimizojë fuqinë e skuadrës dhe skema që përdor, më të njohurit i vë tek zona ku i motivon që të luftojnë për çdo votë dhe më pak të njohurit, ata që mendon se do i ketë brezin e ardhshëm të deputetëve në mandatet e tjera, i vendos tek vendet e sigurta, pra tek 1/3 e listës së mbyllur. Rama bën këtë hesap. Cilido nga të vjetrit që do të sjellë vota, vlen të vazhdojë. Cilido që nuk sjell më vota është për pension, nuk është më për këtë punë.
Ndarja e Tiranës, Blendi Klosi: Nuk duhet thjesht fitore, është garë e vështirë
Drejtimi i Tiranës nga Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliut duke shpërhapur pushtetin ka ngritur pyetje rreth raportit Rama-Veliaj.
Pyetjes “përse Tiranës iu desh kaq përforcim” të drejtuar nga Marsela Karapanço, iu përgjigj në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Blendi Klosi. Sekretari i Përgjitshëm i PS tha se në Tiranë duhet një fitore e fortë. Ai tha se këtë herë gara është më e përgatitur dhe partia ka treguar që problemin e ka te njerëzit dhe jo te kundërshtarët.
Blendi Klosi: Nuk duhet thjesht një fitore në Tiranë. Në Tiranë duhet një fitore me më shumë mandate. Është një garë e vështirë.
Blendi Fevziu: Edhe në mandate fitore të madhe keni ju, nëse shohim votat lokale kur përkthehen në mandate.
Blendi Klosi: Ajo që PS ka prej vitesh tashmë të deklaruar është që ne nuk kemi problem kundërshtarët përballë. Ne kemi problem me raportin me njerëzit, me qytetarët të cilët duhet t’u shërbehet, duhet të kontaktohen.Ne garën kësaj radhe e kemi shumë më të fortë dhe më të përgatitur sesa garat e tjera, jo se kemi dyshime që fitojmë, por se ne vazhdojmë të forcohemi duke punuar, të tjerët merren me llafe. Edhe politika është punë, ka nevojë për punë, është profesion. Kaq e madhe sa është Tirana, nuk mund ta menaxhojë vetëm me një drejtues. Kaq e thjeshtë është gjëja.
Opozita kërkon qeveri teknike, Sekretari i Përgjithshëm i PS: Pse të iki Rama? Ai merr vota
Një nga kërkesat e opozitës gjatë javëve të fundit është krijimi i një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Kësaj kërkese të opozitës i është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.
Nga studio e emisionit Opinion në Tv Klan, Klosi e ka konsideruar absurde këtë kërkesë të opozitës 6 muaj para zgjedhjeve.
“Kjo është një tezë tjetër, se si një forcë politike që do të marri pushtetin, ka 3 vjet, ka dhe 6 muaj për garë dhe mesazhi kryesor që vjen nga kampi opozitar është që nuk duam të fitojmë pushtetin, nuk është që kanë forcë, ide, ndjesira pozitive, por thonë e vetmja mënyrë se si duan të marrin pushtetin është të iki ky Edi Rama që ta marrim ne, të kemi dhe qeverinë bashkë. Po pse të iki Edi Rama? Edi Rama merr votën për të qeverisur. Ç’është kjo kërkesë? Më disfatistja e mundshme! Është e paimagjinueshme se si 6 muaj para zgjedhjeve, e vetmja mënyrë se si mund të vijnë në pushtet… si mund të thuhet njëherë? I vetmi mesazh politik është të iki Edi Rama nga qeveria”, u shpreh Blendi Klosi.
”Rama e mendon veten përtej 2029”, Hoxha: Të tjerët lëvizin, ai mbetet lideri absolut
Analisti Artan Hoxha mendon se lëvizjet e fundit që Rama bëri në Partinë Socialiste tregojnë që ai e mendon veten përtej 2029-ës. Në shpjegimin që ai jep në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoxha thotë se njëkohësisht po bën një transfuzion të ngadaltë të partisë. Më tej, ai vijon duke thënë se Rama po evidenton figura të reja, po largon të vjetra por gjithnjë duke mbetur vetë në krye për të treguar se është lideri absolut.
Artan Hoxha: Duhet të japësh një shpjegim pse i bën këto lëvizje se që i ka mundësitë t’i bëjë i ka, pyetja është pse i bën? Mendoj që ai në mendjen e vet duke e menduar veten përtej 2029, po bën një lloj transfuzioni gradual dhe afatgjatë të të gjithë partisë. Po jep mundësi për krijimin e figurave të reja ekzekutive, disa prej tyre do i dalin holba, do i dalin, disa do i dalin saktë, do i kalojë këtej. Po i jep një shans të fundit një pjese të vogël të të vjetërve, kini parasysh: në garën për 142 deputetë, vetëm maksimumi 40 janë garë e hapur. Ndaji përgjysmë këto, një 20-she mund të mbijetojë nga kasta e vjetër. Pjesa tjetër do të skarcohen, kuptohen. Te ekzekutivi, ka qarkulluar dhe ka dhënë mundësi për t’u evidentuar në ekzekutiv shumë figura, i ndërron, sipas rastit, përfiton edhe nga fakti që çlirohet nga ngarkesa politike, por si krijohet lideri absolut? Vetëm ai është shtylla e qëndrueshme, e pandryshueshme, të gjithë të tjerët janë relativë, rrotullohen, hiqen, vihen, hipin, ngjisin ndaj ai bën të gjitha këto lëvizje
/tvklan.al