Opozita në Kosovë akuzon qeverinë për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit në dëm të interesave të qytetarëve. Për këtë, PDK dhe LDK i referohen në mënyrë të veçantë numrit të madh të kontratave të negociuara pa konkurrim, njohur ndryshe edhe si kontratat njëburimore.
Abelard Tahiri – kryetar i grupit të PDK: Mjafton me pa vetëm Korporatën Energjetike të Kosovës, ku e sheh që për dy vite kanë bërë kontrata një burimore rreth 106 milionë Eurove. Padyshim që kontrata të tilla në vete ngërthejnë skandale korruptive sepse ato janë të kundërligjshme sepse ligji e cakton qartë se kur duhet të jetë një kontratë njëburimore apo kur duhet të jetë një kontratë sekrete ku përjashtohet ligji i prokurimit.
Për LDK-në, nuk ka asnjë dyshim se në krye të këtij korrupsioni qëndron Kryeministri Albin Kurti.
Besian Mustafa – deputet i LDK: Është e qartë që koka e këtij korrupsioni është vetë Kurti, në të kundërtën nuk do t’i mbronte këta të korruptuar dhe do t’i shkarkonte. Fakti që i mbron do të thotë që është i njoftuar dhe është në bashkëpunim dhe në koordinim ose në monitorim ose nën urdhrin e vet zotrit Kurti bëhet i gjithë ky korrupsion në Qeverinë e tij në këto katër vitet e fundit.
Në të tilla kushte, PDK shpreh bindjen se në qeverisjen e ardhshme, kryeministër do të jetë kandidati i tyre, Bedri Hamza.
Tv Klan