#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Këtë mbrëmje emisioni “Opinion” në Tv Klan fokusohet në çështjet e fundit që kanë tronditur opinion publik. Masakra e Dobraçit ka rikthyer dhe njëherë në qendër të vëmendjes përplasjen midis bandave. Operacioni “Metamorfoza”, ose zbardhja e Sky Ecc dhe EcroChat kanë nxjerrë mbi sipërfaqe shumë prej aktiviteteve të bandave kriminale dhe natyrisht kanë dekonspiruar dhe mënyrën se si funksionojnë këto banda kriminale në Shqipëri. Emisioni i sotëm fokusohet në bandat kryesore dhe zonat ku këto banda kriminale shtrihen në Shqipëri dhe se si ka fokusuar tipologjia e grupeve kriminale në Shqipëri?
Të ftuar: Merin Maci, Spartak Koka, Ferdinand Dervishi, Glidona Daci, Ervin Hodaj, Andi Duraj, Asllan Dogjani
“Këta presin edhe koka të mëdha”, habit Dervishi: Banda e Durrësit vrau Martinajn!
“E bashkuar dhe shumë e fuqishme!”, kështu e cilëson bandën e Durrësit gazetari Ferdinand Dervishi. Këtë të Enjte në “Opinion”, Dervishi tha se kjo bandë është e bashkuar me të tjera, fenomen që sipas tij është tejet i rrezikshëm.
“Ajo bandë që vrau Ervis Martinajn. Ishte vetë me disa banda të përbashkëta mbi të ilat dominonte ai, përballë tij u vu banda e Durrësit që u bashkua me grupet e Niklës, me Avdylajt. Një pjesë e mbetur e vjetër e bandës së Kavajës. Pra aktualisht, banda e Durrësit ose me qendër në Durrës, që i bënë gropën Martinajt, duke i shkatërruar fillimisht gjithë grupin e tij, filluan nga njerëzit e afërt. Ja prenë të gjitha degët derisa prenë trungun. Shumë fenomen i rrezikshëm sepse këto banda në një moment të caktuar mund të marrin vendime që t’i presin “kokën” një nga njerëzve më të rëndësishëm në Shqipëri, mund ta ngrenë stekën shumë lart”, tha Dervishi.
“Kur përmendja emrin e tij policët ulnin kokën”, banda më e rrezikshme sipas Asllan Dogjanit
Bandat më të rrezikshme të Shqipërisë ishte tema që u diskutoa këtë të enjte në emisionin “Opinion”. I ftuar ishte ndër të tjerë Asllan Dogjani, deputeti i PD-së që dikur ka qenë drejtor policie, për të folur pikërisht për vështirësitë e detyrës së tij gjatë kohës që e ka ushtruar. Dogjani u shpreh se një nga grupet më të rrezikshme kriminale ka qenë banda e Aldo Bares.
“Në Qarkun e Fierit mendoj që për kohën që ishte, një bandë ose grup kriminal shumë i rrezikshëm që kishte specifika të veçanta ishte banda e Aldo Bares. Një bandë që ishte jo vetëm shumë aktive, por ajo filloi të merrte veprimtari ndaj shtetit. Filloi të godiste oficerë policie, filloi të godiste punonjësit e policisë, tu bënte presion…
Kur shkoj në komisariatin e policisë, ata kishin frikë kur përmendja emrin e Aldo Bares. Ulnin kokën të gjithë policët. Kishte një frikë të jashtëzakonshme”, tha Dogjani.
Madje ai tregoi një rast personal se si ata ushtronin presion ndaj efektivëve të policisë.
“Ajo që mua më bëri përshtypje që në momentin e parë që shkova ishte direkt presioni që ata i bënin punonjësve, drejtuesve të policisë, sapo vinin. Në ditët e para që kisha shkuar më bie telefoni nga një këta që ishin pjesë e kësaj bande. Në fakt atë ditë ishte zënë Shefi i Komisariatit me Shefin e Krimeve në Lushnje dhe unë mora Sokol Bizhgën për t’i pajtuar. I jap një informacion, pse ziheni me njëri-tjetrin. Kapni njërin që ka lëvizur nga Berati dje me një makinë me këto targa. Në darkë më merr në telefon ai për të cilin dhashë informacionin dhe më thotë, bile e kanë thënë përgjimet italiane në gazetën shqiptare. Më thotë drejtori i policisë? I them po. Më tha e di që kemi vrarë njerëz? I thashë nuk e di që keni vrarë njerëz ju dhe më shkoi mendja menjëherë që Shefi i Komisariatit ose Shefi i Krimeve i ka dhënë informacione. Tha, kemi vrarë njerëz dhe me ne mos u merr. I thashë zotëri unë nuk jam as Shefi i Komisariatit as Shefi i Policisë, por do të shihemi. Kam shkuar direkt te ministri dhe kemi hequr atë natë Shefin e Komisariatit. Më vonë, në gazetë kam parë që kishte komunikuar Shefi i Krimeve me këta”, tha Dogjani.
Këto shembuj, Dogjani i tregoi për të treguar se asokohe grupet kriminale nuk vepronin pa ndihmën e policisë. Po në “Opinion”, tregoi rastin e kapjes së një vrasësi me pagesë për ekzekutime që kryheshin në këtë qark çdo ditë të martë. Këto atentate kryheshin për shifra 200-300 mijë lekë.
“Filluan të bënin vrasje çdo të martë. Ditën e martë në orën 6 mua më bëhej një vrasje, o në derën e shtëpisë, o në derën e lokalit. Vrisnin kundërshtarët e njëri-tjetrit. Të parin kemi kapur një nga këta që bënin vrasje çdo të marte. Ai na shpjegoi. Mënyra si vriste ai nuk dinte se kush ishte ai që do vritej, por i thoshin është i veshur me këtë, në këtë tavolinë. Vriste. Shkonte merrte pistoletën në x vend. Ishte me pagesë ky, pavarësisht se ishte brenda grupit. Paguhej. I thoshin merr pistoletën filan vend. Bënte vrasjen dhe pastaj merrte paratë me Western Union. Sa merrte? 200 mijë lekë, 300 mijë lekë. Këto i kemi dokumentuar dhe kemi bërë arrestimin e tij”, tha Dogjani.
Treshja legjendare! Gazetari tregon vrasësit më të rrezikshëm në Shqipëri
Sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, 3 janë vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri. Sonte në studion e “Opinion” ai tha se Enver Stafuka, Julian Sinanaj dhe Nuredin Dumani kanë rekorde të frikshme kriminale dhe asnjëri prej tyre s’është kapur prej punës së mirëfilltë të Policisë.
“Stafuka nuk u kap nga Policia pas 26 vrasjesh që pretendohet se ka bërë, për një kohë shumë të gjatë edhe në territorin e Tiranës. Sinanaj nuk u kap nga Policia edhe pse ishte vrasës si në filmin ku luan ai francezi me ato syzet, edhe ai mbante nga ato syzet. Vrasës gjakftohtë që vinte nga një eksperiencë nga Greqia, që kur erdhi këtu sa ja morën vesh bëmat, pati porosi edhe nga politika. Po s’po i futemi kësaj pjese. Nuk u kap nga Policia! U kap se u tremb shoku i vet. Dumani, nuk u kap nga Policia, u kap pasi i ranë njerëzit e Talo Çelës. Është vetëdorëzuar thonë në Fier. Që të tre këto vrasës legjendarë nuk janë kapur nga puna e mirëfilltë e Policisë”, tha Dervishi.
Ku është Ibrahim Lici? Hodaj: Ne e kemi kapur dhe përsëri do e kapim
Videoja e publikuar pas masakrës së Shkodrës ka hedhur dyshimet se në makinën që u bë atentat mund të ketë qenë edhe i shumëkërkuari Ibrahim Lici.
Drejtori i Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj, u shpreh se Lici rezulton me kartelë shumë të kuqe nga policia shqiptare.
Ai theksoi se në vitin 2023 Ibrahim Lici u kap falë punës së policisë tonë. Po ashtu shtoi në emisionin “Opinion” se autoritetet sërish do ta kapin.
“Ibrahim Lici u kap nga policia shqiptare dhe dua ta theksoj këtë. U kap nga 2023 falë punës së Drejtorisë Vendore të Policisë së Shkodrës, informacioneve që kishte, Departamentit të Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranës. Ka dërguar informacionin e saktë, me adresë të saktë të këtij personi në kërkim në Turqi dhe u bë kapja e tij. U arrestua nga autoritetet turke. Pavarësisht procedurave, autoritetet e lanë me arrest shtëpie dhe nuk e lanë me arrest në burg. Pas kësaj autoritetet turke e kanë kërkuar në banesën që ai e ka lënë për rezidencë dhe nuk e kanë gjetur, pra ai është arratisur. Sigurisht që ne përsëri do vazhdojmë për ta kapur Ibrahim Licin. Dhe jo vetëm atë, por të gjithë personat e kërkuar. Për t’i kthyer përgjigje pyetjes së Glidonës se ku është? Ne e kemi kapur Ibrahim Licin, pra policia shqiptare e ka kapur në bashkëpunim me partnerët dhe përsëri do ta kapim. Kjo është detyra jonë në fund të ditës”, tha Hodaj.
Nga 200 € deri në 3 milionë €! “Koka” më e shtrenjtë e kërkuar nga vrasësit ishte…
Me listë me vete gazetari Ferdinand Dervishi në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan renditi shumat marramendëse që janë ofruar për të vrarë “kokat” e grupeve kriminale në Shqipëri. Ai pohoi se këto shifra të nxjerra janë vërtetuara nga përgjimet e nxjerra nga EncroChat.
Ferdinand Dervishi: Dritan Vila me 20 mijë lekë të reja. Dritan Zhuka në 2001 ky që ka vrarë Ilir Ngresin ka bërë një pagesë prej 25 mijë dollarë për të vrarë Aglin Goxhaj atë që vrau “presidentin e Tomorit” dhe nuk e ka bërë, dhe për këtë hëngri kokën. Në vitin 2005 Endrit Dokle paguan 150 mijë Euro për të vrarë Lulzim Berishën. Në 2017 Aleksandër Ndoka vëllai i Arben Ndokës, përflitet që grupi i Niklës ka marrë 1 milion Euro për të vrarë vëllain e Ndokës, Aleksandër Ndokën. Në vitin 2020 Ervis Martinaj ofron 150 mijë Euro për Elvis Gaçaj, që nuk u vra sepse kishte vajzën në makinë dhe ai e kurseu.
Blendi Fevziu: Domethënë ka dhe kode në këto raste?
Ferdinand Dervishi: Ka kod. Ka disa raste që i kanë ruajtur. Në vitin 2020 Florenc Çapja ofron 200 mijë Euro për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit dhëndrit të ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Po në 2020 Ervis Martinaj i ofron Gjergj Cukalit 400 mijë Euro për vrasjen e Altin Gegës, këto janë të vërtetuara në EncroChat. Në 2020 Arben Ndoka ofron 600 mijë Euro për Durim Bamin dhe Valter Bamin, vëllezër. Në 2021 Ervis Martinaj ofron 150 mijë euro për të vrarë (Doqen) Fatmir Hysenin “killerin” nga Vlora. Po në vitin 2021 Ervis Martinaj i ofron Nuredin Dumanit 500 mijë Euro për vrasjen e Indrit Dokles. Në 2020 për vrasjen e Ervis Martinajt dyshohet se janë paguar 3 milionë Euro./tvklan.al