Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Blerim Gjeladini, Anxhela Faber, Gentian Progni, Paulin Vilajeti, Ermal Hasimja, Barbara Doda, Edlira Dyrmishaj, Besart Xhaferri

Emisioni i tretë i ngritur mbi tematikën e vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. I mituri u vra me thikë nga një bashkëmoshatar si pasojë e një sherri që nisi në rrjetet sociale. Çfarë po ndodh nën shoqërinë shqiptare? Pse po rritet një brez i dhunshëm? Sa është përgjegjësi e jona? Sa është përgjegjësi e rrjeteve sociale? Si mund t’i mbrojmë fëmijët nga rrjetet sociale që po kthehen në një shqetësim, sidomos për ata që nuk janë ende të formuar?

“Thika i preku zemrën”, babai i 14-vjeçarit të vrarë rrëfen mes lotëve si mësoi lajmin e hidhur

Florina dhe Engjëll Cani, nëna dhe babai i 14-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e goditjes me thikë kanë dhënë një dëshmi tejet prekëse për emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Mes dhimbjes së madhe për humbjen e djalit, Florina dhe Engjëlli kanë rrëfyer si e mësuan lajmin e kobshëm të vdekjes së të birit.

Engjëll CaniUnë e mora vesh rastësisht, po punoja në një hotel, më merr nusja në telefon dhe më thotë “merre mësuesin se ka shkuar në spital”. Mendoja se mund të ketë bërë ndonjë sherr të vogël, ose mund të ketë pasur ndonjë goditje ose diçka. Mora mësuesen dhe nuk më përgjigjej, mora përsëri dhe ika tek Spitali Ushtarak. Më thanë që djali juaj është në sallë të operacionit dhe është goditur vetëm një herë, ka mundësi të shpëtojë. Pas 1 orë ore, ose gjysëm ore nuk e di se kam qenë i tronditur, më thirrën doktorët dhe më thanë që nuk mundi të mbijetojë Martini, i kishte prekur zemrën.

Florina Cani: Më njoftoi mësuesja, më thanë se ka ndodhur një sherr. Nuk kishim dijeni. Ai ishte fëmijë që nuk bënte sherr me njeri. Ishte lider.

“Jemi të shokuar”, reagon për herë të parë babai i autorit të dyshuar të vrasjes së nxënësit 14-vjeçar

Babai i autorit të dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik.

Emisioni Opinion në Tv Klan ka kontaktuar me babain e autorit të dyshuar të vrasjes.

Babai i të dyshuarit nuk ka pranuar të jepte intervistë, por dha një mesazh gjatë një bisede telefonike me stafin e Opinion, që u lexua nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu.

“Edhe unë jam në të njëjtën situatë si familja Cani, vetëm që arkivolin nuk e kam në shtëpi. Dhimbja është shumë e madhe, ne jemi munduar gjithë jetën ta edukojmë fëmijën tonë në rrugën e drejtë. Jemi të shokuar”, është shprehur babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Martinit.

Dy nxënësit u konfliktuan pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku të dy ishin nxënës. 14-vjeçari Martin u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, duke humbur jetën. Autori i dyshuar është arrestuar nga policia.

“Dua të bëhem si Ronaldo”, nëna e 14-vjeçarit të vrarë s’mban dot lotët kur zbulon ëndrrën e të birit

“Dua të bëhem si Ronaldo, do të bëhem i famshëm”, ka qenë kjo ëndrra më e madhe e 14-vjeçarit të vrarë në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga bashkëmoshatari i tij.

Në një rrëfim shumë prekës, nëna dhe babai i 14-vjeçarit, Florina dhe Engjëll Cani kanë treguar se çfarë dëshironte të bëhej djali i tyre në të ardhmen.

Pyetje: Çfarë nxënësi ishte Martini në shkollë?

Engjëll Cani: Martini deri në klasë të 6 ka qenë gjithë 10. Ka qenë me fleta lavdërimi. Ai vazhdoi sportin…

Florina Cani: Donte të ndiqte ëndrrën e tij, thoshte “dua të bëhem si Ronaldo”.

Engjëll Cani: Thoshte “dua të bëhem si Ronaldo”.

Engjëll Cani: Mirë i thoshim ne. E dërgonim në stërvitje, e sillnim, rrinte me shokët.

Pyetje: Çfarë ëndrrash kishte Martini?

Engjëll Cani: Martini thoshte dua të bëhem si Ronaldo, do të bëhem i famshëm. Më thoshte “babi mos më ki merak, mua më njohin të gjithë”.

“Kishim vendosur të iknim nga Shqipëria”, babai dhe nëna e Martin Canit flasin me zemër të thyer

Babai dhe nëna e Martin Canit, 14-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht si pasojë e goditjes me thikë nga bashkëmoshatari i tij kanë folur për planet e tyre për të emigruar.

Në një rrëfim tejet të dhimbshëm për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Engjëll dhe Florina Cani thonë se prej 12 vitesh po presin që të largohen nga Shqipëria.

Pyetje: Kur keni biseduar për herë të fundit me të?

Florina Cani: 1 natë para se të ndodhte. E pyeta “Martin a ke ndonjë shqetësim”, jo më tha, asgjë. Iku për shkollë në mëngjes. Më tha “o ma po iku për shkollë, iku si çdo ditë dhe nuk më krijoi asnjëlloj dyshimi”.

Pyetje: Me çfarë merreni?

Engjëll Cani: Punoj shef salle në një hotel, afër SPAK-ut. Zonja është marrë me rritjen e kalamanjve, ka punuar mësuese në vendlindjen tonë, është marrë me rritjen dhe edukimin e tyre.

Pyetje: Është e vërtetë që kishit vendosur që të largoheshit nga Shqipëria pak kohë më vonë?

Engjëll Cani: Kisha vendosur të largohesha nga Shqipëria. Unë kam bashkim familjar me tim vëlla dhe gjithmonë na premtonte vëllai që do të vini sa më shpejt. Kanë kaluar 12 vjet që po presim. E kisha të pamundur… Kam edhe një djalë të vogël. Akoma nuk e ka pësuar lajmin. I kemi thënë që “Martinin e ka marrë Kombëtarja”.

Vrasja e 14-vjeçarit, pastori Paulin Vilajeti: Ndjenja e të qenurit i pari po e vret këtë brez

Vrasja e 14-vjeçarit në afërsi të shkollës “Fan Noli” ka tronditur mbarë opinionin publik. Pastori Paulin Vilajeti i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan që edhe mbrëmjen e sotme trajton këtë ngjarje të rëndë shprehet se pabarazia shoqërore është një ndër aryset kryesore të këtyre sjelljeve në shoqëri.

Pastori Vilajeti u shpreh se ndjenja e të qënurit i pari është ajo që po e vret këtë brez dhe se mbyllja e rrjeteve sociale nuk është zgjidhje në këtë rast.

Pastori Paulin Vilajeti: Unë besoj se ka shumë arsye dhe do të veçoja ndoshta tre që unë mendoj që janë themelore. Jeta larg zotit, e dyta kjo pabarazia në shoqërinë shqiptare dhe jo nga ana financiare, por në të gjitha drejtimet dhe kjo ndjenja e turpit. Në brezin e të rinjve ti ndjehesh i turpëruar dhe duket sikur kjo lloj ndjenje i çon deri në këto akte ku ata i marrin jetën njëri-tjetrit.

Kjo është ndjenja e pabarazisë dhe kjo është ndjenja brenda këtij brezit. Ky brez do të jetë njësoj dhe të imitojnë njëri-tjetrin sepse duan të jenë të parët dhe kjo është një fatkeqësi shumë e madhe për këtë brez. Ajo që unë ndjej dhimbje sepse ne nuk ndalojmë. Unë mendoj është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë sonë sepse rrjetet sociale janë si një armë që nëse e përdor në mënyrë të gabuar ajo të vret. Rrjetet sociale nuk janë ato që shkaktojnë të gjithë këtë gjë dhe jo vetëm kaq, por është e dhimbshme sepse unë jam aktiv në Tik Tok dhe është e habitshme se si fëmijë më shajnë dhe nuk kanë lidhje me atë që them.

Unë mendoj që kjo ndjenja e të qënurit i pari është ajo që po e vret këtë brez dhe nuk mendoj që mbyllja e rrjeteve sociale mund t’ju heq thikën nga dora e pistoletën nga brezi. Ne duhet të ulemi për t’ju hequr këto gjëra që kanë në dorë. Unë them është e mundur, por shoqëria shqiptare ka rënë dhe prindi nuk duhet ta lejojë fëmijën të dalë nga shtëpia nëse ka marrë vesh se ka ndonjë konflikt sado të vogël.

Ndër të tjera pastori u shpreh se prindërit shqiptarë sakrifikojnë shumë për fëmijët e tyre, por ndonjëherë kjo sakrificë është e pamjaftueshme teksa shton se nëse është nevoja ata duhet të lejnë edhe punën që të jenë më pranë fëmijëve nëse kanë probleme.

/tvklan.al