#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Këtë të mërkurë Shkodra u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku si pasojë e një atentati me armë Hamza Lici dhe Flutura Basha mbetën të vdekur në vend, kurse Arlind Bushati i cili ndodhej në makinë bashkë me Licin ndërroi jetë në spital 6 orë më vonë pas atentatit. Prania në kohë dhe vendin e gabuar të çifti Basha i morën jetën gruas Flutura Basha, teksa nga ana tjetër bashkëshorti i saj Bashkim Basha ndodhet në spital duke luftuar për jetën, gjendja e tij shëndetësore aktualisht është e rëndë. Kjo masakër do të jetë në qendër të diskutimeve në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Nga ana tjetër ngjarja e rëndë hap dhe një tjetër temë diskutimi, atë të viktimave të pafajshme. Krimi nuk po “ha më kokat” e njërit-tjetrit, por të qytetarëve të pafajshëm, siç ishte dhe rasti i çiftit Basha.
Të ftuar: Glidona Daci, Helena Halilaj, Akil Pano, Merin Maçi, Lorenc Vangjeli, Bardh Spahia. Në lidhje direkte: Emi Kalaja
PAMJET ekskluzive të tentativës për të vrarë Arlind Bushatin më 10 Tetor
Arlind Bushati humbi jetën si pasojë e atentatit të sotëm në Dobraç të Shkodrës. Edhe pse ende nuk dihet se kush ka qenë ‘objektivi’ i autorëve këtë të Mërkurë, vlen të theksohet se ndaj Bushatit ka patur një tentativë për ta vrarë më 10 Tetor 2024.
Sonte në “Opinion” janë shfaqur pamjet ekskluzive të tentativës së atentatit në Pedonalen e Shkodrës. Pamjet janë fiksuar nga një biznes përballë lokalit ku ishte ulur Arlind Bushati, i shoqëruar me dy persona të tjerë.
Shihet se një motor me dy persona me skafandra ka ndaluar para tavolinës ku ndodhej 32 vjeçari. Të paktën nga kallëzimi i tij, njëri nga personat ka nxjerrë armën, por sipas Bushatit nuk ka arritur të shkrepet. Dy personat e tjerë që e shoqëronin nuk e kanë kuptuar në momentin e parë. Bushati ka qenë i pari që ka pikasur dy personat sepse ka qenë në pozicion paralel me ta.
Sipas gazetarit Merin Maçi, ky kallëzim i tij është marrë nga Policia e Shkodrës dhe pavarësisht se është ndjekur itinerari i lëvizjës së këtij motori, nuk është arritur të vihet në gjurmët e tyre.
Në “Opinion” u shfaqën edhe pamjet e vënies së tritolit në banesën e familjes Bushati.
Kujtojmë se 32-vjeçari është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës 2 vjet më parë.
“Shi” me plumba për 300 metra, gazetari tregon detajet rrëqethëse nga atentati në Shkodër
Gazetari Merin Maçi ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin që ndodhi këtë të mërkurë në Shkodër e ku humbën jetën 3 persona.
Nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan ku ai ishte i ftuar, Maçi tha se Hamza Lici dhe Arlind Bushati janë qëlluar me armë për rreth 300 metra.
Sipas gazetarit është fat që në zonë kanë shpëtuar qytetarë të tjerë pa u prekur nga breshëria e armëve pasi bëhet fjalë për një zonë me shumë lëvizje.
“Fatmirësisht është një zonë ku kanë shpëtuar dhe qytetarë të tjerë të prekeshin pasi autorët dyshohet se e kanë ndjekur makinën dhe për rreth 300 metra, ata kanë qëlluar në lëvizje. Për 300 metra rresht, ata kanë bërë lëvizje për tu siguruar që dy personat që ndodheshin në automjet, pavarësisht se i mbetet hetimit për të kuptuar nëse kanë qenë të dy objektiv apo njëri prej tyre prej 300 metrash autorët që dyshohet të kenë qenë tre persona, dy në rolin e qitësit dhe një si shofer, kanë qëlluar me breshëri”, tha gazetari Maçi.
Ndërkohë në brendësi të makinës së dy viktimave, krahas tre armëve të zjarrit që janë gjetur, është zbuluar edhe një gëzhojë çka tregon se nga ana e tyre ka patur një shkëmbim zjarri me autorët.
“Makina e tyre është kundërpërgjigjur”, tha gazetari.
Kujtojmë se nga kjo ngjarje humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha. Bashkëshorti i kësaj të fundit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pak metra larg shtëpisë, prindërit e 3 fëmijëve që u gjendën në mes të atentatit fatkeq
Bashkim (67 vjeç) e Flutura Basha (56 vjeç) mbaruan punën, për t’u kthyer në shtëpi si çdo ditë. Por kjo e Mërkurë do të ishte fatkeqe për ta, pasi pak metra larg banesës së tyre u gjendën në një situatë tmerri.
Në mes të zhurmës së plumbave në seri, motoçikleta e tyre u përplas nga një makinë. Te kjo e fundit ndodheshin Hamza Lici (23 vjeç) e Arlind Bushati (32 vjeç), të dy viktima të atentatit në atë kryqëzim.
Flutura ndërroi jetë, duke lënë pas 3 fëmijët dhe bashkëshortin në gjendje kritike shëndetësore. Siç tha gazetarja Emi Kalaja për “Opinion”, çifti lëviznin përditë në këtë orar në vendin e quajtur “5 Heronjtë e Vigut”.
Krimi nuk kurseu sot as dy njerëz krejtësisht të pafajshëm, të cilët punonin me mund e djersë për të siguruar jetesën. Bashkimi, i cili aktualisht është në betejë për jetën, punon si marangoz. E pas pune, bashkë me të shoqen merreshin me tokat bujqësore.
“Shkodra totalisht e boshatisur”, Bardh Spahia: Ngjarja e rëndë shënoi bilanc lufte
Shkodra u trondit sot nga një ngjarje e rëndë. Si pasojë e një atentati në Dobraç të Shkodrës mbetën të vrarë tre persona, mes tyre dhe një grua e pafajshme, kurse bashkëshorti i saj, Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rënduar, duke luftuar për jetën.
Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan tha se sot Shkodra ishte e boshatisur nga qytetarët. Ngjarja e rëndë shënoi një bilanc lufte në këtë qytet. Teksa më tej shtoi se ngjarja ishte e paralajmëruar duke marrë shkas nga atentati i disa javëve më parë ndaj 32-vjeçarit Arlind Bushati. Sipas Bardh Spahisë është shqetësuese fakti që krimi i organizuar ka marrë nën kontroll totalisht gjithë vendin, e në veçanti Shkodrën.
Bardh Spahia: Shkodra sot po e mbyll ditën me një masakër, me një bilanc lufte. E filloi me djegien e dy makinave në përdorim të një oficeri policie në mëngjes dhe e vazhdoi ditën me atë masakër të tmerrshme, që mori dhe jetë të pafajshme. Sigurisht që nuk ishte e paparalajmëruar me të drejtë e tha dhe gazetarja nga Shkodra, me të drejtë themi se ishte një ngjarje e paralajmëruar.
Blendi Fevziu: Për arsye të atentatit të tre javëve më parë.
Bardh Spahia: Për arsye të asaj tentative të tre javëve më parë apo dhe ngjarjeve të tjera të mëparshme. Ajo që kuptojnë sot qytetarët shkodranë, të cilët e kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë këtë situatë sot. Po më njoftonin miqtë dhe të njohurit e mi që Shkodra sot ishte një qytet pothuajse i boshatisur.
Blendi Fevziu: Kur ndodh një situatë si kjo njerëzit zhduken, kjo është normale. Mbyllet secili në shtëpi.
Bardh Spahia: Pra atmosfera në një qytet nga më të rëndësishmit e Shqipërisë, i cili njihet jo vetëm për kulturën, por dhe për atmosferën e gëzuar, festive, gjendet sot thellësisht i tronditur dhe i pafuqishëm, i vetëm karshi krimit të organizuar i cili duket sikur ka marrë totalisht nën kontroll situatën në Shqipëri në përgjithësi dhe veçanërisht në Shkodër.
Blendi Fevziu: Spahia, kjo përplasje mesa bandave është për interesa apo është për banalitete, se këtu duket sikur është për banalitete.
Bardh Spahia: Ka për interesa, ka dhe për ngjarje krejtësisht banale. Ajo se çfarë është e rëndësishme, është se çfarë vërehet tek qytetarët sot, që është sensi i vetmisë së plotë në përballje me këtë situatë. Ajo se çfarë është evidente sot dhe që dëgjohet nga çdo qytetar i Shkodrës, është mungesa e plotë e shtetit dhe aq më keq akoma përfshirja e strukturave të shtetit, të cilat do të duhet të luftonin krimin e organizuar dhe këto banda janë thellësisht të përfshira në këto ngjarje, të përdorura nga krimi edhe madje të imponuara dhe të drejtuara nga krimi organizuar.
Pak sekonda pas atentatit në Shkodër, Opinion publikon pamjet e reja
Në emisionin “Opinion” u publikuan dy video të filmuara nga qytetarët pak sekonda pas atentatit në Shkodër.
Në momentin e filmimit atje nuk kishte mbërritur ende policia, ndërsa qytetarët përpiqeshin që t’u jepnin ndihmën e parë të plagosurve.
Një prej qytetarëve shfaqet duke vënë duart në kokë ndërsa sheh dy Bashkim dhe Flutura Bashën të shtrirë në asfalt. Përplasja ka qenë shumë e fuqishme aq sa e ka fluturuar motorin disa metra larg çiftit Basha.
Ndërkohë edhe makina tip “Benz” ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati ka pësuar dëmtime të shumta, fillimisht si pasojë e të shtënave e më pas si pasojë e humbjes së kontrollit duke u përplasur fort.
Por ajo që vihet re në video është prani shumë e lartë e qytetarëve në momentin e ngjarjes. Skenës së krimit nuk i kanë shpëtuar as fëmijët, ku një nxënës duket se shikon çfarë ka ndodhur gjatë masakrës.
“Nënës i çuan në morg trupin e djalit 20 vjeçar”, jetët e pafajshme që u morën nga dora kriminale
Mjafton të bëjmë një bilanc të viteve të fundit për të kuptuar se të shumtë janë njerëzit e pafajshëm që nuk janë kursyer nga dora kriminale.
Më 26 Qershor 2021, 4 persona mbetën të vrarë dhe 2 të tjerë u plagosën pas një sherri për shezlongë në Velipojë. Një prej viktimave ishte kamarieri i lokalit aty pranë, 20 vjeçari Myzerim Zeneli, i cili e kishte ditën e tij të parë të punës. Siç ka treguar nëna e tij, 3 ditë para ngjarjes ai festoi maturën bashkë me shokët. Madje ajo kishte ëndërruar t’i blente xhaketën më të bukur, por nuk ia doli dot. Nëna e tij punonte në morgun e qytetit dhe nuk e kishte menduar kurrë se atë ditë do i çonin trupin e pajetë të djalit të saj.
Tirana u trondit nga breshëritë e armës së zjarrit mbrëmjen e 12 Marsit 2023. Të shtënat ishin drejt një lokali në pronësi të vëllezërve Murati. Si pasojë e plumbave humbi jetën banakierja 58 vjeçare Mimoza Paja, e cila punonte 16 orë në ditë. Në një nga tavolinat e lokalit ishte mbesa e saj e cila nuk mund të qëndronte vetëm në shtëpi. Ulej e priste gjyshen derisa të mbaronte punën.
Erion Çela, 35 vjeç, u vra gabimisht më 4 Janar të vitit 2024 në një lokal në Don Bosko. Shënjestër e atentatit ishte Geron Hasanbelliu. Autorët ngatërruan objektivin.
Gledio Muka, kamarieri 36 vjeçar dhe 47 vjeçari Marsel Çela (klient në lokal) humbën jetën tragjikisht më 21 Korrik 2024, në një lokal në Memaliaj. Atentati kishte në shënjestër babai Andrea Kalemit.
Tritoli në një pallat në Elbasan më 15 Korrik 2024, ku “objektiv” ishin motrat Alda dhe Xhovana Nikolli, i mori jetën aksidentalisht komshiut të tyre. 29 vjeçari Enea Themollari vdiq më 4 Tetor 2024 në spital.
Sot, më 30 Tetor 2024 u aksidentua për vdekje Flutura Basha (56 vjeç), pasi u përplas nga makina që ishte në shënjestër të atentatorëve në Dobraç të Shkodrës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është bashkëshorti i saj Bashkimi (67 vjeç).
/tvklan.al