Të ftuar: Alfred Peza, Mentor Kikia, Artan Hoxha, Mustafa Nano, Armand Shkullaku dhe Mark Marku. Në lidhje direkte për çështjen e Alvin Berishës: Ermir Gjinishi dhe Bedri Elezi në Skype. Për ngjarjen e Durrësit: Spartak Koka.
AUDIO/ Publikohen bisedat për operacionin e shpëtimit të Alvin Berishës nga Siria
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan është transmetuar një material audio i një personi të përfshirë në operacionin për shpëtimin e të miturit shqiptar Alvin Berisha nga kampi i Al-Holit në Siri.
Ky person, sikurse u shpreh drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, raportonte edhe tek Presidenti Ilir Meta për operacionin e shpëtimit.
“Fëmija erdhi në Damask tani. Tani më telefonoi z.XXX. Fëmija është në Damask tani. Nesër në mëngjes do të nisemi nga aeroporti i Bejrutit për në Romë. Nesër, nesër. Është ok? Ishalla nesër pasdite do të jemi në Romë nga Bejruti. Tani z.XXX më telefononi. Shumë faleminderit”!
Operacioni, që u iniciua nga forcat italiane për shpëtimin e Alvin Berishës, kishte nisur në fillim të kësaj jave dhe ishte mbajtur sekret. Aktualisht, Alvini ndodhet në Berut dhe është në gjendje të sigurtë. Mëngjesin e së premtes pritet të mbërrijë në aeroportin e Romës në Itali.
Si u shpëtua Alvini, Gjinishi: Forcat speciale shqiptare nuk morën pjesë
Studuesi Ermir Gjinishi ka bërë të ditur këtë të enjte detaje rreth operacionit për shpëtimin e Alvin Berishës nga kampi i Al-Hol në Siri. Gjinishi deklaroi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se lajmi për nisjen e një operacioni ka dalë në mediat arabe që më 31 Tetor.
Ai theksoi se këto media konsiderojnë Presidentin e Republikës si personin që ka qenë në dijeni dhe në ndjekje të operacionit. Sipas Gjinishit, prania e Ministrisë së Brendshme nuk ka qenë fare e nevojshme.
Sipas tij Shqipëria duhet të asistonte vetëm me letra udhëtimi.
“Lajmi në mediat ndërkombëtare është dhënë që më 31 Tetor. Ka afro një javë që është bërë e ditur në lajmet ndërkombëtare arabe për fillimin e operacionit për kthimin në shtëpi të Alvinit. Unë kam një nga gazetat egjiptiane, e cila njofton më 31 Tetor fillimin e operacioni nga Shipëria në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare për marrjen nga Al Hol të Alvinit. Presidenti i Republikës cilësohet në lajmet në gjuhë arabe si dijenia dhe ndjekja e këtij operacioni. Ministri i Brendshëm ka ndenjur gjithë kohës në Bjerut. Nuk e ka kaluar fare kufirin. Nuk ka qenë fare e nevojshme të përfshihet Ministria e Brendshme. Ne themi djali është shqiptar, por ai është nisur nga Italia. Ne duhet të asistonim vetëm me letra udhëtimi për të bërë të mundur kalimin nga Bejruti në Itali.
Duhet të jemi të rezervuar nuk bëhet fjalë për djalin Alvinin që trajtojmë sot sepse është më i lehtë. Problemi i madh mbetet 27 fëmijët e tjerë shqiptarë. Ka disa fëmijë që kanë lindur në Siri. Ky është problemi i madh që do merret direkt shteti. Letrat e udhëtimit i ka përgatitur ambasada jonë në Egjipt. Kjo ka qenë e vetmja asistencë e palës shqiptare”, tha Gjinishi.
Gjinishi tregoi të gjithë rrugën që është ndjekur për shpëtimin e Alvinit. Gjinishi deklaroi se lajmi që forcat speciale shqiptare kanë marrë pjesë në operacion nuk është i vërtetë.
“Operacioni në bazë të dhënave mediatike arabe mësohet se ka nisur më 31 Tetor. Ka dalë edhe në mediat e Kosovës dhe Maqedonisë. Nuk e di pse në Shqipëri ky lajm është censuruar. E vetmja palë e cilësuar konsiderohet Presidenti i Republikës që po bashkëpunon me palët që kanë autoritet në zonë. Para 4 ditësh, djali është transportuar në Qamishli. Është një qytet i afërt. Ka qenë baza më e afërt e sigurtë. Aty ka qenë nën mbikëqyrje e Ali Mënsurit, i cili është kryetari i Gjysmë Hënës në Qamishli. Vetëm dje ka mbërritur në Damask, që tregon se rruga ka qenë shumë e vështirë. Kjo zonë është e pasigurtë. Jo vetëm që nuk kontrollohet, por ka shumë grupe terroriste që vazhdojnë, kanë kontrollin e tyre. Nuk është se dominojnë gjatë gjithë kohës. Janë mbetje të ISIS-it. Është transportuar në Damask dje. E vërteta është që deri dje nuk ka pasur asnjë nga palët dijeni. Dje për herë të parë është njoftuar Françesko Roka, kryetari i Kryqit të Kuq ndërkombëtar në rajon. Ka qenë Khalid Behati bashkë me autoritetet siriane, ia kanë dorëzuar sot në kufi, Françesko Rokas. As ky nuk e ka kaluar kufirin. Ka qenë një operacion i fshehtë. Edhe babai i Alvinit është lajmëruar që mbrëmë. Në momentin që djali ka kaluar kufirin është çdo gjë e sigurtë. Ajo që është thënë sot në mediat shqiptare që forcat speciale shqiptare kanë marrë pjesë në operacion nuk është i vërtetë. Nuk është puna të godasim një institucion apo institucion tjetër. Duhet të tregohemi seriozë. Pala shqiptare ose ministri jonë deri sot nuk ka pasur informacion. Kontakti i ministrit ka qenë vetëm me autoritetet e ambasadës italiane në Bejrut sepse nuk ka qenë e nevojshme që ministri të përfshihet në operacion”, tha Gjinishi.
Bisedat audio/ Alvin Berisha u rrëmbye nga forcat speciale italiane
Një material i dytë audio për operacionin e shpëtimit të Alvin Berishës, është transmetuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Në këtë material audio, personi që flet lë të kuptohet se djaloshi shqiptar Alvin Berisha është rrëmbyer nga forcat speciale italiane nga kampi i Al-Holit në Siri, të cilat fillimisht u prezantuan si gazetarë.
“…si je. Dikush ka marrë…Jo, jo, jo një delegat apo zyrtar. Dikush ka provuar ta rrëmbejë djalin e ta marrë me vete. Nuk dihet ku dhe kur. Të paktën mua nuk më tha njeri. Një grua erdhi të bëjë një reportazh. Thotë që erdhi për hesap të babait. Dhe dikush e mori fëmijën dhe unë nuk di gjë. Vetëm kaq di. Ne jemi ekipi italian, erdhëm të pyesim sepse dëgjuam që ai është kthyer në shtëpi. Por ne nuk e dimë nëse ka shkuar në shtëpi apo është marrë peng”.
Alvin Berisha ndodhet aktualisht në Bejrut në gjendje të sigurtë dhe do të transportohet në Romë. Operacioni për shpëtimin e tij ishte mbajtur sekret dhe u realizua me sukses nga forcat speciale italiane në bashkëpunim me ato shqiptare.
Shkullaku: Ministri i Brendshëm e ka vendin në zyrë, ç’do në Bejrut?
Analisti dhe gazetari Armand Shkullaku e konsideron të pakuptimtë praninë e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Bejrut për të pritur Alvin Berishën që u shpëtua nga kampi i Al-Hol në Siri. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku theksoi se ministri Lleshaj do të duhej të qëndronte në Itali në zyrën e homologut të tij për të ndjekur operacionin e shpëtimit.
“Gjithë operacioni është kryer nga forcat italiane nën drejtimin e strukturave të posaçme të qeverisë italiane. Kur e mora vesh që ministri ishte në Liban, thashë ose ka shkuar se është Gjeneral dhe po drejton ndonjë plan në terren dhe largqoftë mund t’i ndodhte ndonjë gjë. Sepse normalisht unë mund ta kisha parë ministrin e Brendshëm shqiptar në Itali, në Romë, në zyrën e kolegut të tij italian duke ndjekur nga një ekran, kompjuter. Dhe presidenti amerikan ndjek operacionet shumë herë më të vështira se ky nga një zyrë e Shtëpisë së Bardhë dhe nuk del atje me flamur Sekretari i Mbrojtjes kur kryen aksione kaq të mëdha. Kjo tregon provincialitetin dhe kompleksin që ne kemi për çdo ngjarje, patjetër do nxjerrin foto, do bëjmë selfie, do bëjmë filmime, do nxjerrim flamurin. Ministri i Brendshëm e ka vendin në zyrë, se ç’do në Bejrut unë nuk e di. Mund të ishte maksimumi zv/ministri i Jashtëm atje për çështje diplomatike, bëhen letrat, Konsulli i Nderit është aty”.
Ministri Lleshaj ka pritur sot në Bejrut fëmijën shqiptar Alvin Berisha, pas largimit nga Siria. Alvini qëndronte në kampin e Al-Holit pa asnjë familjar, pasi e ëma e tij që kishte shkuar në Siri ku ishte martuar me një ekstremist, ishte vrarë gjatë luftës. Ndërsa babai i Alvinit jeton në Itali dhe prej kohësh kërkon kthimin e të birit.
“Dua të shkoj në Tiranë”, gazetari: Kur kthehet Alvini
Deri në këto momente Alvin Berisha është akoma në një hotel në Bejrut. Gazetari Artan Hoxha bëri të ditur nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se kthimi i tij do të bëhet ditën e nesërme.
Gjithashtu është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes përfaqësuesve të palës shqiptare dhe asaj italiane në Romë.
Hoxha tregoi në studio një detaj interesant. Alvini ka kërkuar që të vijë në Shqipëri, por leja e kalimit është dhënë për në Romë.
“Kanë marrë një eskortë të milicisë së Libanit dhe i kanë pritur në kufirin me Sirinë, kanë shoqëruar karvanin që vinte nga Damasku. Në momentin që nisëm emisionin djali ishte në hotel. Është lënë për nesër kthimi në Romë. Do ketë një konferencë të përbashkët të dy përfaqësuesve të dy ministrive të Brendshme italiane dhe shqiptare me gjithë fëmijë. Edhe pse në fakt fëmija kur ishte pyetur kishte thënë “dua të shkoj në Tiranë”. Megjithatë leja e kalimit ishte dhënë për në romë. Nesër do kemi një ceremoni të përbashkët të dy vendeve. Besoj kjo ka bërë që udhëtimi është shtyrë për nesër që të bëhet dhe pjesa e PR”, theksoi Hoxha, i cili shtoi se duhet një operacion tjetër për të tërhequr edhe shqiptarët e tjerë që kanë ngelur në Siri.
Atentati ndaj prokurorit, Koka: Kontrollohet banesa e të dyshuarit në Lushnje
Gazetari i Tv Klan Spartak Koka konfirmon se në Karbunarë të Lushnjes po kryhen kontrolle intensive nga policia lidhur me hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja më 1 Nëntor.
Në një lidhje me emisionin “Opinion”, gazetari Koka bëri me dije se u kontrollua banesa e një personi të dyshuar, të cilit gjatë muajit Tetor iu sekuestruan disa parash cash dhe një makinë të përfituara nga aktiviteti kriminal i pastrimit të parave. Por nga kontrolli në banesën e tij, policia nuk gjeti asnjë send të paligjshëm.
“Në Lushnje, në Karbunarë, aty ku dyshohet se një prej personave i cili ka marrë pjesë drejtpërdrejtë apo në mënyrë indirekte, të ketë dijeni për çfarë ka ndodhur në atentatin e datës 1 Nëntor. Bëhet fjalë për një kontroll në banesën e shtetasit me inicialet J.S. 37 vjeç, një eksponent i njohur i botës së krimit në qytetin e Lushnjes, i cili jeton mes Lushnjes dhe Durrësit dhe ka njohje dhe lidhje miqësore të afërta me grupin rival të shtetasit Pëllumb Muharremi. Këtij shtetasi të cilit i është bërë kontroll por që nuk i është gjetur asgjë në banesën e tij dhe në objektet ku ai dyshohet se ka veprimtarinë e tij, vetëm pak ditë më parë nga policia i janë sekuestruar në Tetor për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale rreth 70 mijë Euro cash dhe një automjet në vlerën e 100 mijë Eurove”.
Lidhur me këto hetime, Spartak Koka deklaron se ditën e martë ishte marrë në pyetje për 10 orë në Policinë e Tiranës një vajzë e njohur e showbizit shqiptar, e cila ka njohje me Redjan Rrajën, të arrestuarin e vetëm deri më tani për atentatin.
“Vajza e showbizit është shoqëruar mbrëmjen e së martës dhe është mbajtur për 10 orë. Është marrë në pyetje në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes apo për lëvizjet dhe aktivitetin e shtetasit Redjan Rraja përgjatë datës 1 Nëntor të vitit 2019”.
Gazetari Koka ka konfirmuar se në makinën e prokurorit Arjan Ndoja u gjetën dosje hetimore të 18 persona të arrestuar pak javë më parë për tjetërsimet e pronave në Kepin e Rodonit.
“Konfirmohet zyrtarisht se në automjetin e prokurorit Ndoja u gjet fotokopje e plotë e dosjes hetimore të prokurorit Afrim Shehu, aktet e ekspertimit të të cilave u vodhën vitin e kaluar në Maj dhe për të cilën u arrestuan më 25 Tetor të këtij viti 18 persona të akuzuar për tjetërsimin e 68 mijë metrave katrorë tokë në Kepin e Rodonit. Ka dokumente të tjera të cilat lidhen me ekstrakte pronash, nga pronat e familjarëve të gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, harta, akt-ekspertime dhe dokumente trashëgimie”.
Pjesa e I-Sekretet e operacionit Alvin!
Pjesa e III-Rrugë të sigurta, më pak aksidente!
/tvklan.al