Ligjvënësit e opozitës të Koresë së Jugut kanë paraqitur një mocion për të fajësuar kryeministrin e vendit dhe udhëheqësin në detyrë Han Duck-soo, më pak se dy javë pasi parlamenti votoi për shkarkimin e Presidentit Yoon Suk Yeol.
Han ka refuzuar që të emërojë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese për të finalizuar procesin e largimit nga detyra të paraardhësit të tij. Opozita ka akuzuar gjithashtu Hanin se ka ndihmuar në përpjekjen për ligjin ushtarak të Yoon më 3 Dhjetor.
Han gjithashtu vuri veton ndaj disa projektligjeve të udhëhequra nga opozita, duke përfshirë një që propozonte një hetim të posaçëm për deklaratën jetëshkurtër të ligjit ushtarak të Yoon. Mocioni i shkarkimit pritet të hidhet në votim në 24 deri në 72 orët e ardhshme. Që të ketë sukses, duhet ta votojnë 151 nga 300 deputetë.
Partitë opozitare kishin shpresuar se Han nuk do t’i pengonte ndërsa vepronte si presidenti i përkohshëm i vendit dhe se do të lejonte miratimin e projektligjeve. Por në vend të kësaj ai është mbajtur i vendosur, duke thelluar krizën politike.
Nga ana tjetër, presidenti i akuzuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka kundërshtuar thirrjen për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje lidhur me shpalljen e ligjit ushtarak për herë të dytë brenda një jave.
Yoon nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje me dyshimin për kryengritje dhe abuzim me pushtetin pasi u urdhërua të merrte pjesë në Zyrën e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë në jug të Seulit të mërkurën.
Gjykata Kushtetuese e Koresë po shqyrton aktualisht nëse do të mbështesë mocionin dhe të largojë Yoon nga detyra, një hap që duhet të miratohet nga të paktën gjashtë nga nëntë gjyqtarë. Gjykata ka caktuar seancën e saj të parë publike për këtë çështje për 27 Dhjetor dhe mund të duhen deri në gjashtë muaj për të dhënë vendimin e saj.
Klan News