Të ftuar:
Edi Rama – Kryeministri i Shqipërisë
Denada Toçe – Psikologe
Arbèr Hajdari – Fundjava ndryshe
Samir Mane – Biznesmen
Akil Pano – Pastor
Adela Masha – Shkolla ” Wilson”
Ketrina Jarazi – Aktiviste
Agron Shehaj – Deputet i PD
Arbër Hajdari i ‘Fundjavë Ndryshe’, të martën, tregoi si arriti të zbuloi rastin e 6 motrave nga Kukësi, që mbeten në mes të katër rrugëve pas vdekjeve të të dy prindërve.
“Vajzat u indifikuan kur u ndërroi jetë nëna, pasi një media lokale e publikoi rastin në fjalë. Ne shkuam menjëherë aty dhe vumë re se vajza e madhe vuante nga depresioni, pasi kishte tentuar edhe të vrasë dhe veten. Vëllai i madh i tyre ka marrë kujdestarinë”,- tha Hajdari.
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një tragjedi me proporcione të jashtëzakonshme rastin e prezantuar në emisionin ‘Opinion’, të martën në darkë, për gjashtë motrat e mbetura jetime pas vdekjes së prindërve në Kukës.
Rama: Rastin që jemi mbledhur këtu bëhet fjalë për një tragjedi në proporcione të jashtëzakonshme dhe janë për t’u falëndëruar të gjithë ata njerëz që merren me zbulimin dhe evidentimin e këtyre rasteve, por edhe spontaniteti i shumë njerëzve. Ky është një problem që shoqëria jonë fatkeqësisht e ka. Shoqëria jonë e ka një reagim të menjëhershëm kur një rast i ngjashëm shfaqet, ka një reagim spontan, por kur vjen puna tek ai spontaniteti i strukturuar dhe sistematik që është karakteristikë e atyre vendeve që kanë një shtet solid, këtu kemi edhe mangësitë tona. Kur vjen puna tek solidariteti i strukturuar ne kemi shumë boshlliqe.
Drejtuesi i ‘Fundjavë Ndryshe’, Arbër Hajdari, është shprehur të martën se për dy vite janë mbledhur rreth 3.5 milion euro donacione për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
Hajdari tha në studion e emisionit Opinion se biznesi privat është një nga aktorët kryesorë që ndihmon të tilla familjesh edhe pse në vendin tonë nuk mund të flitet për solidaritet të strukturuar si nga shteti, po ashtu edhe nga biznesi.
Emisioni ‘Opinion’ i ka kushtuar një emision të veçantë për fëmijët në nevojë. Rasti kyç sonte ishte edhe tragjedia e 6 motrave që mori një vëmendje të madhe nga transmetimi i një kronike në fillim të emisionit një javë më parë.
Historia e trishtë
Në fshatin Surrej, rreth 1 orë larg qytetit të Kukësit, jetonin 6 motra që kanë mbetur jetime.
Fati i mori babain 6 vite me pare, dhe nënën përpara 3 muajsh. Që nga ajo ditë, këto vajza jetime humbën kujdesin dhe dashurinë prindërore, shtëpinë, të drejtën për t’u shkolluar dhe mundësinë për të jetuar një jete normale.
Besarta është 15 vjeç dhe njëkohësisht motra e madhe. Ajo është ende e traumatizuar nga humbja e te dy prindërve dhe shtëpisë.
Motrat me te vogla, Doruntina dhe Dashamirja janë 7 vjeç. Ato sapo kishin filluar klasën e pare, por u detyruan ta lënë përgjysmë 3 muaj me parë për shkak të fatkeqësisë që i ndodhi.
Ajo që kërkojnë këto vajza është e thjeshtë: një vend që të mund ta quajnë “shtëpi” nga ku askush nuk mund t’i përzëre, një shkolle që ta frekuentojnë pa e ndërprerë, ushqim dhe dashuri nga çdokush që mund të dhurojë.
Kryeministri Edi Rama dhe biznesmeni Saimir Mane janë përplasur në studion e emisionit ‘Opinion’ në lidhje me dhurimin e 3% të sipërfaqes së ndërtimit për të pastrehët nga biznesi i ndërtimit në vend.
Rama tha se duke marrë shkas nga ky debat, biznesi i ndërtimit në vendin tonë nuk duhet të ankohet për ligjin e kaluar nga qeveria për dhurimin e 3% të sipërfaqes së ndërtimit për të pastrehët.
Me sa duket, biznesmeni Mane nuk është pajtuar me këtë argument, duke e kundërshtuar një nismë të tillë të qeverisë Rama.
Ai theksoi se biznesi e shpërndan vetë 3% për të pastrehët, duke e menaxhuar më mirë se sa t’ia lë në dorë shtetit.
Rama: Për atë ligjin e fundit që ne kaluma, që 3% e sipërfaqes së ndërtimit të kalojë për qëllime sociale, dhe ja kan bërë nderin më të madh edhe Arbrit, se mund të përfshihet jo vetëm në ndërtimin e shtëpive por edhe të identifikimit të rasteve. I kërkoj sipërmarrësve të mos ankohen.
Kjo është shtëpia e Elton Gjepalit, i cili jeton në Shijak së bashku me tre fëmijët e tij, Riza 10 vjeç, Ervini 9 vjeç dhe Griselda 3 vjeç. Nëna e tre fëmijëve, Meleqe Gjepali, ndërroi jetë përpara dy muajve, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh për shkak të leucemisë.
Riza, edhe pse vetëm një fëmije, ka marrë rolin e të ëmës duke u kujdesur për motrën e saj të vogël, Griseldën, dhe duke u bërë krahu i djathtë i babait të saj.
Fati e desh që ajo të rritej përpara kohe; t’i harronte lojërat me bashkëmoshatarët e saj dhe të kuptonte ç’është përgjegjësia që në moshën 8 vjeç, kur ajo fillimisht mësoi që nëna e saj vuante nga një sëmundje e rëndë.
Malli për Meleqen rritet çdo ditë, dhe mungesa e saj ndihet tej mase nga bashkëshorti i saj Eltoni, dhe tre fëmijët e tyre.
Familja Gjepali jeton në një shtëpi të vogël dhe në kushte shumë të vështira, diku në komunën Gjepal të Shijakut. Fëmijëve u duhet të ecin 1 orë e gjysmë çdo ditë për të shkuar në shkollë. Ata jetojnë me fare pak të ardhura, të cilat janë kryesisht ndihma nga njerëz te tjerë, dhe ndonjë punë rastësore që mund të gjejë Eltoni.
Këtë familje e ka ndjekur vazhdimisht fatkeqësia. Që pas humbjes së nënës, ata kanë humbur edhe ndihmën ekonomike.
Dëshira e Eltonit dhe fëmijëve të tij është fare modeste.
Deputeti Agron Shehaj është shprehur të martën se zgjidhja për të luftuar varfërinë në vend nuk është më bamirësia, por krijimi i mundësive.
Shehaj tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se një vend që ka shumë vend për bamirësi, do të thotë që politika ka dështuar.
“Nuk jam kundër bamirësisë, por shqiptarët kanë nevoj për mundësi”,- tha ai.
Deputeti i PD-së, u shpreh se është hera e parë që dhuron para, por që ka ndihmuar gjithmonë personat në nevojë.
“Unë financoj disa fondacione ekonomike. Unë i ndihmoj që t’ia dalin vetë jo t’i ushqej. I ndihmoj t’i trajnoj. Fondacionet e mia kanë të bëjnë me kategori në nevojë”, -citohet nga deklarata e tij.
Deputeti Agron Shehaj javën e kaluar deklaroi se do dhurojë rrogën e deputetit, për aq kohë sa të jetë i tillë për 6 motrat jetime dhe që kishin mbetur mes katër rrugëve pas vdekjes së dy prindërve.
Një nënë e abuzuar, e cila vuan jashtë mase sepse nuk është në gjendje t’i plotësojë as kushtet minimale tre vajzave te saj: ky është rasti i Mirela Lukës dhe të bijave Maristela 14 vjeç, Melisa 12 vjeç dhe Emanuela 3 vjeç. Pas 15 vitesh dhune sistematike, bashkëshorti i saj e braktisi. Që prej asaj kohe, Mirela e ka nxjerrë jetesën duke mbledhur lule dhe bimë mjekësore në kodrat e Vorës dhe duke i shitur.
Situata e vështirë ekonomike dhe psikologjike nuk janë të vetmet probleme të familjes Luka të cilat jetojnë në Vorë, dhe detyrohen të ndajnë një oborr me ish vjehrrit e saj. Maristela, më e madhja nga vajzat, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo ka probleme të rënduara të frymëmarrjes, e cila nuk e lejon të bëjë një jetë normale si të gjithë bashkëmoshatarët e saj.
Jo çdokush zgjohet në mëngjes, dhe ka ushqim në tavolinë. Jo çdokush ka një krevat për të fjetur. Mirelës dhe vajzave të saj i mungojnë këto, dhe më shumë. Gjendja e tyre psikologjike rëndohet akoma më tepër nga fakti që ilaçet e Maristelës janë të kushtueshme, dhe ato nuk kanë mundësi t’i blejnë.
Melisa, vajza 12 vjeçare e Mirelës, nuk kërkon asgjë më shumë për vete dhe të motrat sesa të jetë e barabartë me shoqet.
Thirrjet e tyre për ndihmë janë dëshpëruese. E vetmja gjë që ato kërkojnë, është një jetë më e qetë, më e shëndetshme dhe me kushte më të mira pas kaq shumë vitesh vuajtje.
Kjo dhomë me një sipërfaqe prej vetëm 10 m2 është ajo çka quajnë “shtëpi” Besniku dhe Everesti. Ata jetojnë vetëm me të ëmën Majlinda Kërtalli në Durrës. Babai i dy djemve dhe njëkohësisht bashkëshorti i Majlindës, ka ndërruar jetë disa vite më parë. Humbja e kryefamiljarit ia ka bërë jetën akoma më të vështirë kësaj familje.
Besniku dhe Everesti janë rritur pothuaj të gjithë jetën e tyre pa baba. Me vështirësi të mëdha, e herë në pamundësi, Majlinda është munduar me mish e me shpirt t’i plotësojë të paktën nevojat bazike, që ata të mos e ndjejnë shumë mungesën e të atit. Megjithatë jo rrallë herë nuk ja ka dalë, sepse të ardhurat e tyre janë minimale, gati qesharake.
Jeta u tregua mizore me këtë familje, duke i marrë shpresën dhe mbështetjen e vetme, babain e dy djemve, dhe duke i lënë në mëshirë të fatit dhe me sy nga qielli, në një moment tepër të vështirë dhe të rënduar ekonomikisht.
Everesti dhe Besniku janë thjeshtë fëmijë. Ata janë vetëm 12 dhe 9 vjeç, dhe kërkojnë ta jetojnë jetën e tyre me lojëra dhe pa shqetësime. Dy djemtë ende nuk janë në gjendje ta kuptojnë situatën e tyre ekonomike, e cila e bën nënën e tyre të derdhë lot sa herë që ata shprehin dëshira.
Shtëpia e tyre është e mbushur me sende të falura. Por familjes Kërtalli ende i mungon një banjo, ata shtrihen për të fjetur në tokë, dhe jo rrallë herë nata i zë të pangrënë.
E vetmja fije shprese që kanë Majlinda dhe dy djemtë e saj, është ideja që thirrjet dhe lutjet e tyre për ndihmë do të bien në veshin e njerëzve me zemra të mira do t’i ndihmojnë.