Edhe protesta e 13 e opozitës para Bashkisë së Tiranës, nisi me hedhjen e molotovëve.
Me thirrjet për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj, qytetarët protestuan për më pak se 1 orë, ndryshe nga protestat e tjera.
Molotovët e hedhur nga protestuesit në disa raste nuk shpërthyen pasi shërbimi zjarrfikës i parandaloi.
Nga kokteji i molotovëve një punonjës policie mori lëndime të lehta.
Ndryshe nga protestat e shkuara, policia hoqi kangjellat metalike. Në vend të tyre qëndruan efektivët e rendit.
Këtë herë nga protestuesit nuk pati përpjekje për të hyrë në ambientet e bashkisë.
Përfaqësuesit e opozitës dhe aleancës për mbrojtjen e teatrit u larguan pasi lajmëruan që protesta e radhës do të jetë të premten e ardhshme.
Pas tyre u larguan edhe efektivët, për t’i lënë vendin kolegëve të tyre të tjerë për të mbledhur prova në vendin e ngjarjes.
Klan News