Pavarësisht masave të marra nga Garda, e cila kishte rrethuar me kangjella hekuri Kuvendin, deputetët demokratë të përjashtuar nuk morën pjesë në seancë plenare. Vendimi në grup për të mos qenë të pranishëm shmangu situatat e konfrontimit me Gardën jashtë dyerve të parlamentit.

Por pavarësisht mungesës së të përjashtuarve, pjesa tjetër e opozitës vijoi të njëjtin skenar, atë të pamundësimit të punimeve të Kuvendit. Me pankarta në duar dhe zhurmuese, demokratët nuk lejuan socialistët të flisnin në foltore.

Ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës, Monika Kryemadhi, e cila ishte e pranishme në Kuvend, preferoi të mos i bashkohej deputetëve demokratë. Të vetmit që folën në këtë seancë të dedikuar për problematikat e zgjedhësve, që zgjati vetëm 20 minuta ishin 5 deputetë socialistë.

Jashtë Kuvendit, nënkryetari i demokratëve Oerd Bylykbashi tha se parlamenti nuk do ketë normalitet përsa kohë zgjedhjet janë vulosur nga krimi në pushtet.

“Nuk mund të jetë normalitet në një vend ku zgjedhjet janë vetëm një element farsë për të vulosur marrjen e pushtetit, ku krimi i organizuar është kokë e këmbë në marrëveshje me qeverinë, me Edi Ramën, me ministrat”, tha Bylykbashi.

Ndërsa Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka një masë me detyrim paraqitje, iu rikthye sërish akuzave ndaj kryeministrit Rama.

“Peshku i madh është Edi Rama në telefonin tim”, tha Kryemadhi.

Tv Klan