Ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, filantropi demokrat George Soros, si dhe aktori dhe regjisori Denzel Washington morën të shtunën Medaljen e Lirisë, dekoratën më të lartë civile amerikane në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Joe Biden u dha Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.
Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.
Katër personalitete u nderuan pas vdekjes: Fannie Lou Hamer, e cila themeloi Partinë Demokrate në Mississippi dhe përgatiti terrenin për Ligjin e të Drejtës së Votës së vitit 1965; ish-Prokurori i Përgjithshëm dhe senatori Robert F. Kennedy; George W. Romney, i cili shërbeu si guvernator i Miçiganit dhe sekretar për strehimin dhe zhvillimin urban; si dhe Ash Carter, ish-sekretar i Mbrojtjes.
Ndër filantropët që u nderuan me medalje janë: shefi spanjollo-amerikan i kuzhinës, Jose Andres, organizata e të cilit “World Central Kitchen” është bërë ndër organizatat më të njohura të ndihmës në botë; si dhe këngëtari Bono, ish-anëtari i grupit të muzikës rock U2 dhe aktivist për drejtësinë sociale.
Ndër yjet e sportit dhe industrisë së argëtimit që vlerësohen me medalje janë: lojtari i futbollit Lionel Messi; ish-lojtari legjendar i ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers”, Earvin “Magic” Johnson; aktori Michael J. Fox, që shërben si aktivist për punën kërkimore për sëmundjen Parkinson; si dhe William Sanford Nye, i njohur nga disa breza studentësh si “njeriu i shkencës Bill Nye”.
Gjithashtu presidenti Biden dekoroi shtatë veteranë të luftërave të Koresë dhe Vietnamit me Medaljen e Nderit për akte të guximit ekstrem që shkuan “përtej thirrjes së detyrës”.
Tv Klan