Rama: Vladimir Putin unifikoi Europën në shumë pak ditë
Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion” në lidhje me situatën në Ukrainë.
Kreu i qeverisë tha se veprimi i Putin për të sulmuar Ukrainën ka unifikuar Europën në shumë pak ditë.
“E vërteta është që Vladimir Putini praktikisht e ka unifikuar Europën në shumë pak ditë duke e rikthyer në kohët të arta të unitetit të saj, të paktën sikundër dëshmojnë ata që e njohin mirë historinë e Europës”, tha Rama.
Ditën e sotme emisioni “Opinion” transmetohet nga kufiri Poloni-Ukrainë.
Rama zbulon bisedat me Lavrov për Ukrainën: Askush nuk mendonte që Putin do tentonte agresionin
Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, kryeministri Edi Rama ka pasur komunikime me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, madje kreu i qeverisë asokohe ka zhvilluar një vizitë në Ukrainë.
Rama zbuloi disa nga bisedat që ka bërë me Lavrov dhe tha se ka qenë e qartë që Rusia ka pasur një pezmatim në raport me Ukrainën.
Megjithatë kreu i qeverisë tha se nuk e ka menduar kurrë veprimin e Putin për të pushtuar Ukrainën.
“Po jam takuar me të kemi pasur bisedë të gjatë dhe faktikisht jo vetëm në atë bisedë, por në të gjitha të bëra në atë kohë ka qenë e qartë që Rusia ka pasur një pezmatim të qartë në raport me Ukrainën, më atë që ata e quanin sjellja e Perëndimit… Nuk mund të them kurrë që e kam ndjerë këtë që erdhi, sepse përveç shërbimit inteligjent amerikan askush tjetër nuk kishte realisht bindjen që Putin do të tentonte një agresion frontal dhe një pushtim të Ukrainës”, tha Rama.
Rama: Do të përpiqemi të mos rrisim çmimin e energjisë
Kryeministri Edi Rama gjatë një lidhjeje live për emisionin “Opinion” është shprehu se qeveria po punon që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike. Megjithatë kreu i qeverisë tha se kjo gjë është e vështirë duke qenë se tashmë jemi edhe në kushtet e luftës.
“Së pari kur unë dola para disa muajsh dhe paralajmërova një periudhë shumë të vështirë krize për energjinë, natyrisht që nuk parashihja luftën, por ishte shumë e qartë që kishte filluar të frynte një erë e ftohtë në shpinën e Europës si rezultat i fillimit të asaj që sot është shumë e qartë se ku synonte një lëvizje e Putin në raport me gazin dhe furnizimin e tij dhe e lidhur kjo natyrisht dhe me efektet e post pandemisë. Kur ajo era që fryn komplet në të kundër të asaj që ishte gjatë periudhës së pandemisë me një rritje ekonomike për të gjitha vendet u ballafaqua me një kërkesë shumë më të lartë se oferta në tregjet ndërkombëtare. Ajo që mund ta them me të parën është kjo qeveri po bën diçka që realisht do të përpiqemi ta mbajmë kështu siç jemi, por në kushtet e luftës është edhe më e vështirë që është mosrritja e çmimit të energjisë, gjë që nuk e kanë bërë vendet e tjera, vendet fqinje. Deri në Greqi kanë rritur çmimin e energjisë për konsumatorin familjar dhe për të gjithë të tjerët, pa llogaritur Italinë ku çmimet kanë marrë të përpjetën.
“Nga ana tjetër nafta sot është rikthyer në pikun e vet të vitit 2014, në tregjet ndërkombëtare. Dhe sigurisht që edhe rritja e përgjithshme e çmimeve që ishte një trend i post pandemisë për shkak të një rritje të inflacionit nga hedhja në qarkullim e sasive të mëdha të parave dhe nga ana tjetër si efekt i nevojës në rritje dhe i ofertës jokompatibël, ka bërë që Shqipëria të afektohet. Ajo që qytetarët duhet ta kenë të qartë është që jemi këtu për t’i mbrojtur dhe mburoja që kemi vënë, për çmimin e energjisë deri tani ka funksionuar. Nuk e kishim parashikuar ne, dhe përveç shërbimeve inteligjente amerikane që e dhanë të qartë informacionin disa javë përpara, askush tjetër nuk ishte përgatitur realisht se do të kishte luftë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në luftë dhe në një luftë që ne fatmirësisht nuk jemi në frontin e parë, në një luftë që ne nuk na afekton ushtarakisht, por që sigurisht na afekton patjetër nga pikëpamja e çmimeve”, tha Rama për gazetarin Blendi Fevziu.
Emisioni “Opinion” këtë të enjte është zhvendosur në kufirin me Ukrainën dhe po transmetohet në një zonë të Polonisë ku kanë shkuar me qindra mijëra refugjatë që i largohen luftës.
Rama: Lufta nuk na afekton ushtarakisht, por nga pikëpamja e çmimeve
Kryeministri Edi Rama, në një lidhje direkte me emisionin Opinion, mbrëmjen e kësaj të enjteje tha se duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në luftë. Kryeministri tha se kjo nuk na prek ushtarakisht, por nga pikëpamja e çmimeve.
“Ajo që qytetarët duhet ta kenë të qartë është që jemi këtu për t’i mbrojtur dhe mburoja që kemi vënë, për çmimin e energjisë deri tani ka funksionuar. Nuk e kishim parashikuar ne, dhe përveç shërbimeve inteligjente amerikane që e dhanë të qartë informacionin disa javë përpara, askush tjetër nuk ishte përgatitur realisht se do të kishte luftë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në luftë dhe në një luftë që ne fatmirësisht nuk jemi në frontin e parë, në një luftë që ne nuk na afekton ushtarakisht, por që sigurisht na afekton patjetër nga pikëpamja e çmimeve”.
“Dua vetëm të shtoj se ajo që kurrë nuk e mendonim dhe nuk e mendonte askush ka ndodhur. Lufta është rikthyer në formën e vetë më të egër dhe në atë formë që gjithë kjo gjeneratë që udhëheq Europën nuk e kishte njohur. Nuk është një film dokumentar, nuk është një film artistik. Ju jeni aty në vijën e luftës, matanë ka njerëz që vriten, bombardohen, ndahen dhunshëm nga familja e tyre. Burrat duhet të rrinë për të luftuar ndërsa gratë, vajzat dhe të moshuarit kalojnë këtej. Kjo duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë se ata njerëz që qëndrojnë atje për të luftuar që me gojën e Presidentit Zelensky thonë “E vetmja gjë që kemi për të humbur është liria” na mësojnë ta çmojmë lirinë që kemi dhe të bëjmë ç’mos të përmirësojmë cilësinë e gjërave që kemi e kurrsesi të mos i përçmojmë e i përbuzim se thua i kemi aty përgjithmonë”.
Grubi: Për panikun në RMV vlerësojmë se ka gisht Rusia
Zv/Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, në lidhjen direkte që pati mbrëmjen e sotme me gazetarin Blendi Fevziu në Opinion, iu drejtua popullit të tij me një apel duke thënë se nuk ka vend për panik. Grubi solli në vëmendje se ditët e fundit qytetarët janë alarmuar duke krijuar radhë kilometrike për të marrë benzinë. Ai u shpreh se autoritetet maqedonase vlerësojnë se në krijimin e këtij paniku ka gisht Rusia.
“Për momentin nuk ka nevojë për asnjë shqetësim për qytetarët tanë. Ka mjaftueshëm naftë, benzinë, drithëra, miell. Ne furnizimin kryesor ne e kemi nga Serbia, jo nga Rusia dhe Ukraina. Ne jemi pjesë e sanksioneve të Rusisë që prej 2014-s dhe nuk është se kemi ndjerë ndonjë pasojë direkte, por indirekte gjithsesi sepse rritja e karburantit, energjisë i rrit të gjitha çmimet në zinxhir dhe kjo po ndodh dhe në BE dhe do ta ndjejmë dhe ne bashkë me vendet e BE, por vlerësoj se nuk ka hapësirë për një panik qytetar, siç po shohim sot në rrugët e Shkupit. Me kilometra para pompave të benzinës, për arsye të luftës hibride e cila po zhvillohet dhe ne vlerësojmë që ka gisht këtu Rusia në gjithë këtë luftë hibride në këtë luftë tek ne, për arsye të ngritjes së panikut tek qytetarët dhe ja rezultati i sotëm. Po të ecësh në Shkup të gjithë njerëzit mendojnë se nuk do të ketë më benzinë në pompat e benzinës dhe janë bërë rreshta kilometërshe edhe përse nuk ka asnjë arsye për panik.”
Gërvalla: Kosova duhet të jetë më pranë NATO-s, të mos vonohemi si me Ukrainën
Zv/kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova duhet të jetë më pranë NATO-s. Është kjo sipas saj, një nga kërkesat konkrete të Kosovës për bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Gërvallës, Serbia kopjon pikë për pikë modelin rus dhe kërcënon Kosovën dhe Bosnjën me destabilizim.
“Jo vetëm tani që ka filluar lufta e hapur në Ukrainë, por kemi muaj e muaj që përpiqemi që të ndërgjësojmë aleatët tanë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga fqinji ynë verior, nga Serbia, që duke kopjuar pikë për pikë modelin rus kërcënon Kosovën dhe Bosnjën me destabilizim, kërcënon edhe Malin e Zi përmes prezencës ruse në mediat në Ballkan, jemi duke u ballafaquar me një situatë që e kemi paralajmëruar prej muajsh dhe është mirë që bashkësia ndërkombëtare të kuptojë sinjalet edhe në Ballkan dhe të mos vonohemi siç u vonuam të gjithë së bashku në Ukrainë. Kemi kërkesa shumë konkrete bashkësisë ndërkombëtare, Kosova duhet të jetë më pranë NATO-s. Edhe nëse nuk është e mundur hyrja e menjëhershme si anëtare e plotë gjatë këtyre javëve dhe muajve, Kosova duhet të afrohet shumë me NATO-n, duhen krijuar mekanizma që Kosova të jetë e ulur në tavolinë ku të diskutohet për fatin e ardhshëm të Evropës”, tha Gërvalla.
Gërvalla: Jemi zotuar që të presim 5000 refugjatë nga Ukraina
Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se Kosova me anë të një rezolute që ka miratuar ditën e sotme është zotuar për pritjen e 5000 qytetarëve ukrainas dhe 500 gazetarëve.
“Kosova ka hapur zemrat për qytetarët e Ukrainës që ballafaqohen me këtë luftë. Ky është një solidaritet shumë i zakonshëm. Në Kosovë jo vetëm që kemi dënuar agresionin dhe jemi bashkëngjitur plotësisht sanksioneve kundër Rusisë. Sot ka patur një rezolutë parlamenti, pra Kuvendi i Republikës së Kosovës me kërkesa të qarta drejtuar edhe Qeverisë në të cilën ndër të tjera jemi zotuar për pranimin deri në 5000 refugjatë nga Ukraina dhe sistemimin e tyre. Kemi marrë si Qeveri një vendim për pranimin e 20 gazetarëve dhe familjet e tyre nga Ukraina të cilëve jo vetëm do t’i ofrohet strehimi, por edhe ambiente për të punuar nga Kosova për të informuar dhe luftuar dezinformacionin nga Rusia”, tha Gërvalla./tvklan.al
Zv/Kryeministri i RMV: Ajo që po ndodh në Ukrainë, kambanë alarmi. BE të përqafojë të gjithë Ballkanin
Ndonëse Europa reagoi e unifikuar për Ukrainën, Zv/Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, e quan të pamjaftueshme. Në Opinion, ai tha këtë të enjte se ajo që po ndodh në Ukrainë duhet të jetë kambanë alarmi për BE, për të bërë pjesë të saj sa më parë Ballkanin Perëndimor dhe për të mos lejuar siç tha ndikim rus, në veçanti në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë.
“Në fakt unë e konsideroj të pamjaftueshëm, për arsye se vendi im nga 2005 është vend kandidat për anëtarësim në BE. Në 2007 ka marrë rekomandimin për çeljen e negociatave, në 2009 ka marrë liberalizimin e vizave dhe tash 17 vite jemi në korridoret e pritjes për anëtarësim në BE. Kjo që po ndodh me Ukrainën duhet të jetë zile alarmi për Brukselin që duhet të unifikojë politikën e jashtme politikën e sigurisë, politikën integruese dhe të përqafojë vendet e Ballkani Perëndimor… Në dhjetor kishte një shumicë të re, 61 në Kuvend (e RMV), të tubuar rreth kësaj partisë Levica e cila e përshëndeti agresionin rus në Ukrainë, dhe përflitet sot që ka qenë skenar rus për ta rrënuar qeverinë pro demokratike, por NATO pro BE në vigjilje të zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë. Vlerësoj që BE duhet ta përqafojë të gjithë Ballkanin Perëndimor në kuadër të BE sa më parë, që të mos na ndodhin situata të tilla dhe të mos lejojnë ndikimin rus në veçanti në Maqedoni, por dhe në Serbi, Mal të Zi e Kosovë dhe gjithandej në Ballkanin Perëndimor”.
Ushtari ukrainas vlerëson mbështetjen e Shqipërisë. Fevziu: Duhet të jeni krenar për vendimin tuaj!
Gazetari Blendi Fevziu ka zhvilluar një intervistë me një luftëtar ukrainas. Dotsiak Rosyslav tha se nuk do të largohet nga atdheu i tij dhe se kjo luftë është e turpshme për Rusinë. Po ashtu ushtari ukrainas i cili aktualisht ndodhet në vijën e luftimeve vlerësoi rolin e Shqipërisë. Ai tha se Shqipëria ka ndihmuar me pajisje. Madje atje kanë shkuar edhe vullnetarë të cilët janë të gatshëm të luftojnë për të mbrojtur demokracinë sipas ushtarit.
Dotsiak Rostyslav: Nuk mund të largohem. Nëse qëndrojmë së bashku mund të fitojmë, atëherë mund ta marrim fitoren. Është një luftë e turpshme për Rusinë. Mund të mposhten nëse Ukrainasit janë të bashkuar dhe nuk janë thjesht njerëz, por jemi një komb i tërë i mbledhur.
Blendi Fevziu: Jam i sigurt që familja juaj, bashkëshortja juaj, kushdo është krenar për vendimin që keni marrë dhe ju duhet të jeni krenar.
Dotsiak Rostyslav: Faleminderit. Edhe diçka. Vlerësoj shumë atë që po bën Shqipëria për ne. Jam duke ndjekur lajmet dhe shikoj si Shqipëria na ka ndihmuar me disa pajisje madje edhe me vullnetarë shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të vijnë dhe të luftojnë për të mbrojtur demokracinë në Europë!Janë duke ardhur në Ukrainë për të luftuar me ne, me mbrojtësit tanë.
“Deshët një Kosovë tani fituat edhe dy në Ukrainë”, Grubi: Partia në RMV që përshëndeti agresionin rus
Maqedonia e Veriut miratoi këtë të enjte deklaratën që dënon agresionin rus në Ukrainë. Por Zv/Kryeministri Artan Grubi për Opinion tha se kundër kishin qenë dy parti, njëra e cila është degë e partisë së Vladimir Putin dhe tjetër, Levica. Madje kjo e fundit tha Grubi e përshëndeti agresionin rus dhe e krahasoi më ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Në Maqedoni zyrtarisht Partia e Putin ka degën e vetë me emërtim të njëjtë, flamur, logo dhe funksionon zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut dhe një parti tjetër parlamentare Levica, e cila e përshëndeti agresionin rus dhe u rreshtua prapa politikave të Putin. E krahasoi me intervenimin e NATO-s në Kosovë, duke thënë e deshët një Kosovë tani fituat edhe dy Kosova në Ukrainë, nëse mbrohet edhe Krimea bëhen tre Kosova bashkë me Luhansk dhe Donetsk”./tvklan.al