Për kryetarin e PDS, Paskal Milo, marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore, nuk mundet ta zgjidhë krizën politike.
Në studion e “Opinion” në Tv Klan, Milo tha se më këtë marrëveshje ishte opozita ajo që bëri hapa pas, edhe pse po trumbetohet si fitore nga ana e tyre.
“Fitoren as mos e çojë në mend që e ka marrë, më vjen keq që e them këtë, se kam dëgjuar se trumbetohet si fitore. Të kthehesh në pozitat e nisjes ku ke qenë para se të largohesh nga parlamenti, me ndërgjegje, është kthim pas”.
Kriza e fortë politike sipas Milos nuk mund të zgjidhet me ndryshimin e sistemit zgjedhor, por është e nevojshme ndryshimi i sistemit politik.
Tryezën mes palëve ai e ka quajtur si një lëvizje taktike të përkohshme, që në thelb do të ketë retushe që do t’i bëhen kodit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se cili sistem është më i mirë sipas tij, Milo shprehet se “sistemi më i mirë ka qenë ai që kemi patur, mazhoritar proporcional i korrektuar”.
“Ai ka qenë më i ekuilibruar dhe i paatakuar”.
“Por kishte një problem, që me të filluan të futen kriminelë, banditë”, ka replikuar Fevziu.
Por Milo shprehet se në 2005 u deformua zbatimi dhe se problemi nuk ishte tek sistemi por tek njerëzit që nuk e zbatuan.
“Nëse nuk zhbëhet 2008, tani që është mbledhur ky komison, askush të mos pretendojë se do të vendoset stabilitet politik në Shqipëri, prapë do riciklohen krizat. Të dy partitë e mëdha, qoftë PS që është e betuar për të mos ndryshuar sistemin, qoftë PD që përpëlitet për shkak të aleatëve, edhe ajo nuk e do ndryshimin e përcaktuar të 2008, dhe për sa kohë nuk e duan këto parti të mëdha, të tjerat nuk kanë çfarë bëjnë, kështu që do mbetemi tek ky sistem dhe do riciklojmë krizën”. /tvklan.al