Kryeministri hungarez Viktor Orban akuzon Xhorxh Sorosin si organizator të asaj që ai e quan “përndjekje” ndaj kreut të qeverisë maqedonase, Nikolla Gruevski. Publikisht Orban foli për të parën herë për këtë çështje në një intervistë për radiot vendase.
“Mendoj që prapa përndjekjes së ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski fshihen organizatat e afërta me filantropin Xhorxh Soros”,
shprehet Kryeministri Orban.
Kryeministri hungarez e konsideron Nikolla Gruevskin “aleat” që e meriton azilin, pasi mbrojti Hungarinë nga dyndja e emigrantëve të jashtëligjshëm, me vendimin për të bllokuar rrugën ballkanike të tyre në krizën e vitit 2016.
”Ai është një ish-udhëheqës i një vendi mik, që ka luajtur një rol kyç në trajtimin e krizës së emigrantëve të jashtëligjshëm. Pa ndihmën e tij do t’a kishim të vështirë të mbronim kufijtë hungarezë. Ndaj dhe duhet t’i trajtojmë aleatët tanë me ndershmëri”,
thotë Kryeministri i Hungarisë.
Orban e konsideron Gruevskin si njeriun më të rëndësishëm që Hungaria ka pranuar në 30 vitet e demokracisë. Gjithsesi, pavarësisht azilit, Orban shprehet se i takon organeve të drejtësisë të vendosin nëse duhet ekstraduar apo jo Gruevski, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase.
Ish-kryeministri i Maqedonisë ndodhet prej 13 Nëntorit në Hungari, ku ka kërkuar azil, pas dënimit me 2 vite burg për korrupsion.
Tv Klan