Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban paralajmëron se do të bllokojë rinovimin e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, nëse Brukseli nuk ndihmon në rikthimin e rrjedhës së gazit rus përmes Ukrainës drejt kontinentit.

Në një intervistë për radion shtetërore hungareze, Orban shprehu shqetësimin se ndalimi i kalimit të gazit rus nga Ukraina rrezikon rritjen e ndjeshme të çmimit për vendet e Europës Qëndrore.

“Kërkuam garanci. Ndër të tjera, Komisioni Europian na premtoi se do të bëjë të mundur që ukrainasit të rikthejnë rrjedhën e gazit rus.”

Garancitë, Bashkimi Europian ia ofroi Hungarisë në këmbim të heqjes së vetos në fillim të kësaj jave për rinovimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Sanksionet ekonomike ndaj Moskës për luftën në Ukrainë, rinovohen çdo 6 muaj.

Problem është refuzimi i Kievit, që nuk pranon më të rinovojë marrëveshjet me vendet e Bashkimit Europian për të lejuar kalimin e gazit rus nga tubacionet e këtij vendi, pasi të gjitha kontratat skaduan më 1 Janar. Presidenti Zelenski tha se nuk do të lejojë më që rusët të bëjnë para duke shkelur mbi gjakun e ukrainasve.

Tv Klan