Kryeministri Rama: Mbyllja e kufijve nuk do të ndalte koronavirusin
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mbyllja e kufijve, sidomos e linjave të fluturimit me Italinë, nuk do ta ndalte përhapjen e koronavirusit.
Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama theksoi se kufiri i Shqipërisë nuk mund të mbyllej më herët për shkak se do të godiste rëndë ekonominë.
“Ne kemi vepruar në kohën duhur sepse askush nuk ka reaguar me masa drastike përpra shfaqjes së virusit. Sepse masat drastike përpara shfaqjes së virusit nuk bën asgjë tjetër veçse godet rëndë zinxhirin ekonomik dhe nuk pengon virusin. Nëse mbyllja e kufijve do të pengonte virusin që të vinte në një vend, atëherë do të ishte e pamundur që të kishte ndodhur murtaja e Mesjetës. Asnjë vend nuk ka mbyllur kufijtë përpara shfaqjes së virusit në territorin e vetë”.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare janë të njëjta me ato të shteteve të tjera për situatën e koronavirusit.
“Faktikisht të gjitha vendet nuk kanë shumë zgjedhje sepse rruga është e njëjta. Ajo që ndryshon është intensiteti i marrjes së masave pas momentit të shfaqjes së virusit në territor. Ne kemi zgjedhur një plan i cili është i mirëmenduar dhe përshkallëzimi i masave është i domosdoshëm, sepse ne dhe askush nuk mund të ndalë as arritjen dhe as përhapjen e koronavirusit. Përmes masave ne mund ta ngadalësojmë përhapjen dhe mund të garantojmë qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor. Rritja e temperaturave dobëson viruset dhe do të dobësojë edhe këtë virus”.
Pavarësisht masave të rrepta dhe ndalimit të qarkullimit të mjeteve private, Kryeministri Rama u shpreh se virusi do të prekë një pjesë të madhe të popullsisë, dhe këtu përmendi deklaratën e Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel.
“Virusi do të shpërndahet kudo ku ka për t’u shpërndarë. Kancelarja gjermane dje tha që 70% e popullit gjerman do të preket nga virusi. Këtu çështja është që nëpërmjet masave ne ulim intensitetin e shpërndarjes. Ne ulim numrin e rasteve që janë për spital. Dua të saktësoj diçka që është shumë e rëndësishme të përsëritet, vërtetë që virusi prek njësoj siç prek çdo virus. 80% e atyre që preken nga korona nuk ndjejnë asgjë.
Nuk ka skenar që mund ta bëjë njeriu që mund të ndalojë shpërndarjen. Këtu çështja është sa masat do të arrijnë që ta ngadalësojnë shpërndarjen, dhe duke ngadalësuar të arrijë të funksionojë sistemi. Ai 20% që do ketë shenja duhet ta dijë që nuk shkon i gjithi në spitall. 80% e tyre do ta kalojnë si një grip me disa siklete të gripit. Në atë 20% të këtyre ditëve ka një kurbë tjetër, që pjesa dërrmuese e atyre që nuk e kalojnë dot sprovën janë mbi moshën 65 vjeç. Asnjë i ri askush prej nesh nuk duhet t’ja lejojë vetes meqë kjo nuk na merr ne me vete, ne të jemi të pasjellshëm. Sepse ne kështu japim padashje kontribut që të tjerët pranë nesh të goditen. Nuk është e thënë që edhe të rinjtë të mos e pësojnë në qoftë se nuk ruhen”.
Blendi Fevziu: Marr regjisorin në telefon dhe më del Edi Rama, ku ndodh kjo?
Gjatë ditës së sotme, kur qeveria komunikoi edhe vendimin për ndalimin e lëvizjes së automjeteve për 3 ditë, nëpër celularët e qytetarëve u dërgua një SMS nga ana e Kryeministrit Edi Rama, ku bënte thirrje për të respektuar masat e rrepta. Po kështu, përpara thirrje telefonike, shfaqej një mesazh zanor i Kryeministrit me të njëjtat këshilla.
Për këtë çështje, Blendi Fevziu ka pyetur vetë Kryeministrin Edi Rama gjatë një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Blendi Fevziu: Ku ka vend tani që Kryeministri të del në telefon kur merr regjisorin e emisionit dhe të thotë jam Edi Rama mos dëgjo mediat. S’flasim dot me njëri-tjetrin se del mesazhi yt. Marr regjisorin dhe më thotë jam Edi Rama, thotë mos dëgjo mediat hap dritaren.
Kryeministri Edi Rama: Sepse kjo është luftë dhe unë dal në telefon ashtu sikundër edhe të tjerë e kanë bërë këtë gjë. Nuk është shpikja ime. Do kisha dashur shumë ta shpikja vetë, por nuk e kam shpikur unë.
Blendi Fevziu: Pse nuk i kërkoni bashkëpunim mediave por i sulmoni?
Kryeministri Edi Rama: Po unë këtë po them.
Blendi Fevziu: Mjekët janë duke marrë orë të tëra në studiot televizive.
Kryeministri Edi Rama: Më mirë mos jenë fare se janë për t’i hedhur miletit lloj-lloj teorish dhe për t’u harbuar nëpër studio.
Masat për koronavirusin, Rama shpjegon çfarë do të ndodhë nga dita e hënë
Duke filluar nga dita e nesërme, qarkullimi i automjeteve private dhe i transportit urban do të jetë i ndaluar deri ditën e dielë në orën 00:00 të natës. Po kështu, administrata shtetërore do të jetë në punë dhe qeveria bën vazhdimisht thirrje që qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Por çfarë do të ndodhë nga dita e hënë, me disa prej bizneseve që do t’u rikthehen punës, siç janë fasoneritë, Call-Center dhe qendrat tregtare.
Kryeministri Edi Rama, në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka thënë se nga fillimi i javës së ardhshme, këto sipërmarrje do të kontrollohen dhe inspektohen për masat mbrojtëse që kanë marrë për punonjësit e tyre, duke respektuar të gjitha rekomandimet.
Blendi Fevziu: Fasonët, Call-Center, dhe punonjësit e qendrave tregtare kanë një shqetësim shumë të madh. Punojnë në ambiente të vogla, në distanca jashtë standardeve me njëri-tjetrin, dhe mendojnë që mund të preken. Pra mund të jenë një nga targetat kryesorë. Çfarë do të ndodhë?
Kryeministri Edi Rama: Një masë e madhe prej nesh do të preken, por kjo nuk do të thotë asgjë sepse 80% e atyre që do të preken nuk do ta marrin vesh fare që u prekën. As Italia në kushtet që është nuk i ka mbyllur aktivitetet prodhuese sepse qartësisht e thjeshtë. Nëse në këto aktivitete prodhuese do të merren masat e sigurisë, ato që janë në dukje elementare, atëherë nuk ka asnjë diferencë në raport me prekjen. Nesër edhe këto aktivitete nuk do të jenë në punë. Nga dita e hënë do të fillojnë të kryhen inspektime specifike. Ju jepet kohë të gjithë pronarëve të këtyre kompanive që të marrin këto masa. Nuk janë masa që ju kushtojnë aq sa do t’ju kushtonte mbyllja e aktivitetit që nuk do të ishte e llogaritshme në raport me këto masa. Janë masa që do t’i marrin për veten e tyre, për familjen e tyre, për punonjësit e tyre dhe për të gjithë familjet e punonjësve të tyre.
Basha: Qeveria e papërgatitur për koronavirusin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një lidhje live me emisionin maratonë “Opinion” deklaroi se qeveria nuk është e përgatitur për koronavirusin edhe pse pati kohë për ta bërë një gëjë e tillë.
Kreu i opozitës deklaroi se duhet bërë një plan afatgjatë transparent.
“Kriza kërkon jo t’i përgjigjesh, por të ecësh një hap përpara. Intensiteti i masave nuk duhet të fillojë pas rastit të parë. Prej datës 2 Shkurt këtë ka kërkuar opozita, që të ndërmarrë masa.
Më 24 Shkurt kam kërkuar publikisht që të ndërtohet një regjistër i posçaëm i njerëzve që vijnë nga zonat e kuqe. Nuk e bëri sepse atëherë zoti Rama ishte në një tjetër gjendje mendore. E konsideronte deri një tallje këtë epidemi. Dy net më parë ka nxjerrë ushtarët dhe policët për të kontrolluar njerëzit. Imagjino sa e lehtë do të ishte po të kishte regjistrin e personave. Ky është problem që nuk mund ta zgjidhësh duke bërë parada me policë dhe ushtarë, të cilët ekspozohen përballë rrezikut. Një masë që propozova dhe nuk u mor në kohë.
Duket qartë që qeveria nuk është përgatitur edhe pse ka pasur kohë. Tani është koha të bëhemi bashkë dhe të bëjmë gjithçka për ta kaluar me pasoja sa më të lehta. Mendoj që duhet të kalojmë përtej fasadës. Tani na duhen mendje esëll, këmbë në tokë, dhe vendime të forta. Na duhet një plan që të gjithë ta dimë se çfarë po bëhet. Duhen siguruar mjekët. Kur të shtohet vala e pacientëve të kenë pajisjet për t’i kuruar”, tha Basha.
Lulzim Basha deklaroi se “Opozita nuk ka rrugë tjetër vetëm të bëjë publike mendimet e saj”.
“Çfarë duhet të bëjnë institucionet? Kemi një buxhet 3.5 mln euro. Pa transparencë nuk mund të luftohet kriza. Kujt po ia fsheh? Virusit po ia fsheh. Kosova ka dhënë 10 mln euro. Shqipëria ka shumë pak para, me këto para nuk mjafton as dezinfektmi i spitaleve.
Hapi i parë është mbrojtja e personelit mjekësor. Personeli mjekësor nuk është i mbrojtur. Tek Infektivi është i vërtetë që një pjesë janë të pajisur. Por ajo nuk është vija e parë. Vija e parë është atje ku përplasen qytetarët”, tha Basha.
Guvernatori i BSH sqaron nëse kartëmonedhat transmetojnë koronavirusin
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka sqaruar shqetësimin e qytetarëve nëse kartëmonedhat janë mbartëse të koronavirusit.
Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sejko ka thënë se për këtë çështje, Banka e Shqipërisë ka kontaktuar me Organizatën Ndërkombëtare të Kartëmonedhës.
“Lidhur me cash, kemi marrë dje nga Organizata Ndërkombëtare e Kartëmodhenës, që cashi trajtohet njëlloj si të gjithë sipërfarqet tjera, që nuk është përhapës i sëmundjes. Është njëlloj si gjithë sipërfaqet e tjera të prekshme nga qytetarët. Nuk është element që kërkon vëmendje të veçantë, nuk ka nevojë për dezinfektim”.
I pyetur për masat që janë ndërmarrë për punonjësit e bankave të nivelit të dytë dhe aktivitetin e tyre të punës, Sejko sqaroi: “Ne kemi çuar disa udhëzime për bankat e nivelit të dytë. Bankat ditën e nesërme kemi marrë vendim të mos të punojnë por të kenë siguruar të gjitha pagesat online dhe nëpërmjet cash. Në javën e ardhshme parashikojmë që aktiviteti do të fillojë normal. Lidhur me masat që ka të bëjë për punonjësit, kemi dërguar udhëzim të qartë për të marrë masat e duhura lidhur me higjienizimin, për të ruajtur distancën, për të pasur një numër të kufizuar punonjësish”.
Sa i përket vendimit të sotëm të BSH që ka shtyrë me 3 muaj këstet për qytetarët që kanë kredi në bankat e nivelit të dytë, Guvernatori i BSH bëri me dije se kjo nuk do të thotë falje e tyre.
“Lidhur me kreditë, kjo nuk është falje e kësteve të kredisë, por është shtyrje me afat 3-mujor për ata klientë që nuk kanë arsye të paguajnë këstin. Kjo masë është marrë njëlloj dhe për institucionet e tjera financiare, edhe për institucionet e tjera jo banka”.
Mjeku: Koronavirusi nuk është murtaja, shumica e kalojnë pa simptoma
Koronavirusi nuk është murtaja. Fakti që je i infektuar me të nuk sjell patjetër vdekjen. Kështu deklaroi këtë të enjte mjeku i njohur Leonard Solis. Gjatë emisionit “Opinion” ai u shpreh se në përgjithësi njerëzit e kalojnë koronavirusin pa simptoma.
Sipas tij, ishte ky fakti pse ky virus u përhap kaq shumë, për shkak se ishte shumë tinëzar dhe i pakuptueshëm. Solis sqaroi se më të rrezikuarit janë të moshuarit, si dhe personat që vuajnë nga sëmundje të tjera.
Blendi Fevziu: Një pjesë e madhe e qytetarëve që më shkruajnë kanë një ankth u duket që po t’i prekë do të vdesin automatikisht. Perceptohet si murtaja për një pjesë e madhe e qytetarëve. shihen me mllef qytetarët e infektuar. Çfarë mund t’u thoshe qytetarëve?
Leonard Solis: Ka shumë të panjohura ende, por ajo që duket është që 80% dhe më shumë e njerëzve të cilët janë të shëndetshëm e kalojnë edhe asimptomatikë. Kjo ishte ana epidemiologjike pse u përhap kaq shumë. Ishte e pangjyrosur, e pakuptueshme, shumë tinëzare dhe një njeri që e kalonte shumë kollaj e përhapte tek tjetri.
Blendi Fevziu: Pra nuk të troket vdekja vetëm se infektohesh?
Leonard Solis: Jo! Shumica e kalojnë edhe asimptomatikë. Shumica e kalojnë mirë. Njerëzit që kanë probleme bashkëshoqëruese, të cilat janë mosha, është faktor risku. Persona që janë kardiopatë, hepatitë, diabet etj. Unë jam optimist që njerëzimi do t’i dalë edhe ne do t’ia dalim.
Pandemia e koronavirusit, Drejtori i Spitalit Amerikan: Gati për të ndihmuar nëse është e nevojshme
Drejtori i Spitalit Amerikan në vendin tonë, Klodjan Allajbeu, ka deklaruar se sektori privat është i gatshëm të ndihmojë për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi nëse do të jetë e nevojshme.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Allajbeu deklaroi se Spitali Amerikan i ka të gjitha kapacitetet nëse do të kërkohet, por gjithmonë në koordinimin me Task-Forcën dhe Ministrinë e Brendshme.
Blendi Fevziu: Sa aparate respiratorë keni?
Drejtori i Spitalit Amerikan: Ne këtë shifër e kemi vënë në dispozicion të autoriteteve. Kur ka një kaos ose kur ka një problematikë kaq të madhe, mirë është që çdo gjë të qëndrojë e centralizuar dhe në një dorë. Këto pajisje ne ja kemi vënë në dispozicion Task-Forcës, Ministrisë së Shëndetësisë, çdo moment që do u duhen. Ashtu si dhe mund të vijë radhe dhe tek spitalet tona.
Blendi Fevziu: Mund t’i trajtoni ju? Mund të ndërtoni dhoma të izoluara?
Drejtori i Spitalit Amerikan: Patjetër. Ne këtë do ta lëmë në dorë të autoriteteve shëndetësore publike. Por jemi të gatshëm në rast të thirrjes së tyre që të jemi si një kapacitet i shtuar në rast se do të duhet, dhe nuk jemi një kapacitet i pakët. Atë investim sot që ka bërë sektori privat, është një investim që rrallë gjendet në rajon jo e jo, po të marrim kapacitetet private. Kemi kapacitete për të trajtuar nëse ka nevojë, por çdo gjë do të jetë e koordinuar nga Task-Forca.
Ipeshkvi: Të kujdesemi për më të brishtët, bindjuni rregullave
Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta gjatë një lidhje live në “Opinion” deklaroi se tashmë është momenti që të kujdesemi për personat që mund të infektohen me koronavirus dhe jo t’i shohim ata si kërcënim.
Ipeshkvi u shpreh se këta persona kanë nevojë për kujdesje dhe jo për t’u hedhur tutje.
“Unë mendoj që me më të brishtët duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet të dimë që të mbartim mbi vete edhe vuajtjet e tyre dhe problemet e tyre. Duhet të qëndrojmë në distancën e duhur, por të kujdesemi që personat e prekur të shërohen. Ata nuk janë diçka që duhen hedhur tej, por duhen kujdesur”, tha Dom Gjergj Meta.
Ai bëri thirrje që të mbështeten mjekët dhe organet kompetence të shtetit. Dom Gjergj Meta, bëri thirrje që njerëzit t’i binden rregullave të qeverisë dhe të veprojnë sikur çdo gjë do të varej prej tyre.
“Çdo qytetar të veprojë sikur gjithçka të varej nga ne, të bindet me përpikmëri nga çdo rregull që del nga institucionet përkatëse. Të gjithë bashkë, për ata që besojnë t’i lutemi Zotit, të solidarizohemi. Solidarizimi varet nga zemra dhe shpirti i një njeriu, jo nga shkenca”, tha Meta.
Fevziu mesazh qytetarëve: Sekreti qëndron tek ju, bëhuni bashkë që situata të kalojë shpejt
Gazetari Blendi Fevziu ka lëshuar një tjetër mesazh qytetarëve shqiptarë për të përballuar situatën me koronavirusin në vendin tonë. Ai theksoi se nuk ka vend për panik, por për momentin nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndryshojmë stilin tonë të jetesës.
Kjo sipas Fevziut do të bëjë që situata të kalojë më shpejt. Ai i bëri apel qytetarëve që të bëhen bashkë sepse kemi të bëjmë me një virus që kërkon mobilizim të të gjithë qytetarëve që të kalojë.
“Nuk është vendi për panik, padyshim, ndoshta reagimi më i keq do të ishte të trembemi, por nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndryshojmë stilin tonë të jetesës. Mundohuni të mbroni veten tuaj, mundohuni të mbroni familjen tuaj, mundohuni të mbroni gjithsecilin, askush nuk e di kush është bartës i koronavirusit dhe kë mund të infektojë. Mundohuni të qëndroni në shtëpi, merruni me libra. Merruni me televizorin, mundohuni të shmangni ambientet publike. Bindjuni autoriteteve të cilët flasin se si duhet të reagojmë në këtë situatë. Vetëm duke reaguar të gjithë së bashku mund të gjejmë një zgjidhje ndaj një epidemie që na kërcënon të gjithëve. Po insistoj, nuk ka një zgjidhje të vetme, sekreti i vetëm qëndron vetëm tek ju. Mos u trembni, mos u panikoni, nuk ka asnjë virus që mund të verë poshtë njerëzimin, pro padyshim nuk ka asnjë virus që mund të kalojë pas një mobilizim të gjithë qytetarëve. Ndaj po ju them dhe njëherë, bëhuni të gjithë bashkë, mundohuni të zbatoni të gjitha rregullat dhe gjithë kjo situatë do të kalojë më shpejt. Ju dua shumë të gjithëve”, tha Fevziu.
Mjeku Pipero: Gjendja e pacientëve është mesatarisht e rëndë, të infektuarit do të shtohen
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ka deklaruar se gjendja e pacientëve të shtruar në spital është mesatarisht e rëndë.
Sipas tij, këta pacientë nuk mbahen me intubim, por disa prej tyre me oksigjen.
Për të kuptuar më shumë për gjendjen shëndetësore të pacientëve të prekur, mjeku Pipero u shpreh se do të duhet të presim pas ditës së 9-të.
Sipas tij, numri i personave të prekur nga koronavirusi do të vijë duke u shtuar.
“Gjendja e tyre është mesatarisht e rëndë. Nuk kanë nevojë për intubim, disa i mbajmë me oksigjen, disa i mbajmë pa oksigjen. Por kanë prekje të pulmoneve. Ne mjekët për ta mund të flasim pas ditës së 8-të, të 9-të. Ne mjekët jemi më të frikësuar se ata. Ne jemi në fillim. Unë mendoj që numrat do vijnë duke u shtuar. Ajo që nuk njohim është shumë herë më e madhe se ajo që njohim”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarisht deri tani në Shqipëri janë 23 persona të infektuar, duke përfshirë edhe pacienten 73-vjeçaren në Durrës që humbi jetën.
Mjeku: Ekspozimi minimal që të infektohesh me koronavirus është 15 minuta
Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero, deklaroi këtë të enjte se që dikush të preket nga COVID-19 duhet të ekspozohet për të paktën 15 minuta me personin tjetër që ia përcjell koronavirusin.
Gjithashtu distanca duhet të jetë nën një metër. Prandaj, theksoi, ai autoritetet bëjnë thirrje që të minimizohen kontaktet, lëvizjet dhe njerëzve u kërkohet që të qëndrojnë brenda.
Gjithashtu mjeku i njohur u shpreh se deri më tani nuk është vërtetuar që virusi përhapet nga ajri, por vetëm nga spërklat
“Ky virus nuk është virus që transmetohet përmes ajrit. Ky virus shpërndahet përmes spërklave. Deri tani është dëshmuar kjo që po ju them unë, është virus me peshë molekulare të madhe dhe deri tani nuk është vërtetuar që mund të përhapet përmes ajrit. Do të thotë që nëse mbajmë distancë mbi një metër dhe nuk ekspozohemi gjatë, mos harroni ekspozimi duhet të jetë minimumi 15 minuta që të infektohesh. Nuk është po u përshëndete, kalove dhe u infektove dhe më afër se një metër. Kjo nuk do të thotë që ne të rrimë 14 minuta dhe të ikim. Sa më pak takime, sa më pak lëvizje, sa më shumë brenda”, tha Pipero.
Pipero: Qytetarët po bëjnë të njëjtin gabim të rëndë si Italia
Pas marrjes së masave të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së makinave private nga e premtja, të shumtë janë qytetarët sipas mjekut Pëllumb Pipero që kanë lëvizur në qytete të tjera për të kaluar fundjavën.
Mirëpo ky veprim i këtyre njerëzve është shumë gabim sipas Piperos dhe rrezikon që në Shqipëri të përsëritet i njëjti skenar si në Itali.
Mjeku infeksionist u shpreh se në fazat e para të epidemisë, shumë italianë nga veriu lëvizën në jug dhe përhapën koronavirusin atje.
Prandaj Pipero bëri thirrje që të merren masa edhe më të drastike.
“Duhet të ketë masa edhe më drastike. Për arsye se kur po vija këtu mora vesh që sot duke pasur frikë që nesër nuk mund të lëvizësh më me qindra ndoshta automjete apo shqiptarë kanë udhëtuar nga Tirana në drejtim të Korçës, nga Tirana në drejtim të Shkodrës, në drejtim të Lezhës për të bërë fundjavën. Besoj që kanë bërë apo po bëjnë një gabim shumë të rëndë dhe është gabimi të cilin bëri Italia në fazat e para të kësaj epidemie duke lejuar veriun të ikte në jug dhe u shpërnda në gjithë Italinë. Përmes jush bëj një thirrje tjetër, mirë që vajtën, por të bëhet një urdhër i prerë që nesër të mos hapet asnjë lokal, asnjë restorant, asnjë dyqan. Kanë bërë gabim, është gabim shumë i rëndë që bëhet në këtë situatë. Është gabim shumë i rëndë”, tha Pipero. /tvklan.al