#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar : Iris Luarasi- Analiste, Marsela Karapanço – Autore, “Frontline”, Report Tv, Enton Abilekaj – Gazetar, “Dosja.al”, Jordan Daci – Konstitucionalist, Luçiano Boçi – Politikan

Këtë të hënë seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi me kaos dhe përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Seanca nuk zgjati më shumë se 30 minuta pasi deputetet e PD hodhën sende të forta në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali. Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji opozita paralajmëroi një kaos në Kuvend dhe zhvillimin e një proteste të madhe kombëtare. Teksa forcat e gardës bllokuan foltoren, opozita në shenjë revolte zhvendosi karriget në ambientet e jashtme për t’u vendosur më pas flakën. Kjo temë e aktualitetit politik diskutohet këtë mbrëmje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.

S’ka bojkot, por çfarë? Boçi zbulon në “Opinion” aksionin e opozitës

Para zgjedhjeve parlamentare, situata politike në vend nuk është aspak e qetë. Pas dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit Ervin Salianji, deputetët e PD-së rikthyen tensionin në sallën e Kuvendit. Ky vendim i gjykatës sipas tyre është “urdhër politik”. Mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion”, deputeti i PD Luçiano Boçi theksoi se opozita do vërë në funksion çdo instrument mosbindjeje, përveç bojkotit parlamentar.

“U gjet simbolika e duhur, por nuk është ky standardi. Do përshkallëzohet…Përjashto bojkotin, të gjitha janë të mundshme. Nëse ka luftë, do marrin luftë! Ajo që prevalon është lufta për ekzistencë politike, me aksion politik. Zgjedhjet grabiten dhe nëpërmjet aksionit dhe mosbindjes civile synohet ngritja e qeverisë teknike. Rama ka shpallur luftë dhe kërkon të eliminojë opozitën. Të burgosësh një deputet pa vepër, fakt e provë penale…Ne jemi në kufijtë e absurdit!”

Ai krahasoi kryeministrin Edi Rama me Enver Hoxhën.

“Edhe Hoxha dënonte me drejtësinë popullore, me prokurorë, dëshmitarë të rremë. Kënaqësia më e madhe e tij ishte kur dëshmitar të rremë bënte familjarin dhe ky lloj devijimi psiko-politik po ndodh edhe sot.”

Kujtojmë se seanca e sotme plenare zgjati më pak se 30 minuta, e shoqëruar me debate, hedhje mjetesh në drejtim të kryetares së Kuvendit e deri te djegia e karrigeve jashtë Parlamentit.

“Policia duhet të refuzonte arrestimin…”, godet Daci: Dënimi i Salianjit, pa ligj

Konstitucionalist Jordan Daci u shpreh këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se heqja e mandatit të Ervin Salianjit është i paligjshëm. Ai theksoi se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Këshilli i Mandateve në Kuvend duhej të mblidhej dhe të verifikonte kushtet e ekzistencës ose jo të mbarimit të mandatit të deputetit

“Mandati nuk mbaron vetvetiu. Duhej që Këshilli i Mandateve të mblidhej, të verifikojë kushtet e ekzistencës ose jo të mbarimit. Do të thotë të administrojë një vendim gjyqësor të plotë jo të shkurtuar. Me vendim të shkurtuar vetëm Shqipëria ka se në asnjë vend të botës nuk ekziston vendimi i shkurtuar si koncept. Edhe kodi jonë nuk e lejon këtë, pavarësisht se ka 30 vjet që e bëjnë përditë. Është një mbetje e viteve ’90. Edhe prokuroria iu drejtua kuvendit me autorizim për të kërkuar autorizim. Se çfarë ndodhi, nuk u mblodh mbledhja. Përfundimisht u ekzekutua në shkelje të hapur të Kushtetutës”, tha Daci.

Madje sipas tij, policia duhej të refuzonte arrestimin e Salianjit.

“Policia nuk duhej ta linte. Pra edhe nëse do vinte policia duhej të refuzonte”, tha ai.

Sipas Dacit, ligji të jep mundësinë që vendimi i gjykatës të ekzekutohet brenda 7 ditësh vullnetarisht. Prandaj sipas tij edhe njoftimi i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali sot për vakancën e mandatit nuk mund të bëhej pa një vendimmarrje në Këshillin e Mandateve. Sipas Dacit, Salianji nuk ka pasur mundësi të bëjë as rekurs në Gjykatën e Lartë.

Por çfarë mund të bëjë Salianji gjatë kësaj kohe?

“Ai ka bërë një kërkesë për shtyrje të ekzekutimit. Deri në 3 muaj e ka Gjykata e Shkallës së Parë. Mund ta marrë si vendim. Tjetër mund të kërkojë pezullim të ekzekutimit nga gjykata e Lartë, pra Kolegji Penal mund të vendosë pezullimin ose jo. Nëse vendos pezullimin ai lirohet dhe pastaj çdo gjë mbetet pezull. Ligji për dekriminalizimin është një ligj ekstrem, më ekstremi në gjithë botën. Ai thjesht nuk do jetë në burg, por ka një vendim të formës prerë ndryshe nga ajo që thotë gjykata e lartë për efektet e saj. Mund të kërkojë lirimin para kohe me kusht pasi të bëjë 2 të 3 e dënimit. Nga ana tjetër koha e mbetur harxhohet me procedurë derisa të merret vendim. Mund të fitojë një muaj ose më pak”, tha Daci.

Daci shprehet se Salianji duhet t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese pasi dënimi i tij është kryer pa u bazuar në ligj. Këtu mori shembujt e vendimeve të Gjykatës së Lartë ku thuhet se kallëzimi publik nuk është kallëzim dhe nuk përbën vepër penale.

“Ai duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sidomos që një rast ku jemi para një dënimi pa ligj në këndvështrimin tim. Nuk kam bërë kurrë kompromis me bindjet e mia profesionale dhe nuk më ka interesuar fare se cila anë është. Jam 1 mijë përqind i bindur që kallëzim publik, madje Gjykata e Lartë ka vendime që thuhet shprehimisht që kur kallëzimi është publik, nuk është kallëzim dhe nuk përbën vepër penale. Strasburgu ka me dhjetëra raste të tjera, sidomos në rastet e gazetarëve. Thotë fjala e lirë justifikon deri edhe sa të provokosh me një gjë të pavërtetë, të provokosh opinionin publik në të mirë, ndërgjegjësimit të publikut. Në këtë aspekt nuk është vetëm çështja e dënimit, por edhe e lirisë së shprehjes. Në momentin kur ti një opozitar nuk ka mjet tjetër për denoncimin, i thua të fus në burg për denoncimin nuk ka më opozitarizëm”, tha Daci.

Pyetja e gazetares ‘nevrikos’ Boçin: Po të ishe në vendin e Fevziut…

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u përfshi në debat me gazetaren Marsela Karapanço këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Shkak u bë një pyetje e gazetares Karapanço për aksionin e opozitës dhe nëse me këtë po krijohet alibia për humbjen e radhës së opozitës.

Por kjo pyetje për Boçin, për shkak se është përsëritur, është bërë banale. 

Marsela Karapanço: Në këtë aksion që keni ndërmarrë sot a po krijoni alibinë për një humbje të radhës?

Luçiano Boçi: Tashi, po të ishte në vend të Blendit do ta pranoja, por zakonisht e keni bërë kaq shumë…

Marsela Karapanço: Mua më lejoi që të bëj pyetje. Unë nuk vij për analiste, thjesht bëj detyrën time si gazetare.

Luçiano Boçi: Jo se pyetja është banale në vetvete, por duke u përsëritet një pyetje shumë bëhet banale. Është bërë kaq. S’po them atë të deja vu se ajo është konsumuar.

Marsela Karapanço: A keni një përgjigje, a ju duket kjo…

Luçiano Boçi: Po mirë pra, do flasësh ti apo unë? Ti bën pyetjen dhe jep përgjigjen. Ma lër kohën që të jap përgjigjen. Ajo që transmetojmë ne dhe pranohet nga të gjithë është që nuk ka një shtrat i cili do krijonte kushtet dhe mundësitë që zgjedhjet të ishin të lira dhe të pakontestueshme.

Blendi Fevziu: Si do bëhen?

Luçiano Boçi: Me luftë, pra me aksion. Kjo luftë nuk ka përfunduar o Blend.

“I ra foltorja”, Abilekaj zbulon çfarë i ka ndodhur Bardhit: E ka këmbën në akull…

Kreu i grupit të PD Gazment Bardhi është një prej 24 emrave për të cilët PS ka kërkuar përjashtimin e tyre nga Parlamenti. Kjo pas situatës kaotike sot në Kuvend, ku përpos debateve e djegies së karrigeve disa deputetë hodhën sende në drejtim të Elisa Spiropalit.

Madje Bardhi dëgjohej në një moment teksa u thoshte kolegëve të opozitës: “Bjeri, bjeri!” Sipas gazetarit Enton Abilekaj, demokrati ka këmbën në akull pasi është dëmtuar në sallën e Kuvendit.

Vrau këmbën në Parlament, i ra foltorja te këmba. E ka këmbën në akull. Ishte i ftuar në një emision dhe e ftuan ata”, tha ai këtë të Hënë në “Opinion”.

/tvklan.al