3-vjetori i nisjes së luftës ruse mblodhi në Kiev, krerë të shteteve mike të Ukrainës. Të pranishëm në një forum të nivelit të lartë, krerët e Bashkimit Europian, vendeve të tjera të kontinentit që nuk janë pjesë e unionit si dhe partnerë nga pjesa tjetër e globit diskutuan për rreziqet e reja të cilat i kanosen këtij vendi pasi me ardhjen e Donald Trumpit, mbështetja e aleatit të madh Shteteve të Bashkuara nuk është më e sigurt.
Për presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, lufta nuk kërcënon vetëm ekzistencën e Ukrainës, por të gjithë Bashkimit Europian.
“Lufta në Ukrainë mbetet kriza kryesore dhe më e rëndësishme që kërcënon të ardhmen e Europës dhe nuk rrezikon vetëm Ukrainën.”
E teksa kryeministri i Britanisë së Madhe dhe ai i Kanadasë patën qëndrime të përsëritura, njëri duke shpalosur paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë e tjetri duke ngritur edhe një herë zërin që Ukraina të pranohet në tyrezën e bisedimeve të paqes, vëmendjen e tërhoqi fjala me video-konferencë i kryeminsitrit të Shqipërisë Edi Rama, për të cilin, çështja e Ukrainës nuk zgjidhet vetëm me mbështetje ushtarake, por mbi të gjitha me diplomaci gjithëpërfshirëse.
“Në këndvështrimin tim Europës si kontinent i duhet një seri i gjatë diplomacie përfshirë Britaninë e Madhe, Turqinë, Bashkimin Europian sigurisht dhe të përcaktojë një qëndrim të qartë. Duhet një qëndrim pasi kam frikë se qasja nuk është në përputhje me opinionin publik veçanërisht në pjesën perëndimore të kontinentit, duke parë në të njëjtën kohë edhe Shtetet e Bashkaura dhe Rusinë të hartojnë një marrëveshje dhe Ukrainën që lihet jashtë ose që i imponohet diçka e padrejtë.”
Për Ramën, Europës i duhet një qasje e re e qartë, duke marrë parasysh ndryshimet në politikën e aleatit të madh Shteteve të Bashkuara.
“Kështu që prej shumë kohësh kemi qenë nën drejtimin e “autopilotit” amerikan dhe tani autopiloti siç duket është ç’aktivizuar, askush se di se për sa kohë dhe besoj se është koha për të patur një reflektim më të thellë sesa thjesht të flasim se ç’do të bëjmë me ndihmën ushtarake apo me shpenzimet për ushtrinë. Kjo sigurisht që është shumë e nevojshme por mund të mos jetë e mjaftueshme.”
Samiti u zhvillua teksa Washingtoni dhe Moska kanë ndërmarrë një nisme të re për vendosjen e paqes në Ukrainë, pa përfshirë në bisedime Kievin dhe Bashkimin Europian.
Tv Klan