Qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen më 9 Shkurt kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare që pritet të nxjerrin Kuvendin e ri e për rrjedhojë edhe qeverinë që do drejtojë vendin. Që prej 11 Janarit atje ka nisur fushata zgjedhore (Lexo më shumë).

Në garë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës. Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se në lista janë regjistruar 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës. Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

Këto zgjedhje në Kosovë organizohen sipas ligjit të ri për zgjedhjet. Votuesit mund të votojnë, ndryshe nga herët e kaluara, deri në 10 kandidatë të të njëjtit subjekt politik. Ndërkohë heshtja zgjedhore do të fillojë nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00. Pra është hequr ligji që detyronte heshtje 24 orë para ditës së zgjedhjeve.

Në këtë artikull, Tvklan.al do të mundohet t’ju tregojë të gjitha zhvillimet kryesore nga zgjedhjet në Kosovë deri më tani.


Cilat parti garojnë?

28 parti politike janë certifikuar për zgjedhjet e 9 Shkurtit, me 1280 kandidatë për deputetë në total. Secila parti mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën e re zgjedhore. Pikërisht nga këto lista do të zgjidhet edhe përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe më pas deputetët do të zgjedhin qeverinë e re.

Aktualisht, qeveria e Kosovës udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosja (LVV). LVV-ja është sigurisht mes 28 partive që garojnë në zgjedhjet e këtij viti. Për të garuar në zgjedhje janë certifikuar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Nismën, Nismën Socialdemokratike, Listën Konservatore dhe Furimin Intelektual-E-30.

Sa i përket partive serbe, edhe Lista Serbe është certifikuar. Por fillimisht për këtë u prodhua një betejë ligjore. Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe. Kjo parti më pas u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e cila i dha të drejtë duke urdhëruar KQZ-në që ta regjistrojë.

Më saktësisht, partitë në fletëvotimet për zgjedhjet e 9 Shkurtit në Kosovë janë renditur kështu:

•111 Iniciativa e re demokratike e Kosovës (IRDK); •112 Lista Serbe; •113 Jedinstvena Goranska Partija; •114 Partia Rome e Bashkuar e Kosovës; •115 Partia Liberale Egjiptiane (PLE); •116 Srpska Demokratija; •117 Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar; •118 Lëvizja Vetëvendosje; •119 Nova Demokratska Stranka; •120 Partija Kosovskih Srba; •121 Nasa Bošnjacka Koalicija; •122 Kosova Adalet Turk Partisi; •123 Partia e Ashkalinëjve për Integrim; •124 Lidhja Demokratike e Kosovës; •125 PDAK-LPB; •126 Gradjanska Inicijativa Narodna Pravda; •127 Socijaldemokratska Unija (SDU); •128 Fatmir Bytyqi; •129 Koalicioni për Familje; •130 Yenilikçi Türk Hareket Partisi; •131 Partia Demokratike e Kosovës; •132 Za Slobodu Pravdu Opstanak; •133 Srpski Narodni Pokret; •134 Kosova Demokratik Turk Partisi; •135 Koalicioni Vakat; •136 Opre Roma Kosova; •137 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi Intelektual-E-30; •138 Partia Fjala

Sa i përket kandidatëve për deputetë, 23 të tillë kanë rezultuar me probleme me ligjin. 16 prej kandidatëve kanë aktakuza aktive. Ndërsa 8 kandidatë që kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale. Nga to prin LVV me 14 kandidatë.

Logot e partive kryesore të Kosovës

Kush janë kandidatët për kryeministër?

Kandidatët kryesorë për kryeministër janë kryesisht liderët e partive politike që përmendëm më lart (përjashtuar Bedri Hamzën). Po i marrim me radhë. Ata janë:

Albin Kurti: Ai është kryeministri aktual i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti ka lindur më 24 Mars 1975 në Prishtinë dhe është një figurë e shquar në jetën politike dhe publike të Kosovës. Ai është diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Telekomunikacion me Kompjuterikë. Kurti u përfshi në lëvizjen studentore në vitet 1997-1999, duke organizuar protesta paqësore kundër regjimit serb. Gjatë luftës në Kosovë, shërbeu si sekretar i Zyrës Politike të UÇK-së. Ai është arrestuar nga forcat serbe më 1999 dhe mbajtur deri më 2001. Më vonë është arrestuar disa herë nga administratat ndërkombëtare dhe vendore për shkak të aktiviteteve të tij politike. Në vitin 2005, Kurti formoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila u bë forcë kryesore politike në Kosovë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 dhe 2021. Kurti ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet e viteve 2017, 2019 dhe 2021, duke arritur sukses të madh në zgjedhjet e fundit. Kurti është i martuar me Rita Augestad Knudsen dhe ka një vajzë, Lean. Ai flet shqip, anglisht dhe serbo-kroatisht.

Bedri Hamza: U zyrtarizua si kandidat për kryeministër nga ana e PDK-së në Mars të vitit të kaluar. Kujtojmë se kryetar i kësaj partie është Memli Krasniqi. Hamza ka lindur me 8 Nëntor 1963 në Klinë të Epërme. Ai është diplomuar në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës në vitin 1987, është Magjistër i Ekonomisë dhe Kandidat për PhD në Universitetin e Tiranës. Hamza ka shërbyer edhe si zëvendësministër dhe ministër Financash në qeverinë e Kosovës ndërsa në vitet 2013-2017 mbajti postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore. Në vitet 2017-2020 ka qenë deputet në Kuvend ku ka mbajtur ndër të tjera edhe rolin e tij kryetarit të grupit parlamentar. Në vitin 2021 ai hoqi dorë nga mandati i deputetit pasi fitoi zgjedhjet si kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut. Nga gjuhët e huaja flet Gjuhën Angleze dhe Gjuhën Serbo-Kroate. Bedri Hamza jeton në Mitrovicë, është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Lumir Abdixhiku: Është kandidati i LDK-së për kryeministër, parti të cilën e udhëheq po vetë. Abdixhiku ka lindur më 22 Prill të vitit 1983. Në vitin 2004 ai është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë periudhës 2005-2006 ai ka vazhduar studimet post-diplomatike në Britaninë e Madhe ku mori titullin magjistër shkence në fushën e ekonomisë. Në vitin 2013, Lumir Abdixhiku mori titullin Doktor Shkence i Ekonomisë. Lumir Abdixhiku u anëtarësua në Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2017. Në zgjedhjet e po atij viti, ai ishte një ndër deputetët më të votuar të LDK-së. Të njëjtën mbështetje votuese e konfirmoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019 dhe në këto të fundit, përkatësisht të vitit 2021. Në vitin 2019, Abdixhiku, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitin 2020, Abdixhiku shërbeu si ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Më 14 Mars 2021, ai u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa më 19 Nëntor 2023, Abdixhiku u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ramush Haradinaj: Është pretendent për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-NISMA. Haradinaj ka lindur më 3 Korrik 1968 në Gllogjan afër Deçanit dhe është një nga figurat më të njohura politike dhe ushtarake të Kosovës. Ai është ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka shërbyer si kryeministër nga Dhjetori 2004 deri në Mars 2005 dhe nga Shtatori 2017 deri në Shkurt 2020. Pas luftës, ai themeloi AAK-në ku është ende kryetar. Në mars të vitit 2005 ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për t’u përballur me një aktakuzë për krime lufte të ngritur nga Tribunali i Hagës. Pas disa muajsh paraburgimi dhe lirimit të përkohshëm, ai u shpall i pafajshëm nga gjykata dhe vazhdoi angazhimin e tij politik. Ai është i martuar me Anita Haradinaj dhe ka dy fëmijë.

Kandidatët e Kosovës për kryeministër

Gjuhë e ashpër në fushatë

Që në nisje fushata zgjedhore u shënua nga një gjuhë e ashpër e partive politike. Ajo që dukej më e ashpër ishte krahasimi që kryeministri, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i bëri partisë kundërshtare Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kurti në fjalimin e tij para simpatizantëve në Pejë e ka krahasuar LDK-në me mizën. Kjo i kushtoi LVV-së një gjobë prej 3 mijë Eurosh.

Por as LDK nuk shpëtoi nga gjobat e majme. Pas shpërndarjes në rrjetet sociale të një videoje ku Albin Kurti krahasohej me nazistin Adolf Hitler u dënua me 20 mijë Euro gjobë.

Ndërkohë koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) në Kosovë tha se rreth 20% e veprimtarive të partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit në Kosovë, janë përshkuar me gjuhë të urrejtjes dhe diskriminuese (Lexo më shumë). DnV-ja, e cila vëzhgoi 377 tubime në të gjitha komunat e vendit përgjatë dy javëve të para të fushatës zgjedhore, tha se ajo po përshkohet edhe me probleme të tjera si nënpërfaqësimi i grave dhe përdorimi i burimeve publike.


Vota e diasporës

Nga 9 Janari në Kosovë nisi votimi i mërgatës së Kosovës. Deri më 8 Shkurt atje mund të votojnë vetëm shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës. Votat e para të tyre arritën në Komisionin Qendror Zgjedhor më 5 Shkurt. Bëhet fjalë për 36.500 pako të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës nga Gjermania dhe Zvicra. Numërimi i tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme (Lexo më shumë).

Ndërsa shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 Shkurt 2025. Por edhe për këtë çështje ka pasur debat mes palëve, me opozitën që ka ngritur shqetësime për tentativa për manipulim votash nga diaspora (Lexo më shumë).

Materialet zgjedhore në Kosovë

Çfarë thonë sondazhet

Reuters citoi sondazhet vendase këtë të enjte sipas të cilave, “Vetëvendosja” e Albin Kurtit rezulton të ketë një rënie me 10% nga 2021-shi dhe pritet të marrë një shumicë prej 40% të votave. Rritje kanë partitë e tjera opozitare LDK dhe PDK (Lexo më shumë).

Newborn-i në Prishtinë

Richard Grenell, akuza Kurtit

I Dërguari i SHBA për mision të posaçëm Richard Grenell ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Zyrtari amerikan theksoi në rrjetin social “X”, se Kurti është kritikuar vazhdimisht nga administrata amerikane, si ajo demokrate ashtu dhe ajo republikane. “Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, tha ai (Lexo më shumë).

Grenell theksoi se për shkak të qeverisë Kurti, shumë kompani amerikane nuk po investojnë në Kosovë. Ai bëri thirrje që të mos mashtrohen nga retorika e Kurtit se Kosova është pranë Shteteve të Bashkuara.

Ky qëndrim i ashpër ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës erdhi pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Shkroi: Gramoz Pisha, Tvklan.al