Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban paralajmëron se do të bllokojë rinovimin e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, nëse Brukseli nuk ndihmon në rikthimin e rrjedhës së gazit rus përmes Ukrainës, i cili u ndalua më 1 Janar.
Në një intervistë për radion shtetërore hungareze, Orban shprehu shqetësimin se vendimi për ndalimin e tranzitit të gazit rus nga Ukraina rrezikon rritjen e çmimeve në vendet e Evropës Qendrore.
“Kërkuam garanci. Ndër të tjerë, Komisioni Europian na premtoi se do të bëjë të mundur që ukrainasit të rikthejnë rrjedhën e gazit rus.”, tha Viktor Orban.
Eksportet e gazit rus nëpërmjet tubacioneve që kalonin nëpër Ukrainë u ndalën kur skadoi marrëveshja e tranzitit. Kievi refuzoi të negociojë një marrëveshje të re tranziti pasi lufta e tij kundër agresionit rus i afrohet vitit të tretë.
Pas Hungarisë edhe Sllovakia i ka bërë presion BE-së që të ndërhyjë për të rifurnizuar me gaz rus Evropën.
Klan News